MUXHAHID IBN XHEBR

by Uniteti-Admin

Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë All-llahut, paqja dhe mëshira e Tij qofshin

mbi të dërguarin tonë Muhammed, salallahu alejhi ue selem, familjen e tij dhe shokët e tij.

 

1.     BIOGRAFIA E MUXHAHID IBN XHEBR

Ebu el-Haxhaxh[1] Muxhahid ibn Xhebr, el-Mekij, el-Kurashij, el-Makhzumij, robi i Seib ibn ebi Seib el-Makhzumij, jetoi në shekullin e parë të hixhretit, gjegjësisht u lind në vitin 21 hixhrij, në periudhën e khilafetit të Omer ibn el-Khatabit, dhe vdiq në vitin 102 h[2], në moshën 81 vjeçare.

Nuk dihet në lidhje me familjen dhe prejardhjen saj për arsye se ishte një familjen skllevërish dhe nuk ju kushtohej rëndësi atyre. Poashtu nuk dihet as për periudhën e rinis së tij e as për ndonjë punë që e bënte[3].

Muxhahidi njihej edhe për udhëtimet e tija të shumta, prej tyre në Konstadinopojë, Kufa dhe Egjipt. Arsyeja e udhëtimit të tij drejt Konstadinopojës dallon prej udhëtimeve të tjera. Ai udhëtoi përkrah ushtrisë myslimane për ta çliruar Konstadinopojën nën komandën e Muselimah ibn Abdulmalikut. Transmetohet se ai udhëtoi drejt Egjiptit ku edhe takoi shumë dijetar prej të cilëve përfitoji dituri. Ai u shpërngul edhe në Kufa të Irakut dhe qëndroi për një kohë të gjatë.

Ai vdiq në Meke duke qenë në sexhde, në vitin 102 H.

 

1.1        Cilësitë e Muxhahidit

Muxhahidi, kishte njohuri të mprehtë për vlerat islame dhe u përpoq të jetonte në përputhje me këto vlera. Ai ishte shumë modest në paraqitjen e tij, por kur fliste fitonte respektin e të tjerëve. El-A’mash, thotë: “Kur e shihje Muxhahidin, dukej i përulur, si një kujdestar të cilit i ka humbur gomari i tij dhe shqetësohej për këtë, mirëpo kur fliste nga goja e tij dilnin perla “.[4]

El-A’mash poashtu thotë: “Kur e shihje Muxhahidin dukej i shqetësuar dhe kur u pyet për këtë, tha: “Abdullah ibn Omeri më kapi për dore dhe tha: “Pejgamberi salallahu alejhi ue selam me kapi për dore dhe tha: “Ji në këtë bote si një i huaj ose një udhëtar.[5]

 

2          MUXHAHIDI DHE TEFSIRI

Muxhahidi rahimehullah shfrytëzoi mirësinë e kohës në të cilën po jetonte duke përfituar nga ajka e sahabeve, qoftë nga edukata e tyre, qoftë nga dituria e gjerë e tyre, kështu ai u bë nxënësi më i dalluar i Abdullah ibn Abbasit radiAllahu anhu, nga i cili mësoi Kur’anin, tefsirin dhe fikhun.[6] Transmeton Muhammed ibn abdilah el-Ensarij nga Ebu Lejth el-Fadl ibn Mejmun se ka thënë: “Kam dëgjuar Muxhahidin duke thënë: ‘Kam lexuar Kur’anin para Ibn Abasit tridhjetë herë.’” Ndërsa transmeton Ibn Is’haku nga Eban ibn Salih se Muxhahidi ka thënë: “Kam lexuar Kur’anin para ibn Abasit tri herë duke ndaluar për çdo ajet dhe duke e pyetur për shkakun e zbritjes, për vendin e zbritjes dhe për kuptimin e tij.”[7] Imam Dhehebiu ka bashkuar mes këtyre transmetimeve duke thënë se transmetimet të cilat tregojnë diçka me të paktë nuk i mohojnë transmetimet që tregojnë diçka më të shumtë kështu që ka mundësi që Muxhahidi të këtë lexuar para ibn Abasit tridhjetë herë duke përfituar në aspekt të texhwidit dhe bukurisë së leximit, pastaj ka lexuar edhe tri herë tjera duke kërkuar komentimin e ajeteve dhe detajeve që fshihen brenda ajeteve.[8]

Duke pasur parasysh këtë fakt, nuk është për të çuditur se Muxhahid ibn Xheber ishte Imami i mufesirinëve të tabiinëve, dhe nuk habitemi nga lëvdatat e dijetareve të hershëm dhe të mëvonshëm për Muxhahidin, sidomos në aspekt të shkencës së tefsirit.

