Ata të cilët heqin dorë nga diçka për hirë të Allahut 

by Uniteti-Admin

Thotë Allahu i Lartësuar:
Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij (et Talak 3)

Dëshirat e mëdha dhe epshet na i kanë pushtuar shpirtërat, ato i menaxhojnë zemrat tona. Prandaj braktisja e tyre është e vështirë. Megjithatë, kushdo që i frikësohet Allahut dhe i mbështetet, Allahu i mjafton atij.

Braktisja e mëkateve është e vështirë për egon mirëpo, bashkëngjitja e nijetit për hir të Allahut e shndërron largimin e gjynaheve në shpërblime, duke i kompensuar me gjëra më të mira për njeriun.

Sa më e madhe të jetë dëshira për kryerjen e ndonjë mëkatit aq më shumë shpirti lakmon ta bëjë atë, mirëpo nëse frika ndaj Allahut është parësore dhe e braktis mëkatin atëherë vetëpërmbajtja dhe heqja dorë nga dëshirat dyfishon shpërblimin. Begatitë e Allahut janë të shumanshme, më e mira ndër to është kur e din se je nën mbikëqyrjen e Allahut e turpërohesh ta bësh atë që nuk duhet.

  • Kushdo që largohet së luturi njerëzit duke ngelur gjithmonë nga ata i dëshpëruar, pastaj i lidh shpresat vetëm duke pritur nga Allahu.
  • Kush kërkon nga Krijuesi i tij, Ai turpërohet t’ia kthen duart bosh.
    Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “ Ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë, dhe ai i cili kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë”
  • Përmbajtja ndaj urdhëresave dhe ndalesave, që i ka shpallur Allahu në të gjitha çështjet.
  •  Pushimi së rreshturi për përfitimet e kësaj bote sjell pasuri në zemër dhe lirim në gjoks.
  • Kushdo që ndalon së pasurit frikë dikë tjetër pos Allahut dhe e veçon vetëm Allahun me frikë, brengat e atij do të shndërrohen në siguri dhe qetësi.
  • Kushdo që ndalon së gënjyeri dhe qëndron në të vërtetën, në çka do që merr ose lë, ai do të udhëzohet në bamirësi.
    Allahu do e begatoj që gjithmonë të flas në gjuhën e së vërtetës, ndërsa në mesin e njerëzve do të ketë nder dhe autoritet.
  • Ai i cili largohet nga konfliktet edhe nëse ka të drejt e ka të garantuar një shtëpi në mes të xhenetit, si dhe shpëtimin nga ndikimi i keq nga këmbëngulja në armiqësi.
  • Braktisja e shikimit në të ndaluarën do jetë qetësi për syrin tënd, gruaja jote do të jetë më e bukura për ty në sipërfaqen e dheut. Zemra do të shijon rehatinë e Allahu do të jetë i kënaqur.
  • Mbledhja e pasurisë dhe lakmia janë sëmundje që shndërrohen në bujari.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillë janë të shpëtuar” (el Hashr 9)

Kushdo që e frenon mllefin dhe i largohet hakmarrjes, pavarësisht kapacitetit dhe autoritetit që posedon e përgëzojmë me hadithin e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)

Njeriu që fal  Allahu ia shton krenarinë, kurse ai që tregohet modest Allahu e ngrit ”.
  • Largimi nga çdo shoqëri e keqe që të shpie në prishjen e moralit, Allahu e shpërblen me shoqëri të hajrit. Padyshim se nga shoqëria muslimane përfiton si në këtë botë ashtu edhe në Botën tjetër.
  • Kontrollimi i zemërimit do ta ruaj vlerën dhe dinjitetin tënd, pasojat e brejtjes së ndërgjegjes dhe poshtërimeve.
    Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe ata që e frenojnë mllefin, që ua falin  njerëzve, Allahu i do bamirësit” (Ali Imran 134)
    Trasmetohet nga ebu Hurejra se: “Një njeri i tha Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Më këshillo.”
    Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Mos u zemëro!” (Transmeton Buhariu)
  • Përmbajtja e gjuhës nga përgojimi dhe shpifja është nga veprat më fisnike në Islam.
    Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush më garanton mua që do ta ruaj atë që e ka në mes të dy nofullave (gjuhën) unë ia garantoj Xhenetin.” (Transmeton Tirmidhiu)

