Këto tridhjetë ditë që po afrohen për të na mbuluar, do të kalojnë aq shpejt sa një vetëtimë apo një re vere. Allahu i Lartësuar i ka përshkruar ato si “ditë të numëruara”, për të na treguar se janë të pakta dhe të lehta për t’u kaluar. Megjithëse janë të pakta dhe kalimtare, ato janë mundësia jonë e çmuar për t’u liruar nga prangat e trupit, për të fluturuar sërish me krahët e shpirtit dhe për të krijuar horizonte të reja lumturie. Prandaj, mos lejo asgjë të të ndalojë nga sigurimi i një jete shpirtërore të begatë gjatë këtyre ditëve kaq të afërta!
Çfarëdo që të jetë profesioni yt, bindjet e tua, mendimet e tua apo niveli yt i mëparshëm i përkushtimit fetar, mos lejo që asgjë të të ndalojë nga fitorja në garën e Ramazanit! Mos e lër askënd të të vjedhë dritën e vetmisë mes shtyllave të xhamisë, apo të të grabisë ëmbëlsinë e lutjes drejtuar Zotit të tokës dhe qiejve. Mos humb kënaqësinë e reflektimit mbi ajetet e Allahut, qofshin ato nga libri i Tij apo nga universi që Ai ka krijuar. Mos e humb gëzimin e përsëritjes së hatmeve të Kur’anit dhe të gjitha llojet e adhurimeve që përfshihen në fjalën e Allahut:
“Bëni mirë që të shpëtoni!” (El-Haxh: 77)
Mos u lëkund kur sheh disa njerëz që vazhdojnë në pakujdesinë e tyre, sepse njerëzit ndryshojnë në veprat e tyre në varësi të besimit dhe bindjes së tyre për botën tjetër. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Vërtet, atyre që nuk besojnë në botën tjetër, ua kemi zbukuruar veprat e tyre, prandaj ata enden të humbur.”(En-Neml: 4)
Besimi i fortë në botën tjetër e bën vizionin e qartë, shpirtin të pastër dhe rregullon standardin e veprave. Ndërsa moskujdesi ndaj jetës pas vdekjes e mbështjell shpirtin me një perde të trashë të verbërisë, hutimit dhe pakujdesisë ndaj kohëve të bekuara të adhurimit.
Një nga adhurimet më të mëdha në këtë muaj të bekuar është lutja dhe insistimi në të, sepse ajo është derë e madhe e begative, themel i suksesit dhe përmbledhje e gjithë të mirave. Siç thotë tabi’iu i nderuar Mutarrif ibn Abdullahu – Allahu e mëshiroftë: “E mendova: Cila është përmbledhja e të gjitha të mirave? Dhe pashë se të mirat janë të shumta: agjërimi, namazi… dhe kuptova se ato janë në dorën e Allahut. Dhe ti nuk mund t’i arrish ato, përveçse duke e lutur Allahun që t’i dhurojë. Kështu, përmbledhja e të gjitha të mirave është lutja!”1
Një nga bukuritë e kësaj feje është se njeriu shpërblehet për thjesht vendosmërinë e tij për të bërë një vepër të mirë, edhe nëse nuk arrin ta realizojë. Besimtari i mençur e vendos me veten që të kryejë vepra të mira, sepse njeriu shpërblehet për qëllimin e tij edhe nëse nuk ka vepruar, ndërsa nuk shpërblehet për një vepër të bërë pa qëllim të mirë. Kush ka një qëllim të mirë, por pengohet ta realizojë, ai merr shpërblimin e plotë të veprës sikur ta kishte kryer!
Në fenë tonë, adhurimi ka një kuptim të gjerë. Në kulmin e saj është shahadeti (dëshmia e besimit), ndërsa në fund është heqja e një pengese nga rruga. Adhurimi ndahet në dy lloje:
- Adhurime që përfitojnë të tjerët, si: të ndihmuarit e njerëzve dhe plotësimi i nevojave të tyre.
- Adhurime personale, si: përmendja e Allahut, leximi i Kur’anit dhe itikafi (qëndrimi në xhami).
I Dërguari i Allahut ﷺ ishte më bujari në Ramazan, duke ndihmuar të tjerët, ndërsa në të njëjtën kohë, ai qëndronte në itikaf, duke iu përkushtuar adhurimit personal.
Disa njerëz e vlerësojnë më shumë ndihmën ndaj të tjerëve sesa adhurimet personale, por kjo është një mangësi në kuptim, sepse baraspesha mes të dyjave është ajo që ndërton një iman të fortë. Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Nuk është gjithmonë më e mira të bësh diçka që u sjell dobi të tjerëve. Njeriu duhet të ketë orë në të cilat i lutet Zotit, qëndron vetëm me veten dhe e llogarit veten. Kjo është më e mirë sesa të jetë gjithmonë në shoqëri me të tjerët dhe t’u bëjë dobi atyre. Për këtë arsye, vetmia e njeriut me Zotin e tij gjatë natës është më e mirë sesa të jetë mes njerëzve.”
Prandaj, merr një pjesë nga ky muaj për të qenë vetëm me Allahun në adhurim, reflektim, lexim të Kur’anit dhe lutje.
Adhurimet personale, nëse u jepet e drejta e tyre, ndriçojnë shpirtin dhe e bëjnë atë të pasur, duke e ndihmuar për të dhënë më shumë edhe në adhurimet që i shërbejnë të tjerëve.
Në hadith të saktë, thuhet: “I Dërguari i Allahut ﷺ ishte njeriu më bujar, dhe ai ishte akoma më bujar gjatë Ramazanit kur e takonte Xhibrilin. Kur e takonte Xhibrili, ai ishte më bujar në mirësi sesa era e dërguar (që shpërndan të mirat gjithandej).”
Ibn Haxheri – Allahu e mëshiroftë – kur e komentoi këtë hadith, tha: “Studimi i Kur’anit me Xhibrilin i forconte atij pasurinë shpirtërore, dhe kur njeriu bëhet i pasur shpirtërisht, ai bëhet më bujar.”
Mos e lodh veten aq shumë, e pastaj të dorëzohesh në ditët e para, por bëhu i vendosur në vendosjen e një plani të përshtatshëm. Nga përvoja, më të suksesshmit në Ramazan janë ata që ndjekin tre parime kryesore:
- Kërko ndihmën e Allahut para çdo gjëje.
- Përcakto plane të qarta dhe të qëndrueshme.
- Bashko veprat fizike me adhurimet e zemrës.
Shumica e atyre që dështojnë në përfitimin nga Ramazani, është për shkak të neglizhimit të njërit prej këtyre tre parimeve.
Merri këto si këshilla kalimtare nga një njeri i papërsosur… Allahu qoftë me ty dhe të mundësoftë realizimin e qëllimeve dhe synimeve më të larta!
Nga: Sulejman el-Abudi
Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani
- E transmeton Imam Ahmedi në “Ez-Zuhd” ↩︎
