Nëse shikojmë përreth shohim se njerëzit kanë krizë në moralin e tyre, e sidomos rinia e sodit përjeton një krizë të madhe. Nga kjo kuptojmë se jorastësisht Allahu i Lartësuar për njeriun e bëri obligim pajisjen me moral të mirë. Gjithashtu rëndësia që ka morali në jetën e besimtarit kuptohet edhe nga ajo që Allahu i Lartësuar në Kuran përmend njërin prej qëllimeve të dërgimit të Muhamedit (alejhi salatu ue selam) tek njerëzimi ku thotë:
“Me të vërtetë jam dërguar që t’i plotësojë vlerat e moralit të lartë”. 1
Allahu çështjen e moralit e përmend në shumë ajete duke na urdhëruar që ta përmirësojmë moralin tonë si për shembull:
“Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për të mirë dhe hiqu prej injorantëve”2
Gjithashtu thotë:
“All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe teprimi. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.”3
Allahu (subhanehu ue teala) në Kuran përmend shumë ajete në të cilat i urdhëron dhe i nxit besimtarët që të përmirësojnë moralin e tyre si me njerëzit, me krijesat tjera ashtu edhe me Krijuesin e tyre. Për këtë arsye kanë ardhur shumë hadithe të cilat qartë tregojnë pozitën dhe vlerën e madhe që ka morali i mirë në Islam.
Një prej rasteve më të bukura është rasti kur i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) Muadhin e dërgoi si thirrës në Jemen dhe e porositi me fjalët:
“Ke frikë Allahun kudo që të jesh, paso të keqen me të mirë do e fshij atë, dhe me njerëzit sillu me moral të mirë.” 4
Ne si muslimanë duhet të meditojmë shumë reth këtij hadithi, a nuk shkatërrohen popujt kur ata i humbin vlerat morale? Po pa dyshim.
Allahu tregon se Muhamedin (alejhi salatu ue selam) e ka dërguar tek një popull të cilët më së shumti kanë pasur nevojë për një përmirësim moral, por të njëjtit kanë pasur cilësi të mira si burrëria, mikpritja, amaneti e shumë vlera tjera. Morali i mirë është i lidhur ngushtë edhe me dashurinë e Allahut ndaj neve. Muslimani nëse me të vërtetë dëshiron që atë ta dojë Allahu atëherë duhet ta kuptojmë mirë hadithin e të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam) ku thotë:
“Robi me i dashur te Allahu është ai që ka moralin më të mirë.”5
- Gjithashtu Allahu thotë:
“Me të vërtetë që më i dashuri te unë dhe më afër meje Ditën e Gjykimit dë të jetë ai i cili ka moralin më të mirë. Ndërsa, më i urrejturi dhe më larg meje Ditën e Gjykimit do të jenë ata që flasin shumë duke i përsëritur fjalët pa nevojë, ata të cilët e zgjatin fjalimin e tyre pa nevojë dhe kështu gabojnë shumë si dhe ata që kanë mendjemadhësi.”6
I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) kur flet për veprat të cilat do peshojnë shumë në peshoren e Ditës së Gjykimit thotë:
“Nuk ka gjë që peshon më shumë në peshoren e besimtarit Ditën e Gjykimit sesa morali i lartë, dhe Allahu e urren njeriun vulgar shpirtligë.”7
Gjithashtu i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka treguar se morali ka aq vlerë tek Allahu sa që nëpërmjet tij muslimani mundet ti arrij gradat e atij që agjëron ditën dhe atij që falet natën kur njerëzit tjerë flejnë:
“Besimtari me moralin e tij të mirë mundet të arrij gradat e agjëruesit dhe atij që falet natën.”8
Për moralin e mirë flet edhe hadithi në të cilin i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) na përshkruan se sa ndikim ka në raportin tonë me njerëzit tjerë ku thotë:
“Me të vërtet butësia nuk futet në diçka vetëm se e zbukuron atë, dhe nuk largohet nga diçka vetëmse e shëmton atë.”9
Kur besimtari kupton vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka morali i mirë në jetën e tij duhet të di se si ta përmirësojë dhe përvetësojë atë.
Dijetarët thonë se morali ndahet në dy pjesë:
- Morali bazik, i krijuar.
- Morali i përfituar dhe përvetsuar.
Argument për moralin bazorë tek njeriu është hadithi që transmeton Eshexh ibn Abdul-Kajs duke treguar se i Dërguari (alejhi salatu ue selam) i ka thënë:
“Me të vërtetë ti ke dy cilësi që i do Allahu. Butësinë dhe mosnxitimin”.10
Ky lloj është dhuratë dhe dhunti nga ana e Allahut (subahenehu ue teala) dhe për të duhet ta falënderojë robi Allahun shumë.
- Lloji i dytë i moralit është ai që përfitohet me mund dhe vepër, thotë i Dërguari (alejhi salatu ue selam) :
“Me të vërtetë dituria përfitohet duke mësuar dhe butësia duke qenë i butë.” 11
– Njeriu i cili largohet nga mëkatet dhe veprat e shëmtuara dhe mundohet që ta pastron veten nga çdo ves dhe moral i keq ky pa dyshim se do ta përmirsojë moralin e tij.
– Patjetër njeriu nëse dëshiron përmirësimin e gjendjes së moralit të tij duhet që përveç veprave duhet edhe shoqërinë ta zgjedh, sepse trupi dhe shpirti i njeriut pranojnë ndryshimin dhe këtë e vërteton hadithi i të Dërguarit të Allahut (alejhi salatu ue selam) ku thotë:
“Shembulli i shoqërimit të mirë me atë të keqin është sikurse shembulli i atij që shet parfum me atë që është farkatarë. Shitësi i parfumit ose do të lyn me të ose do të blejsh prej tij ose do gjesh erë të mirë, ndërsa te farkatari ose do ti djeg teshat ose do të gjesh erë të keqe.”
Përmblodhi: Sejfullah Sejfuli
____________________________________________
- Transmeton Imam Buhariu në librin “Edeb el-Mufred”, Nr. 273
- Surja el- A’raaf, 199.
- Surja en-Nahël, 90.
- Transmeton Sheh Akbani në librin “Sahih et-Tirmidhi, 1987.
- Tansmeton Imam el-Haakim, 4/441.
- Transmeton Imam Albani në “Sahih et-Tirmidhi, 2018.
- Transmeton Imam Ibën Mundhir në Librin e tij “et-Tergib ue et-Terhiib”, 3/351.
- Transmeton Imam Albani në librin “Sahih et-Tergiib”, 2645.
- Transmeton Imam Albani në librin “Sahih el-Xhaami’”. 5654.
- Transmeton Imam Muslimi, 25.
- Transmeton Imam et-Taberani në librin “el-M’xhem el-Kebiir”, 19/395.