Muajt e shenjtë

by Uniteti-Admin

Falënderimi i takon Allahut, ndërsa paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Pejgamberin e fundit, familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që rrugën e këtij Pejgamberi deri në Ditën e Gjykimit e pasojnë.

Prej gjërave në të cilat qartë duket mëshira e Zotit ndaj neve, janë përiudhat e vitit gjatë së cilave shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet, periudha kohore gjatë së cilave ne e shtojmë Imanin tonë, e përmirësojmë veten, stolisemi me virtyte të mira dhe me këtë i ngrisim gradat tona në Ahiret. Thotë Allahu:

(( إِنَّ عِدَّةَ الشُّهُورِ عِنْدَ اللَّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا فِي كِتَابِ اللَّهِ يَوْمَ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ فَلَا تَظْلِمُوا فِيهِنَّ أَنْفُسَكُمْ ))

“Me të vërtetë, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, prej ditës që i ka krijuar qiejtë dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë; ky është besim i drejtë. E, në to, mos i bëni vetes zullum!”[1]

“…katër prej tyre janë të shenjtë…”, ata janë: Rexheb, Dhul Ki’deh, Dhul Hixhxheh dhe Muharrem, tre të fundit janë të njëpasnjëshëm.

Këto muaj ishin të shenjtë edhe tek arabët përpara Islamit, kështuqë me ardhjen e Islamit, Allahu e vërtetoi shenjtërinë e këtyre muajve brenda kufijve të Fesë së Tij. Muaji Rexheb është muaji i shtatë i kalendarit hënor, kështuqë arabët e xhahilijetit e kishin llogaritur të shenjtë me qëllim që njerëzit të kenë mundësinë e vizitës së Qabes edhe gjatë vitit, d.m.th. jashtë tri muajve tjerë të shenjtë të njëpasnjëshëm, ngase gjatë këtyre muajve e kishin të ndaluar luftën edhe ju jepej mundësia e lëvizjes lirisht nëpër Gadishullin Arabik. Ndërsa tre muajt e njëpasnjëshëm janë kështu ngase një muaj është për ata që udhëtojnë drejt Qabes për kryerjen e Haxhit, një muaj për adhurimet e Haxhit dhe për qëndrim ne Meke, ndërsa muaji Muharrem është që njerëzit të kenë mundësinë lirshëm të kthehen nëpër vendet e tyre.

Edhe pse dihet nga historia, edhe atë me dëshmi Kura’nore se arabët e xhahilijetit nuk ishin të përpiktë në përmbajtjen e këtyre rregullave, sepse çdoherë kur ata i kaplonte skamja, apo ndonjë sprovë tjetër, e shpallnin ndonjë muaj të vitit si të shenjtë me qëllim që njerëzit të fillojnë të bëjnë Haxh, gjë e cila atyre u sjellte të mira materiale.

Muajt e shenjtë janë rast i mirë për secilin besimtarë që t’i kthehet Allahut dhe të mundohet të jeton ashtu siç dëshiron Allahu prej robit të Tij.

Rast i mirë për ndryshim

Në këto muaj është Dita e Ashura-së, dita e dhjetë e muajit Muharrem dhe për vlerën e kësaj dite na tregon hadithi i ebu Katade el-Ensariut në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) është pyetur për agjërimin e kësaj dite dhe tha: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit aktual”.

Prej rasteve më të mira për ndryshim gjatë këtyre muajve është një periudhë në të cilën njerëzit i përgjigjen thirrjes së Allahut për kryerjen e një prej pesë shtyllave të Islamit, i përgjigjen thirrjes së Allahut në kryerjen e Haxhit për hir të Tij, ndërsa prej ditëve të Haxhit janë dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhxhe, për të cilat thotë Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem), në hadithin që e transmeton Buhariu dhe të tjerë: “Nuk ka ditë, që puna e mirë në to, të jetë më e dashur tek Allahu sesa këto dhjetë ditë.” Ata (Sahabët) thanë: “As Xhihadi në rrugë të Allahut?” Ai tha: “As Xhihadi në rrugë të Allahut, përveç njeriut i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij, dhe nuk kthehet prej saj me asgjë.”

Madje Allahu është betuar në netët e këtyre dhjetë ditëve, thotë Allahu: ((وَالْفَجْرِ. وَلَيَالٍ عَشْرٍ ))

“Pasha agimin. Pasha dhjetë netët.”[2] Allahu është betuar në to për shkak të pozitës dhe vlerës së tyre, ngase Ai betohet për kë të dojë nga krijesat e Tija dhe nuk betohet veçse në ndonjë gjë që ka vlerë, i kthen robërit tek ajo (për të cilën është betuar). Ai është betuar në to për shkak të pozitës dhe vlerës së tyre, në mënyrë që robërit t’u kushtojnë vëmendje atyre.

Nuk duhet harruar se prej këtyre ditëvë është edhe Dita e Arafit, e cila është dita më e mirë e vitit, andaj Muajt e shenjtë janë rast i mirë që robi t’i tregon Allahut dëshirën e tij për të ndryshuar.

E, në to, mos i bëni vetes zullum!”[3]

Allahu na ka ndaluar nga zullumi (padrejtësia) gjatë këtyre muajve, edhe pse ndalesa nga padrejtësia vlen për çdo muaj të vitit, mirëpo mëkatet gjatë kësaj periudhe dhe padrejtësia peshojnë më shumë dhe janë më të shëmtuara sesa mëkatet dhe padrejtësia gjatë muajve tjerë.

Zullumi i përmendur në këtë ajet përfshin çdo lloj të tij, nga zullumi më i madh, e ajo është Shirku në Allahun, deri në padrejtësinë më të vogël të njeriut, qoftë ajo mes tij dhe vetes së tij, apo mes tij dhe krijesave tjera të Allahut.

Kjo periudhë është rast i mirë që besimtari të fillon me disa nryshime në jetën e tij, ngase ndryshimi nuk vjen derisa ne të fillojmë të nryshojmë me veprat tona, andaj duhet që muslimani ta din vlerën, pozitën dhe ndikimin e këtyre ditëve në jetën e muslimanëve, ngase ato me të vërtetë janë rast i mirë për ndryshim.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin e Tij.

 

Përktheu: Ali Ashani

 

[1] Et-Teube,36

[2] El-Fexhr,1-2

[3] Et-Teube,36

Të tjera