Falënderimi i takon Allahut, kurse paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Kjo natë, nata e Beratit apo nata e 15 e Sha’banit, e cila nëpër disa vende të muslimanëve festohet në mënyra të ndryshme dhe llogaritet prej netëve të “mëdhaja”, nuk është edhe aq e madhe kur vjen puna të argumentohemi për të me fjalët e Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), andaj dijetarët që para njëmijë viteve i kanë qartësuar dhe i kanë treguar dobësitë e transmetimeve që kanë të bëjnë me këtë natë. Këtë e kanë bërë që mos të vjen dikush, në ndonjë kohë dhe t’i përshkruaj kësaj feje të pastër gjëra të cilat nuk janë prej saj. Të drejtën absolute dhe ekskluzive të përcaktimi të adhurimeve dhe festimeve në Islam e ka vetëm ligjdhënësi, Allahu apo ai cili flet me shpallje nga ana e Tij, i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem). Për këtë shkak, nëse ne duam që të festojmë ndonjë natë dhe të bëjmë në të ndonjë lloj të adhurimit, së pari duhet të shohim a e ka lejuar këtë adhurim dhe festim Zoti apo nuk na ka lejuar. Nëse kjo natë/ditë dhe këta adhurime e kalojnë këtë filter, atëherë themi se kjo është pjesë e fesë së Allahut, të cilën na ka urdhëruar Allahu që ta praktikojmë. E vetmja mënyrë për ta ditur a është festimi i kësaj nate pjesë e fesë sonë, është që t’i kthehemi Kur’an-it dhe Sunnet-it. Pasi që në Kur’an nuk gjejmë argument për të, atëherë kthehemi në traditën profetike që të shohim se a ka qenë kjo festë pjesë e traditës se muslimanëve në kohën e Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem). Për këtë dijetarët i kanë përmbledhur transmetimet të cilat na kanë ardhur në veçimin dhe festimin e kësaj nate, krejt kjo me qëllim që të filtrohen këta transmetime dhe të vërtetohet se a është festimi i natës së Beratit pjesë e Sunnetit të Muhammedit (salAllahu alejhi ve sel-lem).
Janë transmetuar për natën e 15 të Sha’banit (Beratit) dhe për veçoritë e saj, vlerën ngjalljes së saj me ibadete, vlerën e namazit gjatë kësaj nate dhe agjërimit të kësaj dite, hadithe të shumta, shumica e së cilëve janë të dobëta dhe të pavërteta, derisa ka thënë Ibn el-A’rabi: “Nuk ka ndonjë hadith për natën e 15 të Sha’banit i cili meriton të ndigjohet”[1], thotë Ibn Bazi: “Hadithet e natës së 15 të Sha’banit janë të dobëta”.[2]
Nëse i shohim hadithet e transmetuara rreth kësaj nate, do të vërejmë se ata ndahen në disa kategori apo kuptime:
1- Ngjallja e saj me ibadet.
2- Namazi gjatë kësaj nate.
3- Agjërimi gjatë ditës.
4- Falja e mëkateve.
5- Nuk kthehet lutja e askujt.
6- Lirim nga zjarri.
7- Leximi i sures el-Ihlas.
- Ngjallja e saj me ibadet:
– Hadithi i Muadhit: “Kush i kalon pesë netët në ibadet, i është bërë obligim hyrja në Xhennet.”[3]
– Hadithi i Kirdevs ibn A’mr: “Kush i ngjall me ibadet dy netët para bajrameve dhe natën e 15 të Sha’banit, nuk do t’i vdes zemra atë ditë kur do të vdesin zemrat.”[4]
- Namazi i natës:
– “… më erdhi Xhibrili dhe tha: Kjo natë është nata e 15 e Sha’banit dhe në të ka njerëz të cilët i liron Allahu nga zjarri sa numri i qimeve të dhenve të fisit Kelb[5]. Allahu në këtë natë nuk shikon në një mushrik, në një që urren, në një që i pret lidhjet familjare apo musbil[6], nuk shikon mosrespektuesin e prindërve, atë që pin vazhdimisht alkool…”[7]
– Hadithi i Aliut: “Kur te jetë nata e 15 e Sha’banit, faluni gjatë natës dhe agjëroni ditën, sepse Allahu zbret në qiellin e Tokës në perëndim të diellit dhe thotë: A ka kush që më lyp falje, që ta falë atë? A ka kush lyp furnizim që Unë ta furnuzoj? A ka ndonjë të sprovuar që t’ia largoj sprovën? A ka kështu dhe kështu, derisa të vjen mëngjesi.”[8]
– “…kush fal namaz në këtë natë, Allahu e shikon 70 herë dhe çdo herë që e shikon ia plotëson një dëshirë (nevojë), më e ulta është falja e mëkateve.”[9]
– Poashtu është transmetuar një hadith tjetër në këtë kuptim nga Aliu, hadith të cilin e kanë cilësuar të trilluar, ibn el-Xhevzi dhe esh-Shevkani.
