Fakti se ti bën sa më shumë përpjekje dhe sakrificë në adhurime, kjo nga ana tjetër don të thotë se ti ke më shumë gjasa që të furnizohesh me pasuri hallall. Në këtë kuptim ka ardhur Ajeti Kur’anor ku Allahu thotë: “Dhe kush i frikësohet Allahut, Ai atij do t’i bëj rrugëdalje dhe do ta furnizoj nga nuk e kujton”. (et Talak 2-3)
Në mënyrë të njëjtë Allahu e sjell edhe varfërinë përmbi njerëzit. Një person privohet nga furnizimi përshkak të gjunaheve që ai i bën. S’ka gjë e cila sjell më shumë furnizim sesa bërja e veprave që Allahu na ka urdhëruar dhe heqja dorë prej gjunaheve.
Por duhet të keshë kujdes në nijetin (qëllimin) përpara se të fillosh të veprosh, ashtuqë motivi i yt fillestar për të bërë vepra të mira, të jetë fitimi i kënaqësisë së Allahut. Poashtu të keshë parasysh se nijeti ka mundësi të lajthit nga qëllimi fillestar, poashtu edhe të keshë parasysh ruajtjen e nijetit edhe pas përfundimit të veprës, siç është largimi prej syefaqësisë, vetpëlqimit dhe kërkimin e mirënjohjes së njerëzve të tjerë për veprat që i ke bërë.
Thotë ibn-ul Kajjim: “Gjërat që t’i prishin dhe që t’i shkatërrojnë veprat e mira janë të shumta për t’u numëruar. Me rëndësi nuk është vepra, por është më rëndësi është ta ruash veprën prej asaj që e shkatërron atë”.
Vlen të përmendet se nëse nijeti i njeriut për të bërë vepra të mira është kërkimi i kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimi i tij në Ahiret, gjithashtu kjo nënkupton se me këtë ai kërkon edhe shpërblim për nënshtrimin e tij në këtë botë, siç është furnizimi, jeta e mirë dhe në këtë nuk ka gjë të keqe.
Allahu na ka inkurajuar që t’i bindemi Atij dhe që të largohemi nga mosbindja ndaj Tij dhe e ka përmendur edhe shpërblimin në këtë botë, gjë e cila është indikacion se besimtari nuk gabon nëse e kërkon një gjë të tillë.
Thotë ibn Uthejmini: “Nëse njeriu me kryerjen e veprave të mira kërkon dy gjëra, pra të mirën në këtë botë dhe të mirën në botën tjetër, s’ka kurrfarë problemi në këtë, sepse thotë Allahu në këtë kuptim: “Dhe kush i frikësohet Allahut, Ai atij do t’i bëj rrugëdalje dhe do ta furnizoj nga nuk e kujton”. (et Talak 2-3)
Mos lejo që Shejtani të të thotë se ti je hipokrit dhe jo i sinqertë, sepse qëllimi i tij është që të devijoj ty nga bërja e veprave të mira dhe të të largoj nga rruga e së mirës.
Mos u bën i tillë që bërja e yte e veprave të mira të jetë vetëm për përfitimin e furnizimit, ashtuqë kur ky furnizim të ndërpritet, ti të ndërpresësh veprat e mira. Por bëri veprat sinqerisht vetëm për Zotin tënd dhe falënderoe Atë për të mirat që Ai t’i ka dhuruar.
“Dhe kur lajmëroi Zoti yt: “Nëse falënderoni Unë do t’ju shtojë (të mirat) dhe nëse bëni kufër (nuk falënderoni) me të vërtetë dënimi Im është i rreptë”. (Ibrahim 7)
Nga: Muhamed Salih el Munexhid
Përktheu: Enis Arifi