 

2.1        Disa prej lëvdatave të dijetarëve drejtuar Muxhahidit

Thotë Sufjan eth-Theuriju rahimehullah: “Merreni tefsirin nga katër persona: Muxhahidi, Said ibn Xhubejri, Ikrime dhe Dahaku.” Thotë Khusajfi rahimehullah: “Muxhahidi ishte më i dituri prej tyre në tefsir.”

Thotë Katade: “Mbeti Muxhahidi më i dituri në tefsir.”

Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Të dëgjoj nga Muxhahidi dhe të them dëgjova Muxhahidin është më e dashur për mua sesa familja dhe pasuria ime.”[9]

Ka thënë Selimetu ibn Kuhejl: “Nuk kam parë dike i cili dëshiron fytyrën e Allahut me këtë dituri sikur A’ta-ja, Tausi dhe Muxhahidi.”[10]

Gjithashtu thotë eth-Theuriju: “Nëse të vjen tefsiri i Muxhahidit, mjaftohu me të.”[11]

 

3          MUXHAHIDI DHE HADITHI

Tefsiri nuk ishte lëmia e vetme me të cilën dallohej Muxhahidi. Ai kishte një pozitë të lartë edhe në aspekt të hadithit, për hifdhin dhe besueshmërinë e të cilit kanë dëshmuar ata prej të cilëve transmetonte dhe ata të cilët transmetonin prej tij.

Në librin madhështor të Ibn Kethirit “El-Bidajeh ue en-Nihajeh” (9/224) përmendet se Muxhahidi ka thënë: “Me kapi për gjunjësh ibn Omeri dhe me tha: Do të doja që biri im Salimi dhe robi im Rafiu t’a bartin atë që e bartë ti (Të dinë atë që e din ti).”

Përmendet në librin “Tehdhib et-Tehdhib” të ibn Haxher el-Eskalanit se Ibn Meini dhe Ebu Zura’h kanë thënë për Muxhahidin se është i besueshëm (në gradën më të lartë të besueshmërisë- Thikah). Pastaj thotë el-Axhlij: Është Mekas, Tabiij, i besueshëm. Dhe thotë Ibn Sad dhe Jahja ibn Said el-Katan: Ishte (Muxhahidi) i besueshëm, fekih, dijetar i cili barte shumë hadithe. Ndërsa Ibn Hibani thotë: Fakih, i devotshëm.[12] Ka thënë Ebu Nuajm se ka thënë Jahja el-Katan: “Merasilet e Muxhahidit janë shumë më të pëlqyera tek unë se merasilët e Atas.” Ka thënë Ebu Ubejd el-Axhurij: “I thash Ebi Dvudit: Merasilet e Atas janë më të dashura tek ti apo merasilët e Muxhahidit?” Tha: Merasilët e Muxhahidit.”[13]

Gjithë autorët e suneneve kanë nxjerr prej tij ( hadithe) dhe Imam Shafiu është mbështetur tek ai në musnedin e tij dhe ka nxjerr nga ai njëzet hadithe.[14] Në dy sahihet gjenden tetë hadithe të Muxhahidit të transmetuara nga Ibn Omeri, ku për tre prej tyre janë pajtuar Bukhariu dhe Muslimi, me tri hadithe tjera është veçuar Bukhariu dhe me dy hadithe është veçuar Muslimi.

Muxhahidi ka transmetuar nga figurat e shquara të sahabeve, prej tyre: Nga ibn Abbasi, Alij ibn ebi Talib[15], Sad ibn ebi Vekas, nga katër Abdullahat[16], nga Rafi’ ibn Khadixh, nga ebu Said el-Khudriju, nga Ebu Hurejra, nga Xhabir ibn Abdilah, nga ebu Ubejde ibn abdilah ibn Mes’ud, nga Aisha, nga umm Hani radiAllahu anhum exhmain,  e shumë të tjerë.

