Përkujtimi dhe këshillimi i besimtarëve është prej karakteristikave të këtij Ummeti, ndoshta ndonjëri prej besimtarëve e pranon këshillën, kështuqë bëhëmi shkak i largimit të besimtarëve nga gjërat të cilat e hidhërojnë Allahun dhe me këtë kemi arsyetim përpara Allahut në Ditën e Gjykimit.
Bëhet fjalë për festimin e ditëlindjes së Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), për Mevludin dhe dispozitat fetare rreth kësaj çështje.
1- Realiteti i dashurisë ndaj Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem):
Dashuria ndaj tij është prej Imanit, ndërsa urrejtja ndaj tij është kufër dhe hipokrizi, bile nuk plotësohet Imani i robit, derisa t’a dojë Pejgamberin (salAllahu alejhi ve sel-lem) më shumë se pasurinë, fëmijët dhe veten e tij, siç i tha Pejgamberi, Umerit (radijAllahu anhu).
Allahu e ka treguar realitetin e kësaj dashurie dhe i ka treguar shenjat e saja, thotë Allahu:
قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
“Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua dhe Allahu do t’ju dojë dhe do t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë dhe që mëshiron shumë.”[1]
Thotë Es-Si’dij në komentin e këtij Ajeti: “Ky Ajet është kriteri me të cilin njihen ata që me të vërtetë e duan Allahun dhe ata që këtë dashuri e kanë vetëm pretendim. Shenja e dashurisë ndaj Allahut është pasimi i Muhammedit (salAllahu alejhi ve sel-lem), sepse Ai e ka bërë pasimin dhe besimin në çdo gjë në të cilën thërret Muhammedi, rrugë e cila të shpien te dashuria dhe kënaqësia e Allahut. Nuk ka mundësi që të arrihet dashuria, kënaqësia dhe shpërblimet e Allahut, përpos se me atë me të cilën ka ardhur Muhammedi (salAllahu alejhi ve sel-lem), me Kur’an, Sunnet dhe me urdhërat dhe ndalesat e këtyre dy burimeve.”[2]
Thotë Ahmed Shakir në komentin e këtij Ajeti: “Ky Ajet është gjykues për secilin i cili pretendon se e don Allahun, mirëpo në të njejtën kohë nuk është në rrugën e Profetit (salAllahu alejhi ve sel-lem), se është gënjeshtar në pretendimin e tij, derisa t’a pason metodologjinë dhe fenë e Muhammedit në çdo thënie dhe vepër të tij…”[3]
Domethënë realiteti i dashurisë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij është nënshtrimi ndaj urdhërave të tyre dhe largimi nga ndalesat e tyre.
Është për tu çuditur me disa njerëz, të cilët dashurinë ndaj Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) e kanë koncentruar në organizim të një mbledhimi ku përkujtohet (shkurtimisht) jeta dhe sakrificat e tij, e gjithë kjo e shoqëruar me atmosferë festive, sikurse me qenë çështja e dashurisë ndaj tij ekskluzive për këtë gjë dhe asgjë tjetër. Ky çregullim në kritere e ka kapluar një pjesë të madhe të botës Islame, ku njerëzit me qëllim apo pa qëllim e paraqesin Mevludin si kriter dhe peshojë e atyre të cilët e duan Allahun dhe Pejgamberin e Tij dhe të atyre të cilët nuk janë prej kësaj grupe.
2- A ka në fe Bida‘t[4] të mire?
Dije vëlla i dashur se Bida’ti në terminologji ndahet në tri pjesë:
– Bid’a (risi) gjuhtarisht[5]: Çdo gjë e re e cila nuk ka ekzistuar më parë, qoftë në adhurime, apo në zakone dhe në gjëra të përditshme, siç është zbulimi i orës, makinave, altoparlantit etj. Ky lloj i risive është i lejuar në zakone dhe në gjërat e përditshme.
– Bid’at (risi) i vërtetë: Është çdo vepër e re në fe, e cila nuk ka baza dhe me të cilën dëshirohet afrim tek Allahu, domethënë ky lloj i risive ka të bëj vetëm me adhurimet fetare (ibadete), siç është ndërtimi mbi varreza etj.
– Bid’at i shtuar: Kjo ka të bëj me vepra, parimi i së cilave ekziston në fe, mirëpo këta vepra praktikohen në mënyra të ndaluara, siç është përmendja e Allahut vetëm me emrin ((Allah, Allah, Allah)), apo ((Hu, Hu, Hu)), etj.
Ajo që neve na intereson është Bida’ti i vërtetë dhe a ka prej këtij lloji të Bida’ti, Bida’t të mirë dhe të keq? Dije se Bida’ti i gjithë është i keq, edhe pse dallon Bida’ti nga tjetri, ka prej këtij Bida’ti vepër që është kufër, vepër që nuk të nxjer nga feja, por është haram dhe vepër e cila është mekruh. Mirëpo të gjithë këto vepra kanë një gjë të përbashkët, nuk pranohen tek Allahu dhe këtë na ka treguar i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) në hadithe të vërteta, siç është hadithi i A’ishes (radijAllahu anha): “Kushdo që shpik diçka në këtë fe, gjë e cila nuk është prej saj, vepra e tij është e refuzuar“[6], në transmetimin e Muslimit thuhet: “Kush vepron një vepër e cila nuk është prej çështjes (fesë) tonë, ajo është e refuzuar.”