- Agjërimi i kësaj dite:
– Hadithi i Aliut: “Kur te jetë nata e 15 e Sha’banit faluni gjatë natës dhe agjëroni ditën, sepse Allahu zbret në qiellin e Tokës në perëndim të diellit dhe thotë: A ka kush që më lyp falje, që ta falë atë ? A ka kush lyp furnizim që unë ta furnuzoj? A ka ndonjë të sprovuar që t’ia largoj sprovën? A ka kështu dhe kështu, derisa të vjen mëngjesi.”[10]
- Falja e mëkateve në këtë natë:
– Hadithi i Aishes: “Kur të jetë nata e 15 e Sha’banit, Allahu i fal gjynahet edhe nëse janë më shumë se qimet e dhenve të fisit Kelb.”[11]
– Hadithi i Uthman ibn Ebi el-A’s: “Kur të jetë nata e 15 e Sha’banit thërret një thirrës: A ka kush më lyp falje që ta falë atë? A ka kush më lyp diçka që t’i jap. Secili që lyp diçka i jepet, përpos amorales dhe mushrikut.”[12]
- Nuk kthehet lutja e askujt:
– Hadithi i Ebu Umame el-Bahilij: “Në pesë netë nuk kthehet (refuzohet) lutja e dikujt: Nata e parë e Rexhebit, nata e 15 e Sha’banit, nata e Xhumasë, nata e Fitër Bajramit dhe nata e Kurban Bajramit.”[13]
- Lirim nga zjarri:
– Hadithi i Aishes: “Kur të jetë nata e 15 e Sha’banit, Allahu liron (prej muslimanëve) prej zjarrit edhe nëse janë më shumë se qimet e dhenve të fisit Kelb.”[14]
– Hadithi i Aishes: “… më erdhi Xhibrili dhe tha: Kjo natë është nata e 15 e Sha’banit dhe në të ka njerëz të cilët i liron Allahu nga zjarri sa numri i qimeve të dhenve të fisit Kelb. Allahu në këtë natë nuk shikon në një mushrik, në një që urren, në një që i pret lidhjet familjare apo musbil, nuk shikon mosrespektuesin e prindërve, atë që pin vazhdimisht alkool…”[15]
- Leximi i sures el-Ihlas:
– Hadithi i Abdullah ibn Umerit: “Kush e lexon ‘Kul huvAllahu ehad’ njëmijë here në natën e 15 të Sha’banit , në 100 rekate, nuk do të del prej kësaj dynjaje, para se Allahu t’i dërgon në gjum 100 engjuj, 30 prej tyre do ta përgëzojnë me Xhennet, 30 do ta sigurojnë (mbrojnë) prej zjarrit, 30 do ta ruajnë nga të bërit gabime (gjynahe) dhe 10 do të bëjnë intriga kundër armiqëve të tij.”[16]
Poashtu janë transmetuar edhe disa hadithe tjera të dobëta, p.sh në shkruarjen dhe përcaktimin e rizkut dhe këtë natë apo numërimit të shpritërave që do të vdesin atë vit.
- Përfundim:
Dijetarët janë të pajtimit se nuk ka hadith të vërtetë rreth kësaj nate, në asnjë nga kuptimet e haditheve të dobëta të përmendura më lartë dhe shumica e dijetarëve janë të mendimit se hadithi në faljen e mëkateve të të gjithë besimtarëve është i dobët, edhe pse disa prej dijetarëve bashkëkohorë e kanë cilësuar si të mirë apo të vërtetë. Allahu e din më së miri.
