Mëshira e Allahut në mëkatet e robit të Tij

by Uniteti-Admin

Dëgjojmë nëpër fjalët e dijetarëve dhe shpesh lexojmë nëpër librat e tyre se çdo gjendje e besimtarit është mirësi për të. Mirëpo, parashtroi dikush pyetjen dhe tha: E çfarë mirësie ka në faktin që njeriu si krijesë i bën mëkat Allahut, edhe pse Ai këtë gjë nuk e do?!

Nuk kam hasur përgjigje më të shkurtë dhe më përfshirëse se shpjegimi i Ibn Kajjimit kur flet për urtësitë e mëkatimit të njerëzve, d.m.th. pse Allahu lejon që njerëzit të mëkatojnë?! Thotë Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë:

“Dhe prej urtësive (të mëkatit) është se kur Allahu ia dëshiron robit të Tij të mirën e bën që ai t’i harrojë veprat e tija të mira dhe ia largon ato nga zemra dhe gjuha e tij, kështu që kur sprovohet me ndonjë mëkat i kujtohet vetëm mëkati dhe i harron veprat e mira. I gjithë përkushtimi i tij bëhet mëkati që e ka bërë, andaj ky mëkat i del përpara sa herë që çohet ose ulet, kur vjen ose shkon, kështu që kjo gjendje për të është vetë mëshira. Ashtu siç thonë disa prej të parëve tanë: “Me të vërtetë që robi mund të bëjë ndonjë mëkat dhe për atë të hyjë në Xhennet dhe mund të bëjë ndonjë vepër të mirë dhe për atë të hyjë në Zjarr.” I thanë: E si është kjo e mundshme? Tha: “E bën një vepër të keqe dhe sa herë që i kujtohet qan, ndjen keqardhje, pendohet, kërkon falje, i nënshtrohet dhe kthehet kah Allahu,  përulet dhe thyhet para Tij dhe si kompensim për të, vepron vepra (të mira), andaj bëhet (ky mëkat) shkak i mëshirës për të. Ndërsa mund të veprojë një të mirë dhe ajo ti shfaqet gjithmonë parasysh, e përmend atë, tregon me të syefaqësi, e konsideron me të veten të vlefshme tek Allahu dhe tek njerëzit, tregohet kryelartë dhe habitet pse njerëzit nuk e madhërojnë, pse nuk e nderojnë dhe pse nuk e respektojnë për këtë vepër?!  Vazhdon në këtë gjendje derisa gjurmët e tilla të kësaj vepre ta fusin në Zjarr.”

Shenjë e lumturisë është që veprat e mira të robit të jenë prapa shpinës së tij, ndërsa mëkatet para syve të tija, kurse shenjë e mjerimit është që veprat e tija të mira t’i bëjë para syve të tija, ndërsa mëkatet t’i hedhë pas shpine, Allahu na ndihmoftë.

Gjithashtu prej urtësive (të mëkatimit) është se kur robi i sheh mëkatet dhe veprat e shëmtuara të tij, kjo e ndalon atë që të mendojë se ka merita tek dikush apo se dikush ka ndonjë obligim ndaj tij. Kështu, ai nuk mendon se është më i mirë se një musliman tjetër i cili e beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ dhe e konsideron të ndaluar atë që e ndalon Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ. Kur i dëshmon mëkatet e tija, nuk e sheh se të tjerët e kane të obliguar që ta nderojnë dhe nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë ai do t’i nënçmojë, jo nuk mendon ashtu, sepse vetja e tij nuk është aq me vlerë dhe aq e lartë, sa që të tjerët të kujdesen për obligimet e tyre ndaj tij apo të ketë aq merita me të cilat do të meritojë respektin, veçimin apo përparësinë ndaj të tjerëve. (Përkundrazi) Ai mendon që kush e përshëndet apo e takon atë me buzëqeshje, ka treguar bamirësi ndaj tij dhe i ka dhënë diçka që nuk e ka merituar, andaj me këtë e rehaton veten e tij dhe i rehaton të tjerët nga ankesat dhe mllefi ndaj Universit dhe banorëve të tij. Sa jetë të mirë që ka, sa i rehatshëm që është, sa i kënaqur që është, nuk është sikur ai që gjithmonë i qorton të tjerët, ankohet pse ata nuk ia japin hakun, i mllefosur ndaj njerëzve dhe ata të mllefosur me të.” (Miftah daru es-seadeti 1/310)

Në këto reshta ky dijetar na jep disa margaritarë për të cilët duhet të mendojmë dhe të meditojmë thellë, margaritarë që na shfaqin madhështinë e Allahut në çdo cep të krijimit të Tij dhe në çdo lëvizje në këtë krijim.

Përgatiti: Ali Ashani

Të tjera