    Ibn Kajjimi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë:
    “Ka shumë njerëz të cilët i sheh se u ruhen të këqijave dhe të ligave, ndërsa gjuha e tyre bën masakër në të gjallët dhe të vdekurit, ndërsa ai aspak nuk e vret mendjen se çfarë flet.”
    Një grua beduine e këshilloi të birin duke i thëne: “Kujdes nga ekspozimi i të metave të njerëzve, meqë në këtë rast do të marrin si një cak. Me siguri një cak nuk do të mund të jetë i qëndrueshëm për shumë shigjeta. Një cak që është goditur me shigjeta menjëherë forca e saj do të dobësohet.” 
  • Kushdo që ndalon së imituari apo përqesh ndonjë mendjelehtë dhe tërhiqet prej tyre, e ka ruajtur nderin, e ka kursyer vetveten nga belaja dhe është larguar nga ajo që mund ta lëndoj.
    Thotë Allahu i Lartësuar:
    “Ti falva (njerëzve), urdhëro për në të mirë dhe largohu prej injorantëve” ( el A’rafë 199)
  • Dyshimet dhe paragjykimet thelbin e kanë të prishur edhepse duken sikur janë mëkate pa peshë.

Ato dëmtojnë dhembshurin e fitrës së njeriut, sjellin shqetësime dhe siklet. Prandaj Allahu ka urdhëruar që të jemi të kujdesshëm nga dyshimet, siç thotë në Ajetin:

“O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos spiunoni ( el Huxhuratë 12)

  • Shkatërrimi i përtacisë dhe përveshja e punës ngrit ambiciet dalngadalë, bereqeti në kohë shtohet, kështu fitohen shumë të mira për një kohë aq të shkurtër.
  • Një njeri që e zëvendëson mburrjen në publik me modesti, qëndron gjithnjë i buzëqeshur edhe karakterizohet me këtë, si shpërblim fiton shumë miq ndërsa armiqtë i zhduken. Çmimi apo shpërblimi është i lidhur dhe buron nga lloji i punës,siç thotë Allahu:  
    “E kush punon ndonjë të mirë që peshonë sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punon ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.”  ( el Zelzele 7-8)
  • Mënjanimi i ndjenjave për dashuri pasionante është e vështirë për egon ta arrij, andaj duhet shmangur rrugët që çojnë drejt saj.
    Braktisja e të dashurve në pamundësi që t’i kemi pranë vetes shkakton brenga e mall, por ngushëllim gjejmë në kthimin tek Allahu i Plotfuqishëm, do të shteren dhimbjet, e zemra do të mbushet me dashuri të pastër për hir të Allahut.

Të lësh diçka për hir të Allahut, Allahu ta kompenzon atë me diçka edhe më të mirë.

Jusufi alejhi-selam dhe gruaja e sundimtarit.
Ajo u mundua që ta joshë atë, por ai e refuzoi në mënyrë të vendosur duke kërkuar strehim tek Allahu edhepse kishte shumë arsye për tu zbrapsur nga urdhërat e Allahut.

  • Ai ishte i ri. Rinia është shkak për shfryrje të epshit.
  • Ai ishte beqar, dhe nuk ka pasur ku ta shfryj epshin.
  • Ai ishte i huaj në atë vend, pra askush nuk e njihte.
  • Gruaja ishte e bukur.
  • Gruaja kishte reputacion të lartë.
  • Aty nuk kishte ndonjë dëshmitar.
  • Ajo ishte zbukuruar posaçërisht për Jusufin alejhi selam.
  • Ajo i kishte mbyllur të gjitha dyert.
  • Ajo u mundua në maksimum që ta joshë atë.
  • Ajo e kishte kërcënuar se nëse Jusufi alejhi selam nuk do t’i bindej asaj, ajo do ta poshtërojë.

Qoftë i Lartësuar Allahu, atë që nuk e harroi Jusufi alejhi selam. Atë që nuk duhet ta harrojmë edhe ne është se Allahu na sheh kudo që të jemi.

Përktheu: H. Mustafi

Të tjera