O ti neglizhent ndaj këtij muaji

by Uniteti-Admin

Vëlla dhe motër muslimane qëllimi i këtyre fjalëve është vetëm të të përkujtojmë që mos t’a lëshosh që të ik ky muaj prej teje dhe ti mos të përfitosh asgjë përveç urisë dhe etjes. Ne dëshirojmë që ti deri në përfundim të këtij muaji të bekuar mos të jeshë sikurse ke qenë përpara këtij muaji të mëshirës, dëshirojmë që ti dhe ne të gjithë të jemi besimtarë më të mirë sesa që kemi qenë përpara Ramazanit. Ndërsa nëse ne nuk jemi më të mirë sesa që kemi qenë përpara Ramazanit, atëherë kjo nuk është shenjë e mirë dhe nuk është shenjë e pranimit të agjërimit tanë. Bëhu që njerëzit t’a hetojnë se ti je më i mirë sesa që ke qenë:

Nëse s’ke qenë i pajisur me besimin Islam, prej sot shfleto dhe lexo për fenë tënde

Nëse ke qenë lënës i namazit, bëhu prej sot falës i namazit

Nëse nuk ke qenë agjërues, bëhu prej sot agjërues

Nëse ke qenë amoral, prej sot hiq dorë nga amoraliteti

Nëse ke qenë mendjemadh, prej sot bëhu modest

Nëse ke qenë përgojues, prej sot hiq dorë nga përgojimi

Nëse ke qenë prej atyre që pijnë duhan, prej sot hiq dorë nga duhani

Thotë Allahu (subhanehu ue teala): “Muaji i Ramazanit është muaji që zbriti Kur’ani i cili është udhëzim për njerëzit dhe që ka argumente të qarta për udhëzim dhe ka dalliues (mes të vërtetës dhe të kotës )”. (el Bekare 185)

Thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në transmetim nga ebu Hurejra: “Kur vin Ramazani hapen dyert e mëshirës dhe mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët me zinxhirë”. Poashtu thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë në shpërblim i falen gjunahet që i ka bërë në të kaluarën”.

O ti neglizhent ndaj këtij muaji

Ku janë ata që kanë qenë me ne në Ramazanin e kaluar dhe të cilët këtë vit kanë vdekur?

Çka do t’i thuash Allahut në atë ditë kur s’do të keshë ndihmës?

Si do të arsyetohesh kur s’ke arsyetim?

A thua vallë do të jetosh përgjithmonë dhe nuk do t’a shijosh vdekjen?

O ti neglizhent

Mendo se përse je krijuar? Mendo se prej nga ke ardhur dhe ku je duke shkuar. Kur të mendosh për faktin se pse je krijuar mendo për adhurmin ndaj Allahut dhe përgjigju urdhërit që të urdhëron t’a adhurosh vetëm Atë. Adhuroje Allahun me zemrën, me gojën dhe me gjymtyrët e tua. Largohu prej shkaqeve të dëshprimit në këtë botë dhe në tjetrën.

O ti neglizhent ndaj mirësive të këtij muaji, dije se koha yte dhe jeta yte janë të kufizuara…

O ti që flet shumë fjalë të kota, ruaje gjuhën tënde…

O ti punëtor  që punon, ki frikë Allahun dhe puno drejt në punën tënde dhe mos i tejkalo kufijtë e Allahut…

O ti neglizhent që je njollosur me gabime të shumta, laje veten tënde me pendim dhe kërkim falje…

Kujtoje fjalën e Allahut kur Ai thotë: “Dhe pendohuni ju të gjithë tek Allahu o ju besimtarë, ashtuqë të shpëtoni”.

Dije se agjërim nuk është vetëm abstenimi prej hajes dhe pijes, por agjërimi është diçka më shumë se kjo. Thotë Pejgamberi në hadith i cili transmetohet prej ebu Hurejres: “Kush nuk e len fjalën e keqe dhe punën sipas saj dhe injorancën, Allahu nuk është i nevojshëm që ai të heq dorë nga haja dhe pija e tij”. (Transmeton Buhari)

Agjëron goja duke hequr dorë nga ushqimi, agjëron syri duke e larguar shikimin nga harami, agjëron gjuha duke u larguar nga fjalët e kota, shpifjet dhe përgojimet, agjëron veshi duke u larguar prej veprave me të cilat nuk është i kënaqur Allahu siç është muzika dhe të tjera.

Me të vërtetë Ramazani është muaji më i mirë gjatë vitit, dhe Ramazani paraqet rrugë për të arritur deri te dashuria e të Mëshirshmit, pra mos e humb këtë mundësi që të është dhënë, sepse me të vërtetë nuk e din se a do të keshë mundësi tjetër për t’u përmirsuar. Mos i humb shpresat prej mëshirës së Allahut, sepse nuk i humb shpresat në Allahun vetëmse ai që është i dëshpruar.

Përgatiti: Enis Arifi

Të tjera