Thotë Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) në hadithin e I’rbad ibn Sarije: “Kapuni për Sunnetin tim dhe për Sunnetin e udhëheqësve të drejtë pas meje, kapuni për të me dhëmballë dhe keni kujdes nga gjërat e shpikura (në fe), sepse çdo risi është devijim (humbje)…”[7]
Dije o musliman se feja e Allahut ështe kompletuar dhe përsosur, thotë Allahu:
اليَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الإِسْلامَ دِيناً
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe jam i kënaqur që Islami të jetë fe e juaj.”[8] Pra feja e Allahut është përsosur dhe kompletuar, thotë Imam Maliku: “Kush pretendon se feja nuk është plotësuar, ka pretenduar se Muhammedi (salAllahu alejhi ve sel-lem) e ka tradhëtuar misonin e tij.”[9]
Disa mundohen të arsyetohen se ka Bida’t të mirë në fe dhe argumentohen me disa tekste, prej tyre është thënia e Umerit (radijAllahu anhu) Ubejj ibn Ka’bit: فنعمت البدعة هي Që d.t.th: “…sa Bida’t i mirë që është.”
Ky lloj i përmendur i Bid’at këtu është Bida’t etimologjik, jo terminologjik, sepse vepra që e kishte bërë Ubejj (radijAllahu anhu), namazi i natës (teravisë) me xhemat, ka bazë dhe argument për të, e ka vepruar Pejgamberi dy apo tre ditë gjatë jetës së tij dhe ditën/natën e tretë apo të katërt nuk doli Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) që të falet në xhemat me sahabet, nga frika mos të ju bëhet obligim.
3- Paraqitja e Mevludit në mesin e muslimanëve:
Kjo vepër nuk ka qenë e njohur deri në shekullin e V (Hixhrij), më saktësisht deri në vitin 625H, edhe atë prej të parëve që e kanë shpikur këtë Bida’t ësht Mbreti i Memalikëve El-Mudhaffir Ebu Sei’d.
Po të ishtë Mevludi pjesë e asaj feje të përsosur të cilën e ka përmendur Allahu ne Librin e Tij, të parët që do t’a kishin praktikuar do të ishin gjenerata e para të muslimanëve, kurse në krye të tyre do të ishin sahabet e Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem). Pasha Allahun po të ishte kjo vepër prej veprave për të cilat shpërblehet njeriu, nuk do të ishtë ndonjë mbret në shekullin e V i pari që do t’a vepronte, si ka mundësi që dikush t’u paraprin sahabeve me vepra të mira, si ka mundësi një udhëheqës tu paraprin udhëheqësve të sahabeve në vepra të mira, të del para Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Aliut në vepra që e afrojnë njeriun tek Allahu dhe Xhennetet e Tija?!
4- Dispozita e festimit të Mevludit:
Kjo vepër është Bida’t dhe nuk lejohet që të bëhet në asnjë formë prej formave të njohura të kësaj vepre. Ne e kuptojmë se ata të cilët e bëjnë Mevludin, e bëjnë si rezultat i dashurisë ndaj Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), mirëpo siç thamë më lartë, shenjë e dashurisë ndaj tij nuk është përpos se pasimi i metodologjisë së tij në çdo aspekt të jetës së një besimtari.
Feja është plotësuar dhe përsosur gjatë jetës së Pejgamberit, andaj një vepër e cila nuk ka qenë pjesë e fesë në ato ditë, nuk do të bëhet pjesë e fesë deri në Ditën e Gjykimit.
Referenca e muslimanëve në çështjet në të cilat kanë mospajtim është Kur’ani dhe Sunneti, ashtu siç e kanë kuptuar gjeneratat e para të muslimanëve.
Thotë Taxh ed-Din Amr ibn Ali el-Fakehani[10]: “Nuk dij për Mevludin bazë në Librin e Allahut, apo në Sunnetin e Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) dhe kjo vepër nuk është transmetuar nga asnjë prej dijetarëve të cilët pasohen në fe, kjo vepër është Bida’t të cilin e kanë shpikur…
Nuk është vaxhib me konsenzus dhe as mustehab[11], sepse mustehabi është vepër të cilën e kërkon feja që të bëhet, mirëpo duke mos e përbuzur atë që nuk e bën, ndërsa Mevludin, nuk na ka lejuar feja që t’a bëjmë, nuk e kanë vepruar sahabet, as tabi’inët, as dijetarët e devotshëm, sa e dij unë, kjo është përgjigja ime nëse pyetem për këtë vepër përpara Allahut…”[12]
Përmblodhi dhe përktheu: Ali Ashani
[1] Aal I’mran:31.
[2] Tefsir el-Kur’an el-Kerim (2/105).
[3] U’mdetu et-Tefsir.
[4] Fjala Bida’ në gjuhën arabe d.t.th risi.
[5] Në etimologji.
[6] Buhariu dhe Muslimi.
[7] Ebu Davudi (4607), Tirmidhiu (2678) dhe të tjerë.
[8] El-Maide:3.
[9] El-I’tisam (1/61).
[10] Është prej dijetarëve të njohur të Medh’hebit Malikij, ka vdekur në vitin 734H, Allahu e mëshiroftë.
[11] Vepër e pëlqyer, do t’a përmend dijetari definicionin e mendubit apo mustehabbit.
[12] El-havi lilfetava, Revista El-Bejan nr.199.