Shumë prej njerëzve mendojnë se morali i mirë ka të bëjë veçanërisht me sjelljen ndaj njerëzve, duke mos përfshirë këtu edhe sjelljen ndaj Krijuesit. Por Morali i mirë dhe sjellja, sikur që kanë të bëjnë me krijesat, kanë të bëjnë edhe me Krijuesin. Tema e Moralit të mirë është sjellja ndaj Krijuesit dhe gjithashtu sjellja ndaj krijesave, kësaj çështje duhet ti kushtohet shumë më shumë rëndësi.
Morali i mirë në sjelljen me Krijuesin, dhe kjo përmbledh tri gjera:
1. Pranimi i Porosive të All-llahut me besim të plotë.
2. Pranimi i Ligjeve të Tij, duke i zbatuar dhe duke i praktikuar ato.
3. Pranimi i përcaktimeve të Tij duke duruar dhe duke u pajtuar (me ato përcaktime).
Rreth këtyre tri gjërave sillet morali i mirë me All-llahun.
1. Pranimi i Porosive të All-llahut me besim të plotë. Ashtu që njeriu të mos bjerë në dyshime apo të largohet nga besimi në mesazhet e All-llahut, sepse këta mesazhe burojnë nga dituria e Tij, Ai dhe Fjalët e Tij janë më të vërtetat, sikurse që thotë All-llahu, subhanehu ue teala, për veten e Tij: “Fjalët e kujt janë më të vërteta se të All-llahut?” (Nisa 87) Kjo e kushtëzon njeriun që t’i besojë mesazhit të All-llahut, të jetë i sigurt në të, ta mbrojë atë që të mos i hyjë ndonjë dyshim ose t’i lind ndonjë pyetje në mesazhet e All-llahut dhe të Dërguarit të tij [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të]. Kur robi do të sillet me këtë sjellje, All-llahu do t’i ndihmojë që të largoj çdo dyshim që e sjellin urrejtësit e Islamit ndaj lajmeve të All-llahut dhe të Dërguarit të Tij. Qofshin ata prej muslimanëve, të cilët kanë futur risi në fenë e All-llahut, e cila nuk është prej saj apo jomuslimanët (Kafirët) të cilët fusin dyshime në zemrat e muslimanëve.
Për shembull: Në Sahihun e Buhariut hadithi i Ebu Hurejres [All-llahu qoftë i kënaqur me të] thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur të hyjë miza në pijen e dikujt le ta fundosë atë dhe pastaj le ta nxjerrë, sepse në njërin nga krahët e saj gjendet sëmundja dhe në tjetrin shërimi.” Ky hadith i të Dërguarit të All-llahut bën pjesë në (Gajb) dijen e fshehtë, kurse ai nuk flet nga vetja e tij, por flet nga ajo që i shpallet nga All-llahu, sepse ai është njeri dhe njeriut nuk i është dhënë gjë nga dija e fshehtë (Gajbi), siç thotë All-llahu në Kur’an: “Thuaj: Unë nuk ju them: Tek unë janë depot e All-llahut dhe se i di fshehtësitë e as që ju them: Unë jam melek. Unë pasoj vetëm atë që më shpallet.” (En’am: 50).
Pra, e kemi obligim që këto çështje t’i pranojmë me moral të mirë e morali i mirë në këtë rast është që ta pranojmë atë siç ka ardhur, duke qenë të sigurt se atë që e ka thënë i Dërguari All-llahut [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të] në këtë hadith është e vërtetë pa marrë parasysh kush e kundërshton. Jemi të bindur plotësisht se çdo gjë është e kotë nëse bie në kundërshtim me atë që është vërtetuar se e ka thënë i Dërguari All-llahut [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të], sepse All-llahu thotë: “Çka ka tjetër pas të vërtetës përveç humbjes? E si po ja ktheni shpinën!?” (Junus, 32).
2. Pranimi i Ligjeve të Tij duke i zbatuar dhe duke i praktikuar ato.
Nuk duhet të kundërshtohet ndonjë prej Ligjeve të All-llahut dhe nëse ndodh kjo, padyshim se kjo është prej moralit të keq ndaj All-llahut, pa marrë parasysh a e refuzon atë duke e mohuar, duke u bërë kryelartë ndaj praktikimit të asaj vepre apo e bën këtë nga moskujdesi dhe përtacia. Të gjithë këto e mohojnë moralin e mirë ndaj All-llahut.
Shembull për këtë: Pa dyshim se namazi është i rëndë për disa njerëz, siç është rasti me munafikët (dyfytyrëshit), ka thënë i Dërguari All-llahut [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të]: “Namazet më të rënda për munafikët janë namazi i jacisë dhe namazi i sabahut.”
