Përsiatja (Të menduarit)

by Uniteti-Admin
persiatja

Në terminologjinë sheriatike përsiatje apo të menduar don të thotë: Të shëtiturit e mendjes dhe zemrës nëpër argumente dhe kuptim të gjërave duke synuar nxjerrjen e dobisë.

Të menduarit e dobishëm është ai i cili e shpie robin në një dobi të dunjasë apo Ahiretit.

Thotë ibn Kajim (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “Të menduarit rreth interesave të Ahiretit, rrugëve që të shpien në realizimin e tyre si dhe të menduarit rreth shkatërruesve të Ahiretit dhe rrugëve të mënjanimit të tyre, janë katër gjërat më të lavdëruara për të menduar rreth tyre.

Këto katër pasohen me katër tjera: Të menduarit rreth interesave të dunjasë, rrugëve që të shpien në arritjen e tyre si dhe të menduarit rreth shkatërruesve të dunjasë dhe rrugëve që të mbrohesh nga ato. Mbi këto tetë ndarje sillen mendimet e të mençurve”

Prej fushave në të cilat mund të shëtisim mendimet janë:

  • Të menduarit rreth teksteve të shpalljes, argumenteve dhe shembujve
    Thotë Allahu i Lartësuar: “ (I patëm dërguar) Me argumente e me libra të shenjtë. Ty ta zbritëm Kur’anin që tu shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin). (en Nahl, 44)
  • Të menduarit rreth dunjasë dhe shpejtsisë së zhdukjes së saj
    Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu që e kemi zbritur nga qielli, me anën e të cilit gërshetohen bimët e tokës (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) prej nga hanë njerëzit e kafshët deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar, e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhri Ynë (dënimi), natën ose ditën, dhe e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.” (Junus, 24)
  • Të menduarit rreth krijesave
    Transmetohet se Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) u zgjua kah fundi i natës, pastaj doli për të shikuar drejt qiellit dhe lexoi ajetet: ” Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, na ruaj prej dënimit të zjarrit! ” (Ali Imran – 190,191).
    Pastaj u kthye në shtëpi, e përdori misvakun, mori abdes dhe u fal. Këtë e bëri dy herë. Thotë Imam Neveviu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “Këtu paraqitet pëlqimi i recitimit të këtyre ajeteve gjatë zgjimit natën, duke shikuar drejt qiellit, me ç’rast bëhet meditim më i thellë”.

Shurejh el-Kadi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) u thoshte shokëve të tij: “Të dalim në treg dhe të shikojmë devenë se si është krijuar” .

  • Të menduarit rreth mirësive të Allahut të Lartësuar
    Thotë Allahu i Lartësuar: “Ai është që për ju lëshoi nga (lart) qielli ujë, që prej tij të keni për të pirë dhe prej tij të keni bimë që në to do t’i kullotni (bagëtinë). Me atë (shiun) mbijnë, për të mirën tuaj, të lashtat, ullinjtë, hurmat, rrushnajat dhe nga të gjitha frutat (e pemëve). Në këto (të mira) ka argumente për një popull që vështron. Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon. Edhe për atë që ju krijoi në tokë lloje të ndryshme, ka fakte për një popull që din të merrë përvojë. Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i mbani (i vishni), e i sheh anijet si çajnë (lundrojnë) në të (me ushtimë e çajnë ujin në det). Ua nënshtroi që të shfrytëzoni nga begatitë e Tij dhe ashtu të falënderoni (Zotin).” (en Nahl, 10-14)
  • Të menduarit rreth përfundimeve dhe çështjeve të Ahiretit
    Transmetohet nga Ali ibn ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ju kam ndaluar më parë vizitën e varrezave, prej tani vizitoni ato sepse ato ua përkujtojnë vdekjen” . (Transmeton Ahmedi)

Kufijtë e të menduarit

Muslimani obligohet që të ndaloj nga tejkalimi i disa kufijve në të menduar, prej tyre:

  • Qenia e Allahut dhe mënyra apo forma e cilësive të Tij
    Nuk i lejohet muslimanit që të mendoj rreth mënyrës apo formës së qenies së Allahut dhe Cilësive të Tij.
    Transmetohet nga ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: ”Mendoni rreth mirësive të Allahut dhe mos mendoni rreth Allahut (pra rreth formës së Qenies së Tij apo cilësive që janë të pakapshme që të kuptohen në mungesë të teksteve)”.

    Meditimi rreth kuptimeve të emrave dhe cilësive të Allahut si dhe vepra me atë çfarë rrjedh prej tyre, duke mos hulumtuar formën apo mënyrën, është gjë e kërkuar për të cilën argumentojnë tekstet (Kurani dhe Suneti).
  • Bota e Gajbit ( e të fshehtës, padukshmes)
    Nuk duhet që muslimani të mendoj rreth botës së gajbit sepse çështja është më madhështore sesa atë qe e kap mendja e njeriut. Kjo njëherit është dallimi mes perceptimit Islam dhe atij perëndimor rreth krijesave. Përderisa këta të dytët mendojnë se mund të provohet dhe të dihet çdo gjë, bota Islame i ka vënë kësaj kufi, duke e ditur se ka gjëra të cilat nuk mund të dihen, dhe kufijë të cilët nuk mund të tejkalohen, siç janë: Shpirti, bota e xhinëve, bota e melaikeve, nata e varrit, Zjarri dhe Xheneti, ndodhitë e Ditës së Kijametit, të gjitha këto përbëjnë botën e gajbit të cilën njeriu nuk mund ta kuptoj. Thotë Allahu i Lartësuar:
    Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket Zotit tim, e juve ju është dhënë pak dije”. (el Isra, 85)

Vlera e të menduarit

Të menduarit është prej llojeve më të mira të ibadetit. Ka thënë ebu Derda (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “Të menduarit një kohë të shkurtër është më e mirë se namazi i natës”. Gjithashtu ka thënë ibn Abasi (Allahu qoftë i knaqur prej tij): “Dy rekate me meditim janë më të mira sesa namazi i natës me zemër të shkujdesur”.

Shkaqet e mendimit të drejtë

  • Kërkim mbrojtja nga shejtanët
    Allahu i Lartësuar na porosit që të kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej shejtanit të mallkuar para leximit të Kuranit, sepse të menduarit dhe meditimi rreth ajeteve të Kuranit janë prej fushave më të rëndësishme për tu medituar, kështuqë kërkimi i mbrojtjes para fillimit të leximit është prej shkaqeve që ia largon njeriut cytjet e shejtanit.
  • Largimi nga gjynahet
    Thotë Allahu i Lartësuar: “Unë do t’i zmbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, dhe nëse shohin rrugën e shpëtimit nuk e marrim atë rrugë, e nëse e shohin rrugën e gabuar ata e marrin atë rrugë. Këtë (këtë verbërim të tyre), ngase ata i konsideruan të rreme faktet Tona dhe ngase i lanë pas dore ato.” (el A’raf, 146)

    Ka thënë El-Hasen në komentimin e këtij ajeti: Fjala e Allahut “Unë do t’i zmbraps nga argumentet e Mia ata ..” do të thotë: “Do t’i privoj zemrat e tyre nga të menduarit rreth çështjes Sime”.

Përktheu: E. Kosumi

Lexo: Ngjallja e zemrës

Të tjera