Ramazani mes ëndrrës dhe realitetit

by Uniteti-Admin

Planprogram i realizueshëm për një Ramazan të mirë

Falënderimi i takon Allahu, ndërsa përshëndetjet më të mira qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, familjen, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë këtë pejgamber deri në fund të kësaj bote.

Me afrimin e ditëve të para të Ramazanit secili besimtar ballafaqohet me ndjenja të çuditshme dhe me furtunë emocionesh gati se të pakontrollueshme rreth asaj se çka duhet të bëjë gjatë këtyre ditëve. Fillon Ramazani dhe e gjen njeriu veten përpara një dere të madhe të mirësive dhe begative të Allahut të cilat në mënyre shumë të fuqishme e rrethakojnë dhe shpesh e bëjnë atë të ndjehet i papërgatitur për të gjitha këto begati dhe mirësi. Kuptohet, i suksesshëm është ai të cilit Allahu i jep sukses dhe nuk ka diskutim në këtë gjë, por prej suksesit që Allahu ia jep robit të Tij është që ai t’ia mësyj drejtimit të duhur në marrjen e hapave të saktë drejt përmbushjes se nevojave të tija në raport me Allahun dhe me krijesat apo arritjes së synimeve të tija, qofshin ato në rrafshin e jetës jashtë Ramazanit apo synimeve që kanë të bëjnë me Ramazanin.

Andaj, mendoj që një prej problematikave me të cilat ballafaqohemi është ngritja e standardit individual në mënyrë joracionale, d.m.th. ai vet e ngrit këtë standard, kështu që e bën atë shumë vështirë të realizueshëm, apo mos të them të pamundshëm. Si pasojë e gjen atë se prej synimeve të tija gjatë Ramazanit është që të kryej pesë hatme (lexim i Kuranit prej në kopertinë deri në kopertinë) ndërsa ai akoma ka probleme me gjërat më bazike të recitimit të Kuranit, sikurse janë njohja e mirëfilltë e shkronjave (elif, ba, ta) apo shqiptimi i tyre në mënyrë të duhur. Apo e gjen atë se prej synimeve të tija është që përpos faljes së teravive, të falë edhe disa rekate (4,8) në shtëpi para imsakut, kurse ai jashta Ramazanit ka probleme me namazet e obligueshme apo me dymbëdhjetë rekatet sunete të rregullta. I gjithë ky intensitet rezulton me një plogështi e cila e kaplon vetëm pas pak ditësh të Ramazanit, kështu që i lë ibadetet e synuara apo të planifikuara, madje ndoshta lë me to edhe adhurime tjera që i ka kryer para hyrjes së muajit.

Për këtë, mendoj që secili prej nesh duhet ta ketë një planprogram paraprak në të cilin do të mbështetet në arritjen e synimeve personale përgjatë Ramazanit, por siç thash, medoemos qe planprogrami të jetë i realtë dhe i përshtatshëm për gjendjen dhe statusin e robërisë së tij ndaj Allahut. Me fjalë tjera, ky kurs intensiv, i mishëruar në përjetimet ramazanore duhet të jetë shtytje të ngritjes së nivelit të raportit tonë me Allahun, por në mënyrë që përputhet me natyrën e njeriut dhe rrethanat që e rrethojnë atë, duke mos e tepruar në asnjë ekstrem, as në atë ku do të vendosë synime të paarritshme, por as edhe në atë që Ramazanin ta bëjë gati se të njëjtë me muajt tjerë, sikurse është gjendja e shumë prej besimtarëve fatkeqësisht. 

Këtu do të gjeni një planprogram të thjeshtësuar dhe në vija të trasha, i cili mendoj që do të jetë i përshtatshëm për shumicën, sidomos për ata që ramazane me radhë dështojnë të realizojnë diçka prej objektivave të tyre, por mendoj se është i përshtatshëm për ambiciozët serioz, të cilët vit pas viti korrin suksese në vjeljen e frutave të punës së tyre gjatë muajit të agjërimit, duke arritur shumicën e synimeve të vendosura paraprakisht nga ana e tyre. Kuptohet, për ambiciozët mund të duket diçka e thjeshtë, dhe ashtu është, por ata mund të shtojnë në këtë listë modeste vepra që janë të përshtatshme me gjendjen dhe zellin e tyre, e Allahu i jep sukses kujt të dëshirojë Ai.

