Pse zakonisht shumica prej nesh jemi vonë, jo vetëm për punë ose shkollë, por në shumë aspekte tjera të jetës?
Një nga zakonet më të vështira për tu zotëruar prej shumë njerëzve është menaxhimi i kohës dhe të qenurit i përpiktë në atë që e planifikon.
Shumë prej njerëzve mashtrojnë veten dhe të tjerët se ajo që ju vjen në jetë sikurse: kujdesi për fëmijët, gatimi, pastrimi i shtëpisë, mikpritjen e mysafirëve e të gjitha këta janë të vështira dhe nuk kemi aspak kohë në dispozicion për veten tonë. Kjo nuk ndodh vetëm tani që jemi bërë baresha të shtëpisë (udhëheqëse të shtëpisë), mirëpo ketë e kemi hasur shpesh edhe kur kemi qenë vonë në shkollë si fëmijë, duke vrapuar nëpër shtëpitë tona për të kërkuar detyrat e shtëpisë ose këpucët, lojërat etj. Por, më e rëndësishmja se çfarë mund të bëjmë ne si grua e një shtëpije për familjen dhe për veten tonë, për të thyer ketë cikël të zvarritjeve të përhershme dhe vonesave të vazhdueshme? Për të qenë të suksesshëm në këtë aspekt duhet te mundohemi t’i përmbahemi disa këshillave:
Të qenurit i përpiktë në çdo gjë e sidomos në namazet ditore
Të qenurit i përpiktë në çdogjë e sidomos në namazet ditore dhe në çdo gjë që bëjmë, prej momentit kur zgjohemi. Prioriteti ynë duhet të jenë afatet dhe terminet kohore, sepse realisht janë pak gjëra ose nuk ka asnjë, që nuk kërkojnë ose nuk do të përfitojnë prej përpikshmërisë sonë.
Kryerja e detyrave me rregull
Kjo është fusha më e zakonshme e zvarritjeve që është e pranishme tek shumica. Ndonjëherë disa prej nesh punojnë me cilësinë “do e bëj më vonë” dhe fillojnë t’i zvarrisin obligimet, duke filluar prej atyre të zakonshmeve deri tek ato me të rëndësishmet.
Shembull: Ne vazhdojmë të mbushim shportën me rroba të palara deri sa ato e mbulojnë atë, ne lejojmë që enët të grumbullohen në lavaman deri sa të na japin atë ndjesi neverie në stomakun tonë. Rrijmë zgjuar gjatë orëve të natës një ditë para provimit, sepse deri në momentin e fundit nuk kemi mësuar. Në fakt, ne mund të lëmë anash çdo gjë, të gjitha punët, të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë. Por realisht a duhet?
Jo, përkundrazi ne duhet të mundohemi t’i kryejmë obligimet tona sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo është më së miri për ne në disa aspekte:
- Ne mund ta përfundojmë atë që është me primare, dhe të vazhdojmë me obligimet tjera.
- Ne mund ta bëjmë një punë më së miri nëse i japim vetes kohë të mjaftueshme.
- Mund të bëhemi shembull i mirë për familjarët, se me sa seriozitet jemi të përcaktuar në realizimin e obligimeve tona. Nëse ata shohin se kemi zvarritje, edhe ata mund të ndikohen negativisht prej veprimeve tona dhe ndoshta neglizhenca do të përhapet edhe tek ata.
- Shpejtësia në veprim shpie në qëndrueshmëri
Si një grua përgjegjëse për shtëpinë, ka shumë obligime që janë barrë mbi supet tona. Nëse arrijmë të shmangim zvarritjen e gjërave, mund ta parandalojmë atë ndjesinë sikur çdoherë jemi duke mbetur prapa, si në punët tona të shtëpisë, në shkollë, në detyrimet tona, praktikisht në gjithçka që do të dukej e tepërt për ne.
Përpikshmëria në adhurime
Detyrat dhe obligimet shtëpiake sado të shumta që janë nuk duhet të na ndalojnë të adhurojmë Allahun në kohën e duhur dhe me qëllimet e duhura.
Kjo i referohet posaçërisht namazit. Kryerja e namazit në kohën e caktuar dhe me bindje është thelbësore për të jetuar me një zemër të gjallë duke dhënë shembullin më të mirë për familjarët tanë.
Një nga gjërat e para që e bëjmë çdo mëngjes është namazi i sabahut që na motivon të zgjohemi dhe të dalim para Krijuesit tonë. Zgjohemi me orar të caktuar apo? A nuk është kjo njëfarë lloji i vetdiciplinës, ngaqë synimi jonë është të mos e falim me vonesë, sepse ne e dimë se kur është pyetur Pejgamberi (salAllahu alejhi ue sel-lem) se cila është vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar? Ai tha: Namazi në kohën e vet. (Buhariu dhe Muslimi) Përpjekja për të qenë i përpiktë para Krijuesit a nuk është një arsye që ne muslimanët të menaxhojmë kohën që Allahu u betua në të, të zgjohemi herët, sepse bereqeti i ditës është në mëngjesin e hershëm. Ne që arrijmë të dalim në kohë para Krijuesit pesë herë në ditë mund të bëjmë shumë e shumë, pasiqë Allahu është i kënaqur me ne.
Në mënyrë që dita mos të na duket e mbingarkuar, rëndësia e menaxhimit të kohës ka shumë rëndësi Menaxhimi i kohës duhet të bëhet për dy arsye madhore të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën.
- Menaxhimi i kohës duhet të bëhet, sepse mungesa apo padija e menaxhimit është burimi kryesor i stresit si në punë ashtu edhe në jetën e përditshme, dhe zhvillon ndjenjën se duhet bërë shumë punë, për një kohë shumë të shkurtër
- Menaxhimi i kohës është i rëndësishëm që të krijojë strategjitë e duhura për të gjetur kohën për të kryer të gjitha aktivitetet me sukses për të pasur një performancë të mirë në punën tonë. Jo vetëm kaq por edhe shumë arsye tjera për të cilat shumë njerëz janë neglizhent ndaj tyre
Përktheu: H. Mustafi