Pse duhet femra të mbulohet?

by Uniteti-Admin

Mbulesa (Hixhabi) e femrës muslimane konsiderohet adhurim (ibadet), mbrojtje për trupin dhe dinjitetin e saj dhe nuk është ashtusiç e propagojnë mediat se kinse mbulesa është shtypje dhe presion ndaj femrës dhe marrje e lirisë së saj.

Mbulesa është akt i bindjes ndaj All-llahut dhe ndaj Pejgamebrit të Tij.

Thotë All-llahu në Kur’an: “Nuk i takon besimtarit apo besimtares që kur All-llahu  dhe Pejgamberi kanë vendosur një çështje, ata (besimtarët) të kenë opcion në zgjedhjen e tyre. Ata të cilët bëjnë gjunah ndaj All-llahut dhe Pejgamberit kanë humbur në humbje të vërtetë”. (33:36)

Femra muslimane duhet që ta mbulojë tërë trupin e saj me teshë e cila nuk i tërheq shikimet e meshkujve dhe me teshë e cila nuk është e tejdukshme apo e ngushtë. Disa prej dijetarëve të Islamit thonë se i tërë trupi i femrës duhet mbuluar, duke përfshirë duart dhe fytyrën e femrës duke u bazuar në tekstet të cilat kanë ardhur në Kur’an dhe në Sunet edhe poashtu fakti logjik dhe i njohur prej të gjithëve, fakt të cilin askush s’mund ta mohojë, e ai është fakti se fytyra e femrës është prej gjërave më të bukura në trupin e saj dhe është gjëra e parë të cilën e shikon mashkulli përpara se të gjykojë për gjërat tjera në trupin e saj. Por sidoqoftë ka edhe dijetarë të cilët thonë se mjafton që femra ta mbulojë tërë trupin e saj në përjshatim të duarve dhe fytyrës. All-llahu e din më së miri.

Mbulesa është modesti:

Thotë All-llahu (subahnehu ue teala) për çështjen  e veshjes së femrës: “O ti Pejgamber thuaju grave tuaja dhe bijave tuaja dhe grave të besimtarëve që  t’i lëshojnë teposhtë (prej kokës) mbulesën e jashtme mbi ta (mbi trupat e tyre), kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë të pandershme) dhe të mos keqtrajtohen. All-llahu është Falës dhe Mëshirues”. (el Ahzaabë 59)

Mbulesa është pastërti:

All-llahu na ka treguar për urtësinë e obligueshmërisë së hixhabit (mbulesës) dhe ka thënë: “Dhe kur të kërkoni diçka atyre (prej grave të Pejgamberit), kërkone atë prej pas hixhabit (perdes) sepse kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre”. (el Ahzaabë 53)

Hixhabi bën që zemrat e burrave dhe të grave të jenë më të pastra, përshkak se hixhabi është pengesë e dëshirave të zemrës. Pa hixhabin (mbulesën) zemra mund të dëshirojë apo mund të mos dëshirojë, prandaj zemra është më e pastërt kur shikimi është i bllokuar prej mbulesës dhe në këtë mënyrë ndalohet rënia në sprovë. Pra mbulesa i pret mendimet e këqija dhe e pret zilinë e zemrave të sëmura.

Thotë All-llahu (subhanehu ue teala): “Mos flisni butë (me zë provokativ) dhe në këtë mënyrë të anojë kah ju (me qëllim për amoralitet ose dyfytërsi) a i cili ka sëmundje në zemër, por flisni në mënyrë të mirë (në mënyrë të matur)”. (el Ahzaabë 32)

Mbulesa është mburojë:

Tranmsmetohet se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ai (All-llahu) e don të turpëruarit dhe e don të mbuluarit”, poashtu ka thënë: “Ajo grua e cila zhvesh teshat e saja në një shtëpi të dikujt tjetër përpos  shtëpisë së burrit të saj (për të shfaqur atë që është haram prej trupit të saj), ajo e ka thyer mburojën e All-llahut mbi veten e saj.” Pra hadithi tregon se çfarë vepre ka bërë njeriu, po në atë masë do ta ketë shpërblimin apo dënimin.

