Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Aishja posedonte një perde me të cilën e mbulonte një pjesë të shtëpisë. Pejgamberi ﷺ i tha: “Na e largo këtë perde, sepse vizatimet e saj po më paraqiten vazhdimisht në namaz.” (Buhariu 374)
Në këtë hadith të shkurtë rrëfehet gjendja e namazit të Pejgamberit ﷺ në shtëpinë e tij dhe paraqet hadithi një problematikë me të cilën është ballafaquar vet Pejgamberi ﷺ dhe me të cilën ballafaqohet çdo njeri i cili e fal namazin, e ajo është preokupimi i tij me gjërat të cilat e rrethojnë dhe ndikimi i tyre në shpërqendrimin e robit në namaz.
Namazi para se të jetë adhurim trupor, është adhurim shpirtëror, andaj medoemos të karakterizohet me përkushtim, frikërespekt dhe përqëndrim, sepse besimtari është i bindur që ai qëndron përpara Zotit të tij me këtë ibadet që e bën dhe mundohet që mos ti jep askujt dhe asgjëje hise nga namazi i tij. Jo rastësisht Sheriati na ka urdhëruar si të përgatitemi për namaz, si ta falim atë, çfarë të recitojmë në namaz, kah të kthehemi, ku të shikojmë dhe shumë udhëzime tjera, të gjitha këto janë ligjësuar me qëllim të arritjes së përsosmërisë së gjendjes së namazliut në namazin e tij.
Hadithi qartë na tregon se gjërat të cilat janë përpara njeriut gjatë namazit të tij, ndikojnë në përqendrimin dhe përkushtimin e tij në namaz, përderisa kjo ndodhi me njeriun më të mirë, me të dashurin e Allahut, i cili thoshte për veten e tij: “Më është bërë kënaqësia ime në namaz.” (Nesai 3939, Ahmedi 14069)
Mexhd ibn Tejmije emërtoi kapitullin në të cilin renditi hadithin e Enesit të lartëpërmendur kështu: “Pastrimi i kibles së xhamisë nga gjërat që dekoncentrojnë namazliun.”
Duket qartë nga emërtimi i tij se ajo që vlen për namazin e njeriut në shtëpinë e tij, e njëjta vlen edhe për namazin e tij në xhami, për këtë thotë Sheukani: “Hadithi është dëshmi se është i papëlqyeshëm zbukurimi i mihrabëve dhe gjërave tjera (në xhami) në formë të gdhendjeve, fotografive apo gjerave tjera shpërqendruese dhe që janë në drejtim të namazliut…” (Nejl elEutar 2/173)
Kjo i ndodhi Pejgamberit të Allahut ﷺ, i ndodhi atij i cili ishte shembull në raportin e tij me Allahun, atij i cili karakteristikë më të madhe të namazit të tij e kishte përqendrimin, por i ndodhi me diçka që ne sot nuk e konsiderojmë gjë, me një perde, copë tekstili e cila kishte disa forma dhe ngjyra tepër të thjeshta në të.
Mbetet pyetja ç‘është puna me ne të tjerët, që nuk kemi Imanin e tij dhe që joshemi nga gjërat më të thjeshta, por megjithatë vazhdojmë të jemi neglizhent në këtë çështje, saqë shpesh vet jemi shkak i vendosjes së këtyre gjërave përpara neve, qoftë kjo nëpër shtëpitë apo nëpër xhamitë tona.
Gjejmë gjëra shpërqendruese në tepihët tonë, të cilët kanë shumë më shumë laramani në forma dhe ngjyra se perdja në drejtimin e së cilës falej Pejgamberi ﷺ, gjejmë gjëra, forma dhe zbukurime tepër joshëse në drejtim të kibles nëpër xhamitë tona, saqë ndonjëherë ia parashtroj vetes një pyetje: Tekstet sheriatike, nxisin në kësi soj zbukurimesh në drejtim të kibles tonë gjatë namazit apo ndalojnë nga diçka e tillë?!
Përgjigja teorike është e ditur, por gjendja faktike flet ndryshe.
Allahu na udhëzoftë në atë që është më e hajrit për ne, në këtë dynja dhe Ahiret.
Përgatiti: Ali Ashani