Motër, kujdes Ujqit!

by Uniteti-Admin

 Ujqit…!?

Po motër, ujqit nga njerëzit të cilët të buzëqeshin në fytyrë ndërsa në mendjet e tyre ti figuron si një copë mishi të cilin duan ta asgjësojnë.

Por, edhe pse ka të tillë, Islami nuk e anashkaloi këtë problem, nuk të la të vetmuar, nuk të la të harruar, por i qëndroi ballë për ballë kësaj egërsire.

Motër, a nuk e ke ditur se Kur’ani dhe hadithet e Profetit [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] janë përplot me ligje që kanë të bëjnë me çështjen e gruas dhe kjo vetëm me një qëllim që ti të jesh e lumtur, të jesh një femër besimtare e sinqertë, e suksesshme, e moralshme dhe e pastër para Krijuesit tënd, të mos biesh viktimë, por të jesh gjithmonë krenare dhe e shtrenjtë.

Motër, ti je e shtrenjtë, ti kushton shumë, ti s’mund të blihesh me të holla. Me qëllim që të jesh e mbrojtur Allahu i Madhëruar të ka urdhëruar që të mos bredhësh rrugëve pa nevojë dhe të qëndrosh në shtëpinë tënde, prandaj mos e kundërshto urdhrin e Krijuesit tënd, sepse Ai e din çka është më e mirë për ty.

Thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepni zekatin dhe respektojeni Allahun dhe të dërguarin e Tij.” (Ahzab: 33)

Motër e nderuar dëgjo çka thotë Muhammedi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] për këtë çështje: “Gruaja është auret, e kur të dalë nga shtëpia, atë e udhëheq shejtani, dhe më së afërmi ndaj Allahut është kur ajo është në shtëpinë e saj.” (Tirmidhiu)

Thotë Ibn Mesudi [Allahu qoftë i kënaqur me të]: Gratë janë auret nëse ato dalin nga shtëpia e tyre duke mos pasur nevojë, atë e udhëheq shejtani dhe i thotë: Ti nuk do të kalosh pranë asnjë mashkulli vetëm se do të pëlqejë. Gruaja kur vishet për të dalë nga shtëpia pyetet: Ku shkon? Ajo thotë: Do të dal që ta vizitoj një të sëmurë, apo të fali xhenaze apo të falem në xhami. Ndërsa ajo nuk e din se nuk ka vend më të mirë për ta adhuruar Allahun sesa në shtëpinë e saj. (Kështu përfundon thënia e Ibn Mesudit)

Motër, a nuk është namazi vepra më e mirë për të cilën del gruaja nga shtëpia, megjithatë Muhammedi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] na ka bërë të qartë se namazi i saj në shtëpi është më i vlefshëm sesa namazi i saj në xhami.

Në vijim do të lë me një ngjarje nga një grua besimtare e cila quhet Ummu Humejd es-Saidij e cila ka ardhur te Muhammedi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] dhe i ka thënë: O i Dërguari i Allahut unë dëshiroj që të falem me ty në xhami.

Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] i përgjigjet: “Unë e kam kuptuar se ti dëshiron të falesh me ne, por namazi yt në dhomën e fjetjes është më i mirë se

namazi yt në dhomën e ndejës, namazi yt në dhomën e ndejës është më i mirë se namazi yt në shtëpinë tënde, namazi yt në shtëpinë tënde është më i mirë sesa namazi në xhaminë e mëhallës, namazi yt në xhaminë e mëhallës është më i mirë për ty se sa namazi në xhaminë time.” (Transmeton Ahmedi)

Motër, a e din pse Allahu dhe i Dërguari i tij kanë thënë kështu, vetëm që ti të jesh e ruajtur dhe e mbrojtur dhe të qëndrosh në një vend të sigurt ku nuk mund të depërtojnë kurthet e dashakeqëve.

Një poet thotë:

Meshkujt të cilët shikimet e  tyre

ndaj grave pandërprerë i hedhin,

janë sikur egërsirat që rreth mishit bredhin,

sikur luanët të mos e ruajnë këtë mish mirë,

do ta hanë egërsirat duke mos pasur aspak mëshirë.

 

Motër, tërë kohën që ke bredhur rrugëve a më tregon çfarë ke fituar, a e ke kënaqur Krijuesin tënd, a e ke ruajtur nderin tënd, a e ke ruajtur bukurinë për burrin tënd, apo ia shpërndave çdokujt që e kërkoi?

Unë e di se i ke të njohura rastet e shumta ku pësuan femrat dhe askush nuk u përgjigj për ta dhe askush nuk vuajti përpos tyre, por nuk do të nguroj që edhe unë në pika të shkurta ta paraqes një rast të këtillë nga një vajzë e cila tash është penduar dhe e ka kuptuar se Ai çka ia dëshiron dhe çdoherë ia ka dashur të mirën është Allahu, e cila ndër të tjerat thotë: “U takova me një djalë në qytet, shikimet e tij nuk më lenin të qetë dhe kështu dalëngadalë rashë pre e kurtheve të tij. Që nga fillimi me fliste për dashurinë, se si do të martohemi, si do të kemi jetë të lumtur, si do të jemi çifti më i lumtur në botë, si të tjerët do të na kenë zili… por në fund, pasi që u shfrytëzova në të keqe, çdo gjurmë e tij u humb, çdo fjalë që ma premtoi u harrua, çdo gëzim u shua…!!! Motër, a thua ku mbeti dashuria që ma thoshte? Fjalët e ëmbla që mi rreshtonte, telefoni që nga thirrjet asnjëherë nuk pushonte…?”

Ah, sa raste të këtilla u ndodhin vajzave tona që bien viktimë e “ujqërve” që bredhin rrugëve të qytetit tonë!!!

Motër… mendo para se të dalësh nga shtëpia dhe të bredhësh nëpër rrugë, a është në dobinë tënde apo në dëmin tënd, a e kënaq Krijuesin tënd apo e hidhëron? A ke harruar se kush është Ai që ta dha bukurinë? Kush është Ai që ta dha shëndetin, kush është Ai që ta dha shikimin, kush është Ai që të furnizon, kush është Ai që më shumë se çdokush tjetër të donë, ndërsa ti Atë e kundërshton dhe mëshirën e Tij nuk e pranon.

Prandaj motër ke kujdes nga shoqëria e keqe, sepse hap pas hapi do të arrish në një situatë që asnjëherë nuk e ke menduar dhe do të shpresosh të kthehesh prapa, por kthim prapa s’ka!!!

 

Pjesë e shkëputur nga libri “Motër muslimane”

Autor: Senad Ramadani

Të tjera