Mbulesa është ruajtje e bukurisë së femrës dhe bukuria e femrës është më e mirë sesa dijamanti. Dijamantin e çmuar askush s’guxon ta prek apo ta shikojë, sepse dijamanti është shumë i vlefshëm për tu shikuar prej secilit, pra edhe femra muslimane është tepër e çmuar dhe e vlefshme për tu shikuar prej secilit.

Mbulesa është devotshmëri:

Thotë All-llahu: “O ju bijtë e Ademit, Ne zbritëm për ju petk që të mbuloheni dhe petk zbukurues, por petku i devotshmërisë është ai më i miri…”. (el A’raafë 26)

Ditëve të sodit shumica e llojeve të teshave në botë janë tesha më së shumti zbulojnë sesa që mbulojnë dhe nuk meren si mbulesë për trupin e gruas. Sidoqoftë për femrën besimtare qëllimi i mbulesës ndër tjerat është bindja ndaj urdhërit të All-llahut për tu mbuluar si dhe për ta mbrojtur trupin e tyre, pra mbulesa është devotshmëri.

Mbulesa është iman (besim):

All-llahu (subahnehu ue teala) nuk e urdhëron dikënd tjetër që ta vesh mbulesën përveçse femrës besimtare dhe në shumë ajete përmendet një gjë e tillë. Përmendet se kur Aishja gruaja e Pejgamberit kur është takuar më disa gra prej fisit Benu Temim të cilat kishin ardhur që ta vizitojnë atë dhe të cilat kishin të veshura tesha të lehta dhe të cilat nuk ishin të mbuluara në mënyrë adekuate, me këtë rast Aishja ju thotë atyre: “Nëse jeni gra besimtare, kjo veshja e juaj nuk është veshje e grave besimtare, ndërsa nëse nuk jeni gra besimtare, atëherë kënaquni me të.”

Mbulesa është xhelozi:

Mbulesa  është pjesë e turpit dhe xhelozisë që e ka njeriu në brendinë e tij dhe njëkohsisht është ndjenjë e drejtë dhe e saktë e një burri i cili nuk dëshiron që dikush t’ia shikon atij gruan, vajzën, motrat etj. Xhelozia është emocion i cili e çon njeriun e drejtë që t’i ruaj gratë që janë të afërta të tij prej njerëzve të huaj. Burri musliman ka xhelozi për të gjitha gratë muslimane. Ndërsa ka njerëz që shikojnë me epsh dhe dëshirë te gratë e huaja dhe nuk ju pengon nëse burrat tjerë ia bëjnë atij të njëjtën gjë në gruan apo vajzën e tij. Përzierja e femrave dhe meshkujve dhe mungesa e mbulesës e shkatërron xhelozinë tek burrat. Islami e konsideron xhelozinë si pjesë të besimit. Nderi dhe dinjiteti i gruas, vajzës ose i cilësdo muslimane duhet të jetë i respektuar dhe i mbrojtur.

Dhe për fund do të përmendim se çka ka shkaktuar mungesa e modestisë dhe i ashtuquajturi “modernizim”

  1. Shoqëri të koruptuar ku trupat e femrave përdoren si objekt për reklamim.
  2. Numër të madh të dhunimeve në shoqëritë joislame në krahasim me shoqëritë islame.
  3. Marrdhëniet seksuale praktikohen si lojë e çmendur e paorganizuar mes individëve që rezulton me lindjen e shumë fëmijëve që nuk ju dihet se kë e kanë baba.
  4. Shtatëzëni të shumta të femrave në moshë shumë të re.
  5. Përqindje të mëdha të aborteve.

Mbulesa e bën gruan që të shikohet sikur një qenie njerëzore dhe jo si një objekt për ti ngopur epshet e burrave. Mbulesa e bën gruan që të gjykohet mbi të duke u bazuar në personalitetin, diturinë, inteligjencën e saj dhe jo të gjykohet vetëm në bazë të pamjes së saj fizike.

Përgatiti: Enis Arifi

 

 

 

 

 

Të tjera