Meqë Kur’ani është Libër dhe fjalë e All-llahut i cili i ka zbritur Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ndërsa është fakt botëror i njohur se Muhamedi është i Dërguari i fundit dhe vulë e të gjithë profetëve, të gjtha këta janë gjëra të cilat aludojnë në një gjë, ajo gjë është se Islami është shpëtimi dhe feja e vetme e pranuar tek All-llahu, ashtusiç ka ardhur në ajetin Kur’anorë: “Me të vërtetë fe e pranuar tek All-llahu është Islami”.(ali Imran 19)
Islami është Fe e pastër në besim
Kjo don të thotë se pasuesi i kësaj feje është i pastër në besim, dhe Islami njëherit është feja e të gjithë pejgamberëve që kanë qenë në të kaluarën. Islami ka ardhur si fe e cila i ka deroguar fetë e mëparshme dhe Kur’ani si Libër i cili i ka deroguar Librat e mëparshëm. Muslimanët nuk adhurojnë statuja dhe ikona, as nuk adhurojnë figura të paramenduara, por e adhurojnë All-llahun duke e njohur Atë nëpërmjet emrave dhe cilësive të Tija përkryera që na i ka sqaruar në Kur’an. Prej gradave më të larta që njeriu i arrin në Islam është që njeriu ta adhurojë All-llahun sikurse e sheh Atë, edhepse ai nuk e sheh All-llahun, Ai (All-llahu) e sheh atë.
Islami është feja e të gjithë pejgamberëve të All-llahut duke filluar prej Nuhit dhe deri te Muhamedi. Edhe babai i pejgamberëve, Ibrahimi (Paqja dhe mëshira qofshin mbi të) ishte musliman, njeri dhe rob i All-llahut dhe nuk ishte prej idhujtarëve dhe as nuk ishte jehudi (çifut) e as i krishterë, thotë All-llahu: “Nuk ishte Ibrahimi jehudi dhe as i krishterë, por ishte musliman i pastër dhe nuk ishte prej idhujtarëve”.(ali Imran 67)
Muslimanët besojnë në të gjithë pejgamberët e Zotit pa bërë dallim mes tyre, ka shumë prej të krishterëve dhe jomuslimanëve të cilët nuk janë të vetëdijshëm se ne si musliman e kemi obligim që të besojmë në pejgamberinë (profecinë) e të gjithë pejgamberëve, siç është besimi në Nuhin si pejgamber, ose Musain, Isaun dhe shumë të tjerë. Në Islam sharja e një pejgamberi është sikurse sharja e të gjithë pejgamberëve, pra sharja dhe tallja me Isaun (aljehi selam) është sikurse sharja dhe tallja me Muhamedin (Paqja dhe mëshira qofshin mbi të), pra mosbesimi në njërin prej pejgamberëve të All-llahut është sikurse mosbesimi në të gjithë pejgamberët
Ne si musliman besojmë librat e pejgamberëve të mëparshëm siç është Teurati, Zeburi apo Inxhili, bile besimi në librat dhe në pejgamberët është prej shtyllave kryesore të besimit Islam, mirëpo ne besojmë se Kur’ani është Libër i fundit dhe është derogues i të gjitha librave të mëparshëm dhe dispozitat e Sheriatit janë deroguese të të gjitha dispozitave në këta libra.