Nga Muxhahidi transmetuan: Ikrime, Ata ibn ebi Rabeh, Taus ibn Kejsan, Ejub es-Sekhtajeni, Hamad ibn ebi Sulejman, Khusajf ibn abdirahmen el-Xhezerij, ebu Shejbe Said ibn abdirahman ez-Zubejdi, Said ibn Mesruk eth-Theurij, Sulejman el-Amesh, Abdullah ibn Kethir ed-Derij, Abdullah ibn Nexhih el-Mekij, Abdulaziz ibn Omer ibn abdilAziz, Ubadetu ibn ebi Lubebe, Uthman ibn Mugira eth-Thekafij, ebu Lejth el-Fadl ibn Mejmun, Katade ibn Duameh rahimehumullah e shumë të tjerë.[17]

 

4          DISA NGA THËNIET E MUXHAHIDIT

– “Njeriu nuk arrin të jetë prej tyre që e përmendin Allahun shpesh, derisa ta përmend Allahun kur është në këmbë, ulur dhe shtrirë (në çdo gjendje).”

– “Fakih është ai i cili i frikësohet Allahut edhe nëse ka dituri të paket, ndërsa injorant është ai i cili i bënë gjynah Allahut edhe nuk ka dituri të shumtë.”[18]

– “Kur robi e pranon Allahun me zemrën e tij, Allahu e bënë të pranuar atë në zemrat e besimtareve.”[19]

– “ Filluam ta kërkonim diturinë pa nijet pastaj u begatuam me të”[20]

5          REFERENCAT

“Tefsir el-Imam Muxhahid ibn Xhebr”, i Muhamed Abdu es-Selam ebu en-Nail

“Sijer ea’lem en-Nubele” i Imam Dhehebiut

“Tehdhib el-Kemal”, i Xhemal ed-Din El-Mizzi

 

Punim i një prej nxënëseve në Institutin Islam Ikra.

[1] Kun’ja e Muxhahidit

[2] Ka permendur Imam Dhehebiu ne librin “Sijer ea’lem en-Nubele” se Ibn Hibani ka thene se Muxhahidi ka vdekur ne Meke, ne vitin 102 apo 103 H duke qene ne sexhde, ndersa u lind ne vitin 21H. Ndersa Jahja ibn Said el-Katan thote se ka vdekur ne vitin 104H.

[3] Nga libri “Tefsir el-Imam Muxhahid ibn Xhebr”, i Muhamed Abdu es-Selam ebu en-Nail, fq. 78

[4] Po ketu, fq. 80

[5] Po këtu, fq. 81

[6] Nga Libri “Sijer ea’lem en-Nubele” i Imam Dhehebiut, fq. 3603

[7] Po këtu

[8] Nga libri “Tefsir el-Imam Muxhahid ibn Xhebr”, i Muhamed Abdu es-Selam ebu en-Nail, fq. 85

[9] Nga Libri “Sijer ea’lem en-Nubele” i Imam Dhehebiut, fq. 3604

[10] Nga libri “Tehdhib el-Kemal”, i Xhemal ed-Din El-Mezi, 14624

[11] Nga libri “Tefsir el-Imam Muxhahid ibn Xhebr”, i Muhamed Abdu es-Selam ebu en-Nail, fq. 84

[12] Nga libri “Tefsir el-Imam Muxhahid ibn Xhebr”, i Muhamed Abdu es-Selam ebu en-Nail, fq 95.

[13] Nga libri “Tehdhib el-Kemal”, i Xhemal ed-Din El-Mezi, fq.14623

[14] Nga libri “Tefsir el-Imam Muxhahid ibn Xhebr”, i Muhamed Abdu es-Selam ebu en-Nail, fq. 95

[15] Imam Dhehebiu ne “Sijer Alem en-Nubele”, fq.3607 permend se Ibn Khirashi ka thene: Hadithet e Muxhahidit nga Aliu dhe Aisha radiAllahuanhuma jane merasile.

[16] Abdullah ibn Abbas, Abdullah ibn Mes’ud, Abdullah ibn Amer , Abdullah ibn Omer.

[17] Nga libri “Tehdhib el-Kemal”, i Xhemal ed-Din El-Mezi, fq. 14619-14622

[18] Nga libri “Tefsir el-Imam Muxhahid ibn Xhebr”, i Muhamed Abdu es-Selam ebu en-Nail, fq.82

[19] Po ketu

[20] Nga Libri “Sijer ea’lem en-Nubele” i Imam Dhehebiut, fq 3605

Të tjera