Namazi i Teravisë me xhemat është Sunet dhe nuk është Bidat

by Uniteti-Admin

Pyetje: A llogaritet namazi i Teravisë me xhemat Bidat, vepër të cilën nuk e ka vepruar Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe se Omer ibn el Hattabi (radijAllahu anhu) është i pari i cili e ka vepruar?

Apo se Teravia është Sunet prej suneteve të Omerit (radijAllahu anhu) dhe nuk është prej suneteve të Pejgamberit?

Përgjigje: Fjala se Teravia ëshët Bidat nuk është fjalë në rregull dhe nuk duhet thënë një gjë e tillë, disa njerëz kanë thënë se Teravia është prej suneteve të Omerit (radijAllahu anhu) dhe për këtë janë argumentuar me faktin se Omeri e ka urdhëruar Ubej bin Ka’bin dhe Temim ed Daarin që njerëzve t’ua falin njëmbëdhjetë rekatë (tetë rekate Teravi dhe tri rekate Namazi i Vitrit) dhe në atë natë në të cilën ai i urdhëroi, doli Omeri (radijAllahu anhu) dhe i pa njerëzit se si falen dhe tha: “Sa bidat i mirë qenka kjo!”. Me këtë janë argumentuar disa dhe kanë thënë se një vepër e tillë sikurse Teravia s’ka ekzistuar më parë…

Mirëpo ky mendim nuk është i vërtetë dhe është mendim i dobët, sepse thënësi i këtij mendimit i ka lënë  anash hadithet që kanë ardhur në Buhari dhe në Muslim dhe të cilat thonë se Pejgamberi “Është falur (Teravi) me shokët e tij tri netë me rradhë, ndërsa në natën e tretë ose të katërt nuk është falur dhe ka thënë: “Jam frikësuar që (Teravia) mos t’ju bëhet farz”. (Transmeton Buhari 872)

Në transmetimin e Muslimit thuhet: “Jam frikësuar që namazi i natës mos t’ju bëhet farz dhe s’do të mund që t’a falni”. (Muslimi 1271)

Pra namazi i Teravisë ka bazë në Sunet të Pejgamberit dhe në të cilat përmendet pengesa në vazhdimin e faljes së Teravisë dhe jo në çështjen e ndalesës së faljes së Teravisë, por frika nga ajo që mos ju bëhet farz Teravia. Me vdekjen e Pejgamberit u shuajt kjo frikë dhe kur vdiq Pejgamberi u ndëprit shpallja (vahji) dhe u largua frika nga ajo se mund që Teravia të bëhet Farz dhe mbeti Teravia si Sunet. (Sherh el Mumti’ – ibn Uthjemini Vëll.4 Fq. 78)

Gjithashtu ka ardhur në Hadith të vërtetë që transmetohet nga Buhari dhe Muslimi në transmetim se Aishja (radij Allahu anha) ka thënë: “Nëse Pejgamberi i Allahut do të linte ndonjë vepër të cilën e ka dashur që t’a veprojë, atë e ka lënë vetëm nga frika që njerëzit të punojnë me atë vepër dhe më pastaj ajo vepër t’ju bëhet obligim (Farz)”. (Buhari 1060, Muslimi 1174)

Thotë për këtë Imam Neveviu: “Në këtë ka sqarim se sa i butë dhe i dhembshëm ka qenë Pejgamberi për Umetin e tij”.

Pra nuk është e vërtetë thënia se Teravia nuk është prej Sunetit të Pejgamberit (sal lAllahu alejhi ue sel-lem), por përkundrazi Teravia është prej Sunetit të Pejgamberit të cilën e ka lënë nga frika që mos t’ju bëhet Farz, pas vdekjes së Pejgamberit erdhi udhëheqës i besimtarëve ebu Bekri (radijAllahu anhu) i cili qëndroi si Halife vetëm dy vite dhe gjatë kësaj kohe të shkurt ishte i zënë me luftimin e felëshuesve që u paraqitën në atë kohë. Kur erdhi si udhëheqës Omeri (radijAllahu anhu) u qetësuan çështjet që i preokuponin muslimanët dhe në këtë kohë Omeri i bashkoi në namazin e Teravisë gjatë Ramazanit ashtusiç janë mbledhur në kohën e Pejgamberit. Dhe atë që e bëri Omeri (radijAllahu anhu) ishte vetëm ngjallje e Sunetit të Pejgamberit.

IslamQ&A

Muhamed Salih el Munexhid

Përktheu: Enis Arifi

Të tjera