Nxitja për leximin e Kur’anit

by Uniteti-Admin

Është e pëlqyeshme që Kur’ani të lexohet sa më shpesh, por njëkohsisht edhe të veprohet sipas urdhërave të tij. Nuk është e pëlqyeshme që leximi të jetë i shpejtë dhe  pa mos mos medituar në ajetet Kur’anore. E ka lavdëruar All-llahu atë që e lexon Kur’anin dhe ka thënë: “Ata i lexojnë ajetet e All-llahut gjatë natës” (ali Imran 113) dhe ka thënë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e lexon një harf (shkronjë) e ka një shpërblim dhe një shpërblim është i barabartë me dhjetë sevape. Nuk them elif lam miim, por them elif-i është shkronjë, mim-i është shkronjë dhe lam-i është shkronjë”.

Transmetohet se Muslim bin Mikhraak ka thënë: “I kam thënë Aishes (radijAll-llahu anha) se një njeri e lexon Kur’anin dy herë apo tri herë për një ditë dhe një natë” dhe Aishja më tha: “E kanë lexuar apo nuk e kanë lexuar unë e kam falur namazin me Pejgamberin tërë natën dhe ai e lexoi në namaz suren el Bekare dhe suren ali Imran  dhe suren en Nisaa dhe nuk kaloi në asnjë ajet në të cilin ka përgëzim përveç se u lut dhe nuk kaloi në ajet që të frikëson përveçse u lut që të jetë i mbrojtur ”. (ibn ebi Davud)

Ka qenë prej traditës së sahabëve që ta lexojnë komplet Kur’anin për katër ditë, pesë, gjashtë apo për shtatë ditë dhe kjo e fundit është mesatarja dhe më e mira, njëkohsisht kjo është praktika e shumicës së sahabëve. Transmetohet prej Mek’hul bin ebi Muslim[1] se ka thënë: “Sahabët e fortë të Pejgamberit e lexonin Kur’anin për shtatë ditë, disa e lexonin për një muaj disa të tjerë për dy muaj dhe disa të tjerë më shumë se kaq”.

Transmetohet prej ebu Hanifes (All-llahu e mëshiroftë) se ka thënë: “Kush e lexon Kur’anin dy herë në vit, ai ia ka dhënë hakun Kur’anit, sepse Pejgamberi në vitin që ka vdekur e ka lexuar përpara Xhibrilit dy herë” (E transmeton Hasen bin Zijad)

Gjithashtu kanë thënë dijetarët se është e papëlqyeshme (mekruh) që mos lexohet komplet Kur’ani për katërdhjetë ditë pa kurrëfarë arsye, transmetohet prej Abdullah ibn Omerit se e ka pyetur Pejgamberin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) : Për sa kohë ta lexojmë krejt Kur’anin? Ai u përgjigj: “Për katërdhjetë ditë”. (ebu Davud)

Thotë Imam en Nevevi në librin e tij “el Edhkaar”: “Sa i përket leximit të krejt Kur’anit për një periudhë kohore të caktuar duhet ta kemi parasysh se kjo ndryshon prej personi në person, pra ai i cili e ka memorjen e fortë dhe është preciz dhe ka njohuri të gjerë le ta lexojë për një periudhë të shkurt, periudhë në të cilën ai ka mundësi që kur ta lexojë edhe ta kuptojë atë që e lexon. Poashtu ai i cili është i zënë me mësim dhe shpërndarje të diturisë ose është i zënë me punë shtetërore ose diçka ngjashëm e që ka të bëj me gjërat e rëndësishme të fesë ose është i zënë me gjëra të dobisë së përgjithshme, atëherë ky person e lexon për aq sa ka mundësi duke mos i humbur ajo që i është dhënë në kujdes apo të mangësojë diçka prej saj. Ndërsa nëse nuk është prej këtyre që i përmendëm, atëherë le të lexojë sa më shumë që ka mundësi dhe mos ta tejkalojë kufirin dhe të stërlodhet apo të ngutet gjatë leximit dhe t’ia ndryshojë kuptimin leximit duke u ngutur”.

Nga: Es-Sujuti

Përktheu: Enis Arifi

 


[1] Mek’hul bin ebi Muslim ka qenë njëri prej fukahave (jurispondentëve) të Shamit, ka vdekur në vitin 112 hixhrij

Të tjera