Pasuria dhe fëmijët pas divorcit

by Uniteti-Admin
divorci

Me të vërtetë është sfidë që njeriu të jetojë në një vend në të cilin njerëzit nuk kthehen tek ligji i Allahut për gjykim dhe arbitrim, andaj edhe krimet, raportet shoqërore ose çështjet që kanë të bëjnë me divorcin, të gjitha janë të rregulluara në Sheriatin e Allahut në formën më të mirë.

Prandaj ligji i Allahut është ligj univerzal i zbritur për të mirën e të gjithë palëve në konflikt, dhe Allahu vazhdimisht thërret që njerëzit për kontestet e tyre si gjykues ta marrin Sheriatin qiellor të Krijuesit tonë që na njeh neve më mirë se çka ne e njohim veten tonë dhe e din se çka është më mirë për ne.

Divorci është gjë normale, por varësisht prej shoqërisë, ekzistojnë fiks ideja të ndryshme të cilat nuk e trajtojnë divorcin ashtusiç duhet të trajtohet, ku një palë e konsiderojnë këtë kontratë (nikahun) si asgjë, ndërsa Allahu për nikahun thotë: “Dhe morrëm prej jush besë të fortë” (en Nisa 21)

Ka një varg të çështjeve juridike islame që lidhen me rastet e divorcit dhe që kanë të bëjnë me ndarjen e pasurisë pas divorcit, si dhe cështja e fëmijëve se me cilin prind do të shkojnë.

Në esencë, pasuria që është e gruas dhe që ajo e sjell tek shtëpia e burrit nga ana e saj, konsiderohet pasuri e saj të cilën ajo ka të drejtë që ta merr kur dëshiron, përvec nëqoftëse më herët ajo në fillim të martesës ose pas një periudhe ia ka falur burrit këtë pasuri, atëherë në këtë rast konsiderohet ajo pasuri si pasuri e burrit, pasuri prej së cilës gruaja vullnetarisht ka hequr dorë.

E njëjta vlen edhe për burrin, konkretisht pasurinë që burri ia ka dhuruar gruas së tij më herët si p.sh. salltanate, flori, argjend , të gjitha këta konsiderohen të gruas, pasuri e cila i është dhënë gruas vullnetarisht nga ana e burrit.  

Kjo pasuri qoftë e madhe apo e vogël e merr dispozitën e dhuratës, ndërsa Islami e ka ndaluar që dhuratën që ia ke dhuruar dikujt ta marrësh ti prap, ashtusic ka ardhur në hadith në të cilin thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Ai që e kthen (e kërkon mbrapa dhuratën që e ka dhuruar) dhuratën është sikurse qeni që e han të vjellurën e vet”. (Muttefekun alejhi) 

Është një gjë që i takon gruas pas ndarjes që ka të bëj me Mehrin që caktohet kur lidhet nikahu. Në raste kur gruaja është bërë talak (divorcuar) prej  anës së burrit, asaj i takon Mehri, ndërsa kur divorci inicohet prej anës gruas pa arsye të forta valide ndryshojnë gjërat.

Sidoqoftë Mehri është e drejtë e plotë e gruas për të cilën ka tënë Allahu: “Grave jepuani dhuratën e martesës (Mehrin)…” (en Nisa 4)

Dhe ka ndaluar në mënyrë decide që t’i merret Mehri që i takon asaj, sikurse ka ardhur në ajet: “… e asaj (të divorcuarës) i keni pas dhënë shumë  të madhe (Mehër), mos merrni prej saj asnjë send. A do të merrni atë pa të drejtë dhe me gjunah të vërtetë?”. (en Nisa 20)

Ndërsa kur gruaja është në nikah ende me burrin, ajo duhet të trajtohet drejtë dhe obligim i burrit është përkujdesja ndaj saj, siç edhe ka thënë Allahu (subhanehu ue teala): “Babai i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregull. Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa ka mundësi.” (el Bekare 233)

Në bazë të asaj që është e njohur, pasuria e gruas ngel pasuri e gruas, ndërsa pasuria e burrit ngel pasuri e burrit dhe në këtë çështje s’ka hapsirë që të bëjmë paralele me ligjet që janë pjellë e mendjes njerëzore ku pas divorcit ndahet pasuria në mënyrë proporcionale mes dy palëve dhe në këtë mënyrë duke i bërë padrejtësi njërës palë, ndërsa Allahu ka thënë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me të (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë).”(el Bekare 188). 

Është edhe një çështje që ka të bëj me fëmijët pas divorcit, me cilin prind shkojnë fëmijët, me nënën apo me babain?

Në esencë nënës i takon fëmija pas divorcit dhe në këtë aludon ajeti: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota.” (el Bekare 233). Pra nënat janë më meritore për përkujdesjen e fëmijës.

Nëna e humb këtë privilegj nëse ajo vendos që të martohet me burrë tjetër pas martesës, siç edhe ka ardhur në hadith ku një grua i thotë të Dërguarit të Allahut: O i Dërguari i Allahut, për birin tim barku im ka qenë ruajtësi, gjirin tim e ka ushqim, shtëpinë time e ka strehë, babai i tij më ka divorcuar dhe dëshiron të ma merr. Pejgamberi (sal-lAllahu aljehi ue sel-lem) i tha asaj: “Ti je më meritore për atë, përderisa nuk martohesh”.

Nëse bëhet fjalë për fëmijë më të mëdhej që janë në moshën në të cilën fëmijët i njohin gjërat, në këso rastesh fëmijës i jepet që të zgjedh vet se me cilin prind dëshiron fëmija të shkojë, siç ka ardhur në hadith që transmetohet prej ebu Hurejres se një grua është ankuar tek Pejgamberi se burri i saj ka dashur që t’ia mer fëmijën, ndërsa Pejgamberi i thotë djalit të vogël “O djalosh, ky është babai i yt dhe kjo është nëna yte, kape për dore cilin të dëshirosh”.

Përmblodhi: Mr. Enis Arifi

Të tjera