Përgatiti: Ali Ashani
Shumica e këtij artikulli është përkthim i një artikulli të përgatitur nga qendra dorar.net.
[1] A’ridatu el-Ahvedhi (2/201).
[2] Mexhmu’u el-Fetava (1/197).
[3] Et-Tergib ve et-Terhib (2/158), ka thënë el-Mundhiri: “Nuk ka gjasa të jetë hadith i mirë”, kurse ka thënë Albani: “I trilluar”.
[4] El-I’lel el-mutenahije të Ibn el-Xhevzit, thotë Dhehebiu: “Munker dhe mursel”, poashtu ka thënë Ibn Haxheri: “Në zinxhirin e transmetuesve është edhe Mervan (ibn Salim) i cili është metruk dhe akuzohet për gënjeshtër në hadith”.
[5] Është përmendur ky fis për shkak të numrit të madh të arabve të cilët janë pjesë e këtij fisi dhe për faktin se një pjesë e madhe e tyre kanë patur dhen.
[6] Musbil: ai mashkull që i lëshon teshat e tij nën kërcik.
[7] Shua’b el-Iman (3/383) dhe Bejhekiu e ka cilësuar si të dobët, poashtu Albani në Daif et-Tergib ve et-Terhib (1651).
[8] Ibn Maxheh (261), Bejhekiu-Shua’b el-Iman (3822), Ibn Rexhebi e ka cilësuar zinxhirin si të dobët në Letaif el-Mea’rif (261), poashtu edhe el-Irakij në Tahrixh el-Ihja (1/273), thotë el-Mizzi në Tehdhiib el-Kemal: “Në këtë zinxhir është Ebu Bekr Muhammed ibn Abdullah ibn Ebi Sebra, ka thënë Ahmedi: Trillon hadithe. Ka thënë Jahja ibn Me’in: Është i dobët në hadith. Ka thënë Buhariu dhe ibn el-Medini: I dobët.” Ka thënë el-A’lai: “I dobët me konsenzusin e transmetuesve.”
[9] Ka thënë el-Irakij në Tahrixh el-Ihja (1/273): “Hadith i kotë”.
[10] Shih fusnotën nr.7.
[11] Ahmedi (26060), Tirmidhiu (739), Ibn Maxheh (2662), Bejhekiu në Shua’b el-Iman (3824). Këtë hadith e ka cilësuar si të dobët Buhariu, Dhehebiu, Ibn Haxheri në Tahrixh el-Keshaf (252) dhe Albani në Daif et-Tirmidhij (5).
[12] Haraiti në Mesavi’ el-Ahlak (490), Bejhekiu në Shua’b el-Iman (3836). Albani e ka cilësuar si të dobët në Daif el-Xhami’ (653) dhe në es-Silsile el-Ehadith ed-Daife (7000).
[13] Ibn A’sakir në T.Dimeshk (10/408) dhe ka thënë: “Në zinxhir është Bundar ibn A’mr er-Revjani, ka thënë en-Nahshij për të: Gënjeshtar.” E ka cilësuar si të dobët poashtu es-Sujuti dhe Albani, bile Albani ka thënë se është hadith i trilluar. Shih Daif el-Xhami’ (2852).
[14] Ibn el-Xhevzi në el-I’lel el-Mutenahije (2/560) dhe ka thënë: “Është veçuar me këtë transmetim Ata’ ibn el-A’xhlan, ka thënë Jahja për të: Nuk është gjë, gënjeshtar, ka transmetuar hadithe të trilluara…” Njashtu ka thënë edhe ez-Zejlei’ në Tahrixh el-Keshaf (3/263).
[15] Shua’b el-Iman (3/383) dhe Bejhekiu e ka cilësuar si të dobët, poashtu Albani në Daif et-Tergib ve et-Terhib (1651).
[16] Ibn el-Xhevzi në el-Mevduat (2/128). E kanë cilësuar si hadith të trilluar Ibn el-Xhevzi, Ibn Tejmije (Minhaxh es-Sunneh (7/39), Ibn el-Kajjimi në Menar el-Munif (78) dhe Dhehebiu në Mizan (3/633).