Populli i cili është përmendur në Kur’an me emrin Sabi’in

by Uniteti-Admin

Thotë Allahu (subhanehu ue teala): “Me të vërtetë ata që besuan dhe ata që ishin Jehudi dhe të Krishterë dhe Sabi’in prej të cilëve kanë besuar Allahun (që janë bërë musliman) dhe Ditën e Fundit dhe të cilët kanë punuar vepra të mira, ata do të kenë shpërblim tek Zoti i tyre dhe s’do të ketë frikë për ata dhe as brengë”.

(el Bekare 62)

Qëllimi i këtij ajeti i cili u përmend është që të ndalemi dhe të përmendim thëniet komentatorëve të Kur’anit rreth asaj se kush janë populli Sabi’in. Ky është vetëm një prej disa ajeteve ku përmendet ky popull.

Rreth asaj se kush janë Sabi’inët ka tetë mendime të dijetarëve:

Mendimi i parë: Transmetohet se Seid ibn Xhubejri ka thënë se Sabi’inët janë një popull apo një fe në mes të Krishterëve dhe Jehudive.

Mendimi i dytë: Transmetohet prej Muxhahid ibn Xhebr-it se Sabi’inët janë popull mes Mexhusive, të Krishterëve dhe Jehudive dhe nuk kanë fe aspak.

Mendimi i tretë: Transmetohet prej ebi el Alije dhe ed Dahhak se Sabi’inët janë grup i Krishterëve të cilët e lexojnë Zeburin.

Mendimi i katërt: Transmetohet prej el Hasen se Sabi’inët janë sikurse Mexhusët (Zjarrputistët).

Mendimi i pestë: Transmeton ibn ebi Zenad prej babait të tij se Sabi’inët janë popull  që banojnë nëpër Irak dhe të cilët i besojnë të gjithë pejgamberët dhe të cilët agjërojnë një muaj prej tridhjetë ditëve njëher në vit dhe të cilët e falin namazin në drejtim të Jemenit pesëdhjetë herë në ditë.

Mendimi i gjashtë: Transmetohet prej ebi Xha’fer er Razi se ka thënë se Sabi’inët janë popull që i adhurojnë melekët, e lexojnë Zeburin dhe falen në drejtim të Kibles.

Mendimi i shtatë: Transmetohet prej Uehb bin Minbeh se ka thënë se Sabi’inët janë që e njohin Allahun Një, por nuk kanë Sheriat sipas të cilit ata punojnë.

Mendimi i tetë: Transmetohet prej Muxhahidit se Sabi’inët janë në mes Mexhusive dhe Jehudive dhe të cilët s’kanë fe.

Prej: AbdulAziz el Halife

Përktheu: Enis Arifi

Të tjera