Vërejtje: Qëllimisht nuk ka përmendur adhurime të obligueshme, sikurse është namazi, sepse nuk paramendohet që ne të diskutojmë për këtë temë, ndërsa ne kemi problem me namazin obligativ, njëjtë sikurse nuk e përmendim agjërimin gjatë Ramazanit, sepse siç nuk paramendohet Ramazan pa agjërim, nuk paramendohet jetë pa namaz. Poashtu, vlen të theksohet se nuk e kam cekur largimin prej ndonjë forme të mëkatit, sepse mëkatet janë vepra të shëmtuara gjithmonë, por shtohet gjynahi i mëkatit akoma më shumë gjatë këtij muaji.

  • Kurani: Secili besimtarë duhet ta gjejë veten në këtë pikë, sepse Ramazani është muaji i Kuranit dhe të gjithë ne, pa marrë parasysh nivelin e njohjes së Kuranit, duhet të krijojmë raport të veçantë me Librin e Allahut përgjatë Ramazanit. Kuptohet që ata që dinë leximin dhe recitimin e Kuranit, mundohen që të kryejnë sa më shumë hatme, të tjerët të lexojnë sa më shumë faqe, ata që nuk i dinë shkronjat mundohen t’i mësojnë ato dhe të lexojnë madje edhe disa faqe të Kuranit gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit. Por, kam vërejtur diçka, e ajo është se shumë prej nesh synimet në raport me Kuranin i kanë në aspekt të hatmeve dhe faqeve të lexuara, andaj e sheh se si njerëzit nguten gjatë recitimit, sepse ai ka numër të caktuar faqesh që e ka paraparë se duhet të lexohen për atë ditë, ndërsa unë kisha thënë që synimi të jetë në aspekt të kohës së kaluar me Kuranin, d.m.th. mos të shikohet rezultati në aspekt të faqeve të recituara, por në aspekt të kohës që e ndajmë ne për ndeje kuranore dhe me këtë kam për qëllim recitimin, leximin e kuptimeve, lexim të tefsirit, meditim rreth këtyre kuptimeve dhe pyetje që do ti regjistroj për t’i parashtruar para atyre që dinë. Andaj kjo është shumë më domethënëse sesa që dikush prej nesh të lexojë një apo dy xhuza në ditë. Parashtrohet pyetja: Sa kohë duhet të ndajë unë për të gjithë këtë? Kisha thënë që për njerëzit me shumë angazhime ditore mjafton prej 60-90 minuta në ditë, përgjatë gjithë Ramazanit, kuptohet ndoshta me intensitet më të lartë në javën e fundit të muajit. Me këtë, ne për një muaj e kemi studiuar Kuranin mesatarisht 35-40 orë. Për ambiciozët kjo është pak, por atë ambicie që e kanë duhet ta shfrytëzojnë dhe këto orë t’i shumëfishojnë. 
  • Namaz vullnetar: Kuptohet që këtu përfshihen teravitë derisa imami ta mbarojë namazin, sepse ato janë prej simboleve të këtij muaji, por me namaz vullnetar kam për qëllim ato namaze vullnetare individuale. 
  • Para se të përmendim diçka rreth namazeve vullnetare, medoemos që të cekim faljen e namazeve të obligueshme me xhemat në xhami, sepse kjo është periudhë e mirë për përmirësim për besimtarin që ka mangësi në këtë aspekt dhe i ikin namazet në xhami, andaj falet në shtëpi.
  • Kujdesi për dymbëdhjetë rekate sunete të rregullta gjatë një nate dhe dite, sepse shohim lëshim tek besimtarët në këtë çështje.
  • Falja e namazit të duhasë, apo shurukut, namazit që falet para mesditës, sepse shpërblimet për të janë të njohur.
