Në qoftë se do të kërkonim prej shumicës së njerëzve që ti përmendin të drejtat e shefit karshi tyre , përgjigjen do ta merrnim për një kohë shumë të shpejtë. Ngjashëm me këtë, në qoftë se dikush do të pyetej për të drejtat e bashkëshortit ose fëmijëve, ose në fakt edhe për të drejtat e kafshëve shtëpiake ose për pajisjet elektronike, nuk do të duhej të presim gjatë për një përgjigje. Por, në qoftë se të njëjtët do të pyeteshin për të drejtat e Kur’anit; për dhuratën e Allahut njerëzimit; për atë libër që ne pretendojmë se na rregullon dhe sistemon jetën, atëherë shumë prej nesh do të stagnonin për përgjigjen. Kështu pra, ne duhet të mundohemi t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë përpara se të vijë ajo Ditë kur Kur’anit do ti dëgjohet zëri. Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lexojeni Kur’anin, sepse ai do të vijë si ndërmjetësues për ata që e lexojnë atë.”[1]
Kështu pra në këtë artikull ne do të shqyrtojmë vetëm pesë obligimet tona ndaj Kur’anit .
- Të dëgjuarit me vëmendje
Ka thënë Allahu në Kur’an:
Kur lexohet Kur’ani , ju dëgjonie atë (me vëmendje ) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.[2]
Ky rregull nuk është plotësuar nëse e kemi lëshuar në shtëpi apo veturë por nuk e kemi dëgjuar dhe nuk ja kemi dhënë vëmendjen e domosdoshme. Ky ajet na urdhëron që të angazhohemi në Istima (të dëgjuarit) dhe Insat (të kushtuarit vëmendje) gjatë kohës kur Kur’ani recitohet. Dijetarët thonë: “Istima është të dëgjosh, por Insat është të dëgjosh pa folur”
Kur këto dy kushtet plotësohen edhe mëshira e Allahut arrihet.
Pavarësisht faktit se Kur’anin Allahu e zbriti për mbarë njerëzimin nëpërmjet Muhammedit, salAllahu alejhi ue selem, Profeti ynë kënaqej kur dikush ia recitonte Kur’anin atij.
Abdullah Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) tregon: “Një herë Pejgamberi (sala Allahu alejhi sel-lem) më tha: “Më recito (diçka nga Kur’ani).” I thashë: “Unë të të recitoj ty Kur’an, ndërsa ai të ka zbritur ty?!” Ai (sala Allahu alejhi sel-lem) më tha: “Më pëlqen ta dëgjoj atë nga të tjerët.” Kështu, unë fillova të recitoj suren En-Nisa. Kur arrita tek ajeti:
Si do të jetë atëherë kur Ne do të sjellim nga çdo komb dëshmues dhe do të të sjellim ty (o Muhamed) dëshmues mbi ata të gjithë? (Kur’an, 4:41)
ai (sala Allahu alejhi sel-lem) më tha: “Ndalo!” dhe nga sytë i rridhnin lot!”[3]
Pesëdhjete vite përpara ose edhe më shume, kryerja e këtij obligimi shihej si diçka tejet e vështirë nga shumica e njerëzve, sidomos atyre që nuk mund të lexonin. Shumë prej tyre duhej të prisnin nga njëri Ramazan në tjetrin për të dëgjuar recitimin e Kur’anit. Ata nuk kishin internet, televizorë, MP3. Me përparimin e teknologjisë më moderne ky obligim është bëre shumë i lehtë për tu kryer.
- Recitimi
Unë jam urdhëruar të adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti, dhe jam urdhëruar të jem prej besimtarëve të sinqertë. E, edhe ta lexoj Kur’anin…[4]
Recitimi i Kur’anit është një urdhër nga Allahu. Allahu thotë gjithashtu në Kur’an: “..dhe Kur’anin lexoje me vëmendje.”[5]
Kështu pra, ne duhet ta kuptojmë që mësimi elementar i gjuhës arabe dhe texhvidit është gjithashtu një urdhër nga Allahu. Për më shumë, përderisa recitimi i Kur’anit është një obligim i cili nuk mund të kryhet pa njohuri elementare te gjuhës arabe dhe texhvidit, kjo e bën edhe këtë të llogaritet si një obligim. Është thjeshtë e papranueshme fakti që një mysliman i cili ka arritur moshën 30 ose 40 vjet, të bëjë ende gabime të njëjta në leximin e fjalëve të Allahut. Muhammedi, salAllahu alejhi ue selem ka thëne: “Ai i cili e lexon një shkronjë prej librit të Allahut e ka një sevap dhe një sevap shpërblehet dhjetë fish. Nuk po them (elif-lam-mim) një shkronjë , mirëpo Elif një shkronjë, Lami një shkronjë dhe Mimi një shkronjë.”[6]
Në qoftë se do na merreshin celularët nga ne për vetëm 30 minuta, do të përjetonim ankth , dhe stres derisa të na kthenin prapë, por të shumtë nga ne lejojmë ta kalojmë një ditë të plotë pa lexuar Kur’an dhe bile as që e vërejmë këtë. Në qoftë se do duhej ta linim shtëpinë pa celularët tanë do ktheheshim edhe njëherë në shtëpi për ti kërkuar, por nëse dalim nga shtëpia pa një kopje të Kur’anit a do ktheheshim të kërkonim për të në të njëjtën mënyrë ? Është jashtëzakonisht e domosdoshme që të fillojmë ti kuptojmë prioritetet tona.