Ndërsa për besimtarin namazi nuk është aspak i rëndë, siç thotë All-llahu ne Kur’an: “Dhe ndihmoni vetes tuaj me durim e me namaz, ajo është e vështirë pos për ata që e kanë frikë All-llahun, që janë të bindur se do ta takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” (Bekare, 45-46)
Pra, namazi nuk është i vështirë për këto njerëz, por është i lehtë, siç ka thënë i Dërguari All-llahut [Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të]: “Kënaqësia ime më e madhe është në Namaz.”
Domethënë: Morali i mirë ndaj All-llahut sa i përket namazit është që ky ibadet të kryhet me zemër të çiltër dhe të hapur, me kënaqësi dhe duke u gëzua gjatë qëndrimit në namaz. Dhe e pret kur afrohet koha e tij, sa e falë namazin e sabahut e pret me padurim namazin e drekës, sa e falë namazin e drekës e pret me padurim namazin e ikindisë, sa e falë namazin e ikindisë e pret me padurim namazin e akshamit, kur e falë namazin e akshamit e pret me padurim namazin e jacisë, kur e falë namazin e jacisë e pret me padurim namazin e sabahut, kështu që zemra yte tërë kohën është e lidhur me namazet ditore e kjo padyshim është prej moralit të mirë ndaj All-llahut.
Shembull tjetër: Në marrëdhënie mes njerëzve është ndalimi i Kamatës. All-llahu, subhanehu ue teala, e ka ndaluar kamatën për robërit e Tij siç thotë në Kur’an: “All-llahu e ka lejuar tregtinë, kurse e ka ndaluar kamatën.” Dhe për të thotë: “Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i Tij dhe i shmanget kamatës dhe heq dorë, i takon ajo që e ka fituar më parë. Çështja e tij është tek All-llahu. Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorët te zjarrit ku do të mbesin përgjithmonë.” (Bekare 275)
Ky është kërcënim me qëndrim të përhershëm në zjarr për atë i cili i kthehet kamatës pasi që i ka ardhur këshilla dhe e kupton dispozitën e kamatës, All-llahu na ruajt.
Besimtari e pranon këtë dispozitë me zemër të hapur, me pajtim dhe me përulje, kurse ai që nuk është besimtarë nuk e pranon këtë dispozitë dhe i ngushtohet gjoksi i tij, bile ndoshta bën hile të ndryshme (që të arrijë deri te kamata), sepse ne e dimë (arsyetohet ky person) se kamata është fitim i sigurt dhe nuk ka rreziqe për humbje. Por në realitet (nuk është siç thotë ai), sepse njëri person fiton, ndërsa tjetrit i bëhet padrejtësi. Për këtë shkak ka thënë All-llahu: “E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kapitali juaj, në këtë mënyrë nuk i bëni padrejtësi askujt e as u bëhet padrejtësi juve.” (Bekare, 279)
3: Pranimi i caktimit të Tij duke duruar dhe duke u pajtuar me të.
Kjo është çështja e tretë prej moralit të mirë ndaj All-llahut dhe ne të gjithë e dimë se caktimet e All-llahut të cilat i bën te krijesat e veta nuk ju përshtaten atyre gjithmonë. Pra, a na përshtatet neve çdo caktim i All-llahut? Kjo domethënë se shpirtrat tonë anojnë kah ajo që e duan. Sëmundja për shembull, nuk i përshtatet njeriut, sepse njeriu dëshiron që të jetë i shëndoshë, poashtu edhe gjithashtu varfëria nuk i përshtatet njeriut, sepse ai dëshiron të jetë i pasur, sikurse edhe injoranca që nuk i përshtatet njeriut, sepse dëshiron që të jetë i ditur. Por caktimi i All-llahut është i llojllojshëm, ka prej tij që i përshtatet njeriut, rehatohet me të, i përshtatet natyrës së tij dhe ka prej tij që nuk i përshtatet njeriut, pra cili është morali i mirë ndaj caktimit të All-llahut?
Morali i mirë ndaj Caktimit të All-llahut është që të pajtohesh me atë që ta ka caktuar All-llahu, të qetësohesh me të dhe ta kesh të qartë se All-llahu nuk cakton diçka përpos që në të ka urtësi dhe ndonjë qëllim madhështor dhe All-llahut i takon falënderimi.
Në bazë të kësaj morali i mirë ndaj All-llahut, ndaj Caktimit të Tij është që të pajtohesh me atë që të është caktuar dhe ti dorëzohesh All-llahut duke qenë i qetë, për këtë shkak All-llahu i ka lavdëruar durimtarët duke thënë: “…dhe ti përgëzoi durimtarët të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të All-llahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (Bekare, 155)
“Morali i mirë” – Ibn el-Uthejmin
Përktheu: Mirsad Hamiti