  • Falja e namazeve me qetësi dhe përkushtim, duke mos qenë fokusimi në numrin e rekateve, por në mënyrën se si falen këto namaze, me fjalë tjera vlen e njëjta ajo që e thamë edhe tek koha e ndarë për leximin e Kuranit.
  • Praktikimi i dhikrit të mëngjesit dhe mbrëmjes, por të bëhen ngadalë dhe me përkushtim. Poashtu të bëhet duaja para ifarit si pjesë e dhikrit të mbrëmjes që e bën besimtari çdo ditë.
  • Shtimi i lëmoshës dhe praktikimi i saj çdo ditë, e kulminacioni i gjithë kësaj të jetë Sadekatul Fitri që e nxjerr njeriu para ditës së Bajramit të Fitrit. Mos të jetë i gjithë fokusi në atë sa japim, e rëndësishmja është të jepet dhe secili jep varësisht mundësive të tija, por në lëmoshën e nxjerrë duhet ta mendojë të mirën që ia jep Allahu atij, ta mendoj sprovën në të cilën gjendet ai që e merr lëmoshën, të jetë i përkushtuar dhe me nijet të lartë se shpërblimi dhe sundimi është në Duart e Allahut.
  • Dhënia dhe marrja e këshillave për një Ramazan të mirëfilltë. Mos të bëhemi në pozitë vetëm të japim këshilla, por të japim dhe të marrim, sepse ai që vetëm jep këshilla nuk e din se si është të jesh nga ana tjetër ku duhet të pranosh këshillën, andaj duhet të jemi në të dy rolet dhe situatat, për të kuptuar secilën palë sa më mirë.
  • Shtrimi i iftareve për agjëruesit, madje kishim shtuar edhe shtrimin e syfyrëve për ta, sepse këto ushqime që ne i shtrojmë për njerëzit që hynë në agjërim apo me ushqimin tonë e prishin agjërimin, janë ushqime të bereqetshme dhe gjurmët e këtij bereqeti i gjejmë në dynja, para se ti gjejmë në Ahiret. Kuptohet kjo është sipas mundësive që i kemi.
  • Lutja në pjesën e fundit të natës, gjegjësisht para imsakut, sepse është kohë kur pranohen lutjet. Ky është rast i rrallë, andaj gjatë gjithë vitit sa prej nesh janë të çuar në këtë pjesë të begatë të natës që ta lusin Allahun dhe të kërkojnë strehim prej tij nga gjërat që i shqetësojnë?! Për shkak të syfyrit shumica janë të çuar dhe presin kohën e imsakut, por pak e shfrytëzojnë që të vetmohen me Zotin e tyre dhe t’i drejtohen Atij me lutje dhe pendim. 
  • Të minimizojmë gjumin dhe gjërat që na e humbin kohën. Edhe pse këto fatkeqësisht janë të synuara nga shumë prej agjëruesve, të cilët nuk durojnë dot në vështirësitë që ata i gjejnë gjatë ditëve të agjërimit, andaj e shohin veten si të obliguar që ta humbin kohën në gjëra të padobishme dhe të kota, madje edhe shpesh në gjëra të ndaluara fetarisht.
  • Të ëmbëlsojmë dhe zbukurojmë fjalorin në këto ditë, sepse nuk i ngjan besimtarit, e më së paku agjëruesit që të jetë ofendues, i vrazhdë apo mallkues, por ai duhet të jetë gojëmbël dhe i matur ne fjalët dhe veprimet e tija.

Këto janë vetëm disa këshilla praktike, të cilat për disa janë minimale dhe ky fakt na gëzon, por për të tjerët, madje shumicën mendoj që janë të arritshme dhe të realizueshme, ndërsa suksesi vjen prej Allahut.

Përgatiti: Ali Ashani

Të tjera