- Memorizimi
Allahu ka thënë në Kur’an: “Por jo, ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria…”[7]
Shumë shpejtë, unë dhe ti do të duhet të recitojmë nga Kur’ani atë që e kemi mbajtur mend, pa pasur mundësi për ta përmirësuar , ose për të kërkuar ndihmë.
Gradën për të cilën luftoni ta arrini në Xhenet është e lidhur ngushtë më atë se sa Kur’an keni memorizuar ju në dunja .
- Meditimi
Në vendin tonë kemi institucione të panumërta për memorizimin e Kur’anit, elhamdulilah, por gjithsesi po mungojnë institucione për të na e mësuar artin e meditimit te Kur’anit.
Kemi gjithashtu ajete në Kur’an që kritikojnë ata të cilët nuk meditojnë rreth fjalëve te Allahut.
A nuk e menduan ata thellë fjalën (Kur’anit)…”[8]
Secili prind është i lumtur ta shohë fëmijën e tij që mëson përmendësh Kur’anin dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Por shumë pak shohim prindër që mundohen me çdo kush t’ia mësojnë fëmijëve të tyre meditimin dhe kuptimin e fjalëve të Allahut edhe pse kjo është njëra ndër arsyet kryesore pse edhe është zbritur Kur’ani.
Allahu ka thënë në Kur’an:
(Ky është ) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që ti studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tin ata që kanë mend.[9]
- Zbatimi
Ky është fryt i meditimit. Thotë Allahu në Kur’an:
Dhe ky është libër, dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbajuni këtij, ruajuni ashtu që të mëshiroheni.[10]
Qasja e sahabëve drejtë studimit të Kur’anit ishte një bashkim mes memorizimit të Kur’anit dhe zbatimit të tij në jetën e tyre. Ishin vetëm disa sahabe të cilët e memorizonin Kura’nin nga një kapitull në tjetrin por përsëri drejtësia e Kur’anit arriti deri në skajet tjera të botës nëpërmjet tyre. Ata pjesën e mësuar të Kur’anit e vinin edhe në praktikë.
Sot hafizë të Kur’anit kemi më qindra ose mijëra, por gjendja jonë si Ummet asnjëherë s’ka qenë aq delikate dhe e keqe. Të kuptuarit, meditimi dhe zbatimi i fjalëve të Allahut na mungon, kjo është edhe arsyeja e gjendjes tonë.
Nga kjo që u tha pikat tjera që do i përmendim konsiderojini si një projekt për veten tuaj : Nga leximi i përditshëm i Kur’anit që bëni, ndani disa pjesë me qëllim për ti vënë edhe në praktikë ato. Për shembull përderisa lexoni 20 faqe të Kur’anit merreni një laps dhe një letër dhe nxirrni në to urdhëresat dhe ndalesat. Pas një muaj do ta keni të përfunduar të gjithë Kur’anin. Pastaj krahasoni shënimet tua dhe vendoseni në praktikë gjatë jetesës suaj me bashkëshortin/en, fëmijët, ose shokët. Së fundmi, do ta keni një dokument përmbledhës se çka kërkon Allahu nga ju. Unë besoj fuqishëm që në qoftë se ky projekt do të zbatohej me seriozitet dhe sinqeritet nga ne, do të ishte një nga veprat më të mëdha me të cilën do ti dalim përball Allahut në Ditën e Gjykimit.
Perktheu: V.M
[1] Muslimi nr. 804.
[2] Araf, 204
[3] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi
[4] Neml, 91-92
[5] Muzemil, 4
[6] Tirimidhiu nr. 2910 (hadithi hasen-sahih)
[7] Ankebut, 49
[8] Muminun 68
[9] Sad, 38
[10] Enam, 155