Sa i përket besimit në melekët (engjujt), muslimanët besojnë se ata janë robër të All-llahut dhe se ata janë krijesa që i binden urdhërave të All-llahut pa përtesë dhe pa lodhje dhe vet krijimi madhështorë i melekëve tregon madhështinë më të madhe të Krijuesit. Në fetë siç është krishterizmi dhe fetë tjera melekët paraqiten si krijesa në formë të femrës me fleta ndërsa All-llahu e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë: ”Dhe ata i bënë femra melekët të cilët janë robër të All-llahut. Mos vallë ata e panë krijimin e tyre?! Do të shkruhet dëshmia e tyre dhe do të pyeten për këtë gjë”. (ez Zuhruf 19)
Besimi Islam është i qartë përsa i përket Ditës së Gjykimit dhe s’ka në Islam hamendje rreth asaj. Muslimani e beson Ditën e Gjykimit dhe e din se pas jetës së kësaj bote ka jetë tjetër, jetë e cila s’ka përfundim dhe jeta e botës tjetër është jeta e vërtetë. Përsa i përket botës tjetër do të ketë dy grupe, ato janë: “Një grup në Xhenet dhe një grup Zjarr”(esh Shuura 7). Ky besim i pastër i muslimanit është në përputhshëmri me natyrën e pastër të njeriut, s’ka askush që mund t’i ik vdekjes dhe s’ka askush që mund t’i ik llogarisë. Në besimin në Ditën e Fundit shihet balanci mes asaj që njeriu e punon në këtë botë dhe mes shpërblimit apo dënimit në botën tjetër, varësisht se çfarë ka vepruar njeriu. Muslimanët besojnë se askush pos All-llahut nuk e din se kur do të ndodh Çasti (Kijameti) dhe kjo gjë është prej urtësisë së All-llahut, prej urtësisë së All-llahut të Gjithdijshëm është se Çasti do të vijë papritmas. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të fjalëve që njerëzit i thonë rreth Kijametit, siç ishte rasti i fundit me përfundimin e kalendarit të popullit “Maja” sipas të cilëve kinse bota do të përfundonte me datën 21 Dhjetor 2012 dhe një fakt për t’u çuditur ishte fakti se shumë njerëz në botë i besuan këtij predikimi të tyre, edhepse këta njerëz ishin pauses të feve të tjera që nuk kanë pika të përbashkta me fenë e Majëve. Thotë All-llahu: “(O Muhamed)Nëse njerëzit të pyesin për Çastin, thuaj: ”Njohuria rreth atij (Çastit) është tek All-llahu”. E ku mund ta dish ti, ndoshta Çasti është afër” (el Ahzabë 63)
Sa i përket besimit në caktmin e All-llahut muslimani është i qetë dhe i rehatshëm në atë çka All-llahu e ka caktuar për atë. Nëse besimtarin e godet një e mirë, ai e falënderon All-llahun, ndërsa nëse e godet një e keqe, bën durim, çështja e besimtarit është e gjitha në dobi të tij.
Pastërtia e Islamit në adhurime
Islami është i pastër në esencë, All-llahu e ka obliguar pastrimin për në namaz dhe e ka obliguar pastrimin pas marrdhënieve intime dhe e ka obliguar për femrën që mos të agjërojë dhe as të falet gjatë përiudhës së menstruacioneve dhe lehonisë . Poashtu e ka obliguar veshjen e rrobave të pastërta dhe mbajtjen e pastërtisë nëpër shtëpi dhe nëpër xhami. Kjo është një gjë me të cilën dallohet Islami prej feve tjera dhe është shkak që shumë jomusliman mahniten prej pastërtisë së Islamit.
Kur jomuslimanët e shohin se si muslimanët e adhurojnë All-llahun si për shembull faljen e namazit, padyshim se habiten, sepse ata shohin se si muslimani bën disa lëvizje të qeta dhe të bukura siç është qëndrimi lidhur në këmbë, më pastaj rënia në ruku dhe më pastaj vendosja e ballit përtoke, gjë e cila i takon robit që t’ia kushtojë Zotit të vet. Edhe vet ekzistenca e xhamive si faltore të muslimanëve është argument i pastërtisë në besim dhe në adhurime. Në xhamitë e muslimanëve nuk ka të vizatuara figura njerëzish apo të të melekëve apo figura që pasqyrojnë Zotin, All-llahu na ruajt prej një gjëje të tillë. Për dallim nga fetë tjera siç është krishterizmi apo budizmi apo ndonjë fe tjetër, ku nëse njeriu hyn në një faltore të tyre, ndoshta i rrënqethet lëkura prej figurave dhe ikonave të shumta nëpër mure, ose ndoshta edhe frikësohet prej statujave të shumta që adhurohen, ndërsa nëse e sheh formën se si ata e adhurojnë Zotin e tyre, ndoshta tmerrohesh prej ritualeve të ndryshme që i bëjnë me ujë apo me zjarr dhe kështu me rradhë.
Në Islam nuk ka kontraditka
Islami si Fe e përsosur nuk ka kundërshtime në dispozitat e saja, nuk ka dispozitë që bie në kundërshtim me ndonjë dispozitë tjetër dhe është për çdo komb dhe për çdo kohë. Ndërsa në dispozitat e shpikura nga mendja e njeriut, ka patur dhe do të ketë çdoherë dispozita që bien në kundërshtim me njëra tjetrën, ose dispozita që vlejnë për një kohë dhe nuk vlejnë për një kohë tjetër, ose dispozita që vlejnë për një popull dhe nuk vlejnë për një popull tjetër. Thotë All-llahu: “Sikur (Kur’ani) të ishte prej dikujt tjetër pos All-llahut, në të do të kishte kundërshtime të shumta” (en Nisaa 82)
Përgatiti: Enis Arifi