Mënyra e zbritjes së Kur’anit dhe llojet e ajeteve Kur’anore

by Uniteti-Admin

All-llahu (subhanehu ue teala) e ka zbritur Kur’anin në Natën e Kadrit prej LeuhilMahfudh në qiellin e kësaj bote dhe më pastaj Kur’ani ka zbritur pjesë pjesë për njëzet e tri vite.

Prej ajeteve që kanë zbritur, një shumicë e tyre është që ka zbritur në Mekke përpara Hixhretit të Pejgamberit në Medine dhe një shumicë e ajeteve që kanë zbritur në Medine, ndërsa ka edhe ajete që kanë zbritur gjatë betejave të Pejgamberit, pra nuk kanë zbritur as në Mekke dhe as në Medine, siç është rasti i Sures “Fet’h” që ka zbritur në vendin e Hudejbijes në vitin e gjashtë sipas Hixhretit.

Llojet e ajeteve Kur’anore sipas vendit ku kanë zbritur dhe dallimi mes tyre

Ajetet në përgjithësi janë ajete që kanë zbritur në Mekke dhe ajete që kanë zbritur në Medine. Dallimi mes këtyre ajeteve është se ajetet që kanë zbritur në Mekke janë ajete që flasin rreth forcimit të besimit dhe rreth shtyllave të besimit, ndërsa ajetet që kanë zbritur në Medine janë ajete dhe sure që janë përplot me dispozita të Sheriatit, pasiqë periudha e pas Hixhretit është periudhë në të cilën Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e ndërtoi Shtetin Islamik dhe kjo ishte periudhë e cila kishte nevojë për dispozita që e rregullojnë jetën shoqërore të Shtetit Islamik. Poashtu ajetet e Mekkes janë në përgjithësi ajete të shkurta, ndoshta përshkak që të jetë më lehtë të mësohen përmendësh në atë shoqëri të Mekkes ku muslimanët kanë qenë të dobët dhe janë frikësuar prej torturave të mushrikëve të Mekkes, ndërsa nga ana tjetër ajetet që kanë zbritur në Medine janë të gjata, edhe muslimanët në Medine e kanë patur pushtetin në duart e tyre dhe kanë qenë të sigurt dhe kanë patur mundësi që të lëvizin lirshëm.

Sa u përket ajeteve të Medines dhe Mekkes dijetarët janë ndarë në tri grupe:

Grupi i parë njëkohsisht ky është edhe mendimi më i saktë të cilët thonë se ajet i Mekkes është secili ajet që ka zbritur para Hixhretit dhe ajet i Medines është çdo ajet që ka zbritur pas Hixhretit pa marrë parasysh a ka zbritur në Medine apo në Mekke ose në ndonjë udhëtim jashtë këtyre dy qyteteve.

Grupi i dytë i dijetarëve janë të mendimit se ajet i Mekkes është çdo ajet i cili ka zbritur në Mekke, qoftë edhe pas Hixhretit dhe ajet i Medines është çdo ajet që ka zbritur në Medine, ndërsa ajetet që kanë zbritur në ndonjë udhëtim ose në ndonjë betejë, ata ajete nuk llogariten as ajete të Medines e as të Mekkes, siç është rasti me ajetin: “O ju njerëz, Ne ju kemi krijuar prej mashkullit dhe femrës…” (el Huxhuratë 14) dhe ky ajet ka zbritur Ditën e Çlirimit të Mekkes në vitin 8 sipas Hixhretit. Poashtu edhe ajeti tjetër në Suren “el Maide” ajeti 3 : “Sot jua kam plotësuar fenë tuaj…” ajet i cili ka zbritur në Haxhin Lamtumirës në vitin e dhjetë sipas Hixhretit.

Grupi i tretë i dijetarëve thonë se ajet i Mekkes quhet çdo ajet i cili ju drejtohet banorëve të Mekkes dhe ajet i Medines është çdo ajet që i drejtohet banorëve të Medines, siç është rasti i Sures “el Mumtehine” Sure e cila ka zbritur në Medine dhe i drejtohet dhe u përkushtohet banorëve të Mekkes. Poashtu edhe fjala e All-llahut: “Ata të cilët kanë bërë Hixhret…” (en Nahl 41) është ajet që ka zbritur në Medine, por i përkushtohet dhe i drejtohet banorëve të Mekkes, gjithashtu edhe fillimi i Sures “et Teube” ka zbritur në Medine, por i drejtohet mushrikëve të Mekkes dhe kështu me rradhë.

Ka edhe metoda tjera me të cilat mund që ta bëjmë dallimin mes sureve dhe ajeteve të Mekkes dhe mes ajeteve dhe sureve të Medines si për shembull:

Çdo sure që fillon me fjalët e mëposhtme është sure e Mekkes:

  1. O ju njerëz…
  2. Ajet i cili ka fjalën كلا  “Assesi”.
  3. Çdo sure që fillon me shkronjat e veçuara siç është “Elif Lam Ra”ose “Haa mim”, përveç Sures el Bekare, Sures Ali Imran dhe Sures er Ra’d.
  4. Çdo sure që përmban tregime të pejgamberëve apo të popujve të mëparshëm.

Çdo sure që i pëmban këta gjëra të mëpshtme është sure e Medines:

  1. Çdo sure në të cilën përmenden farzet ose dënimet e Sheriatit për krimet, është sure e Medines.
  2. Çdo sure në të cilën përmenden munafikët (përveç Sures el Ankebut) është sure e Medines.

 

Nga: es Sujuti

Përktheu: Enis Arifi

 

 

 

 

Të tjera