Përmbledhja dhe shkrimi i Sunnetit në kohën e Pejgamberit

by Uniteti-Admin

Ishtë e njohur në mes të njerëzve të thjeshtë (masës së gjërë) jo të specializuar (në lëminë e hadithit), se hadithi apo ajo që quhet dituri te dijetarët e hadithit, ka mbetur vetëm si transmetime gojore të dijetarëve më shumë se një shekull, duke mos shkruar gjë nga këto transmetime. Ky mendim vazhdoi kështu afër 5 shekuj, duke u përhapur dhe forcuar, derisa erdhi Hatib el-Baghdadi, i cili i përmblodhi çështjet e shpërndara të kësaj teme dhe shkroi librin Takjiid el-I’lm (تقييد العلم).

Shkaku i këtij mendimi është keqkuptimi i asaj që është transmetuar nga dijetarët e hadithit rreth shkruarjes dhe përmbledhjes së hadithit, ngase ata kanë përmendur se i pari i cili e përmblodhi diturinë është ibn Shihab ez-Zuhri, i cili ka ndëruar jetë në vitin 124 H. dhe kanë përmendur autorët e parë të librave të cilët jetuan përafërsisht deri në vitin 146 H.

Para Hatib el-Baghdadit, dijetarët nuk ia kanë dhënë hakun e merituar kuptimit të thellë dhe preciz kësaj çështjeje, madje i transmetonin keto thënie (të dijetarëve) në formë e cila aludonte se me të vërtetë i pari që përmblodhi dhe shkroi hadhithin është ez-Zuhri dhe se autorët e parë të librave erdhën pas tij.

Ky mendim dominoi mbi disa autorë, siç janë: ebu Talib el-Mekki, Imam Dhehebiu, el-hafidh ibn Haxher, el-Makrizij, të gjithë e përmbanin këtë qëndrim, edhe pse gjenin në këtë çështje kontradiktë, ngase përmendin (nëpër librat e tyre) se ata që ishin pas sahabeve dhe tabii’nëve e shihnin diturinë e shkruar në kohën e sahabeve dhe tabii’nëve në fletushka autentike, pa rënditje, si dituri valide.

Andaj themi se ka patur shkrim (të diturisë) para periudhës së ez-Zuhrit, i cili llogaritet prej tabii’nëve të vegjël.

Hatib el-Baghdadi u mundua që të vërteton se shkrimi i diturisë ka qëne që në kohën e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem), pastaj në periudhën e sahabeve dhe tabii’nëve poashtu, gjë e cila e çoi në studim të historisë së shkrimit dhe përmbledhjes së diturisë, andaj i përmblodhi hadithet dhe transmetimet që kanë të bëjnë me zanafillën e shkrimit të diturisë dhe sasia që e përmblodhi është më e madhe se e paraardhësve të tij. Gjatë hulumtimit e pa se këto transmetime rënditen në dy grupe, të kundërta njëra me tjetrën, disa prej tyre aludojnë se hadithi lejohet të shkruhet, ndërsa të tjerat tregojnë të kundërtën e kësaj. Këtë poashtu e kishin hasur edhe dijetarët përpara tij, mirëpo ai gjeti edhe diçka tjetër, diçka të re. Kjo është se në disa transmetime aludohet në shkakun e ndalesës së shkrimit, andaj e pa të arsyeshme që këto transmetime t’i veçon në kapitull të ndarë, me shpresë se këto transmetime përmbajnë në vete përgjigjen rreth këtyre mospajtimeve dhe polemikave.

Nëpërmes ndarjes së mëposhtme do të mundohemi që ta përfshijmë dhe ta kuptojmë këtë mesele sa më mirë:

a) Hadithet që kanë ardhur në kontekst të ndalimit nga shkrimi i haditheve:

Asnjë prej këtyre haditheve nuk është i saktë, përpos hadithit të ebu Sei’d el-Hudrit (radijAllahu anhu); “Mos shkruani prej meje dhe ai i cili ka shkruar prej meje, veç Kur’anit le ta fshij atë.” Hadithin e ka nxjerrur Muslimi si thënie e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem), mirëpo Buhariu dhe të tjerë kanë supozuar se kjo thënie është meukuf, d.m.th. është thënie e ebu Sei’dit (radijAllahu anhu).

b) Qëndrimet dhe mendimet e dijetarëve rreth kësaj mesele (rreth këtij hadithi):

– Kjo dispozitë të jetë e deroguar (shfuqizuar) me hadith tjetër, d.m.th. në fillim, shkrimi i hadhit ka qenë i ndaluar nga frika e përzierjes me Kur’anin. Këtë mendim e ka ibn Kutejbe, er-Ramehurmuzi dhe el-Hatabi.

– Të jetë ndalesa në lidhje me shkrimin e hadithit me një fletë me Kur’anin, poashtu këtë mendim e ka përfaqsuar el-Hatabi, el-Baghdadi dhe të tjerë.

– Disa thanë: Ndalesa është e veçantë për atë i cili mbështetet vetëm në shkrim, jo edhe në mëmorizim, ndërsa lejohet për të tjerët, etj.

c) Hadithet që kanë ardhur në kontekst të lejes për shkrimin e haditheve.

Ka shumë hadithe të cilat flasin për çështjen e shkrimit të diturisë nga i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem), disa prej këtyre haditheve janë të saktë, ndërsa të tjerët jo. Prej haditheve të saktë mundet të përmendim:

Nga ebu Hurejre (radijAllahu anhu): “Asnjë prej sahabeve nuk ka aq hadithe sa unë, përpos Abdullah ibn Amr-it, ngase ai shkruante ndërsa unë jo.”

Hadithi i ibn Abasit (radijAllahu anhu): “Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) në sëmundjen e tij tha: Më sillni një letër (diçka për të shkruar), që tu shkruaj një shkrim pas së cilit nuk do të devijoni asnjëherë.”

Nga ebu Hurejra (radijAllahu anhu): “Mbajti i Dërguari i Allahut një fjalim gjatë çlirimit të Mekes, derisa tha: “Shkruani ebu Shat-it.”

Hadithi i Abdullah ibn Amr-it (radijAllahu anhu) në të cilin thotë: “Shkruaja çdo gjë nga i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem)…” Pastaj Kurejshët e kundërshtuan dhe i thanë se Pejgamberi është njeri si të gjithë njerëzit, hidhërohet, gëzohet, pikëllohet, andaj Abdullahu ia tregoi këtë dilemë Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) i cili iu përgjigj duke thënë: “Shkruaj, sepse pasha Atë në Dorën e së Cilit është shpirtim im, nuk del nga unë vetëmse e vërteta.”[1]

 

Përshtati: Ali Ashani

[1] Shih Takjiid el-I’lm

Të tjera