1.8K
Kur muslimani ballafaqohet me problem, ai duhet t’a kuptojë se ka nevojë për ndihmën dhe intervenimin e Allahut për t’a zgjidhur atë problem, ndërsa kjo mund të arrihet me mëshirën e Allahut dhe me vepra të mira. Veprat e mira të cilat i kryen njeriu paraqesin gjëra me të cilat përfitohet mëshira e Allahut dhe të cilat e zvoglojnë hidhërimin e Allahut ndaj robit dhe në këtë mënyrë hapet rruga për zgjidhjen e problemeve.
Këta vepra të mira janë:
- Besimi në Allahun: Besimtari në ballafaqim me problemet nuk mjafton vetëm të ketë besim në Allahun, por duhet që në raste kur ballafaqohet me problem, duhet që atij (asaj) t’i forcohet besimi, dashuria dhe afërsia ndaj Allahut. Vlen të përmendet se muslimani në asnjë çast nuk duhet që t’a humb besimin në Allahun, përshkak se besimi në Allahun është themeli mbi të cilin muslimani i ndërton veprat tjera.
- Të diturit se ajo që të ka goditur është prej asaj që ti ke punuar apo prej Allahut. Dhe mos u bë prej atyre që i fajësojnë njerëzit tjerë për problemet e tua. Thotë Allahu: “Nuk ndodh asnjë musibet (e keqe) në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në Libër (Leuhil Mahfudh) para se të ndodhë, e kjo për Allahun është lehtë. Ashtuqë të mos dëshproheni tepër për atë që u ka kaluar, e as që të mos gëzoheni tepër me atë që Ai ua ka dhënë, sepse Allahu nuk e do çdo arrogant që lavdërohet”. (el Hadidë 22-23)
- Të keshë mendim të mirë për Allahun: Besimtari duhet të ketë mendime të mira për Zotin e tij, duke u kthyer vetëm Atij në adhurime dhe në lutje dhe duke e kujtuar madhështinë, bekimet dhe faljen e Tij. Transmetohet prej Xhabir bin Abdilah (radijAllahu anhu) se Pejgamberi ka thënë: “Askush prej jush s’duhet të vdes pa mos pasur mendim të mirë për Allahun”.
- Në mes frikës dhe shpresës: Njeriu kur has probleme, duhet njëkohsisht të ketë frikë dhe shpresë, pra frikë prej dënimit të Allahut dhe shpresë në mëshirën e Tij. Thotë Allahu për besimtarët: “Largohen me trupat e tyre prej dysheqeve dhe e lutin Zotin e tyre me frikë dhe me shpresë dhe me atë që Ne i kemi furnizuar ata japin (zekatin)”. (es Sexhde 16)
- Durimi: Besimtari duhet që të ketë durim dhe vendosmëri në periudhat problematike. Besimtari asnjëherë s’duhet që të shfaq mospajtim me vendimin e Allahut dhe më pastaj të besojë dhe të shpresojë në shpërblimin e Allahut. Durimi duhet që të manifestohet gjatë gjitha fazave të problemit, ndërsa durimi më i lavdëruar është durimi në ballafaqimin e parë me problemin, thotë Pejgamberi: “Me të vërtetë durimi është në goditjen e parë”.
- Bërja e duasë: Kur muslimani është në problem bën dua dhe e lut Allahun me lutje ashtusiç ka ardhur në Kur’an dhe Sunet në mënyrë që të arrijë deri te zgjidhja perfekte e problemit. Mirëpo bërja e duasë nuk është e preferuar vetëm në vështirësi, por është gjë e kërkuar prej besimtarit në çdo kohë.
Përktheu me disa shtojca: Enis Arifi