Rekreacioni në Islam

by Uniteti-Admin
rekreacioni

Jemi në stinën e verës, në stinën e fitneve, në stinën e ngjalljes se epsheve, në stinën e rekreacioneve të ndryshme, pushimeve e udhëtimeve, andaj mendoj se është e rrugës të rikujtojmë se si duhet ta sheh muslimani/ja këtë çështje, pra, çështjen e rekreacioneve.
A janë të lejuara, a konsiderohen humbje kohe, a ka mundësi që ta shndërrojmë në ibadet, ashtu sikurse gjumin dhe ushqimin që  mund t’i shndërrojmë në ibadet përmes nijetit?


Fjala rekreacion në gjuhën arabe njihet si Teruih – “التَرْوِيح” dhe rrjedh nga folja رَوَّح ,e cila ngërthen kuptimet si; gjerësi, hapsirë, çlirim, çlodhje, futje e gëzimit në zemër, kalim prej një gjendje në gjendjen tjetër.


Në fjalorin e gjuhës shqipe gjejmë se fjala rekreacion don të thotë: Një aktivitet i kohës së lirë.


Psikologët thonë se “Nevoja për të bërë diçka për rekreacion” është një element thelbësor i biologjisë dhe psikologjisë njerëzore.


Disa pika në lidhje me rekreacionin nga këndvështrimi islam:

  • Rekreacioni në Islam është i lejuar. Madje edhe Islami e sheh se ajo është nevojë njerëzore, dhe padyshim që Allahu ia lejon njeriut plotësimin e nevojave të natyrshme, në natyrshmërinë në të cilën e ka krijuar. Është transmetuar në shumë hadithe rreth zbavitjes së Pejgamberit (salaAllahu alejhi ue sel-lem) me gratë, shokët, fëmijët dhe me nipat e tij. Rekreacioni apo zbavitja është një lloj rifreskimi, rrimarrje e vetes, rikthim i fuqisë, energjisë dhe vullnetit  për të vazhduar pastaj me punët obligative dhe serioze.
  • Rekreacioni është mjet dhe jo qëllim. Pra,  zbavitja është një prej mjeteve apo rrugëve e cila përdoret për ta mbajtur një ekuilibër mes trupit, mendjes dhe shpirtit. Kur njeriu e ngarkon veten me diçka, duhet pastaj që të relaksohet pak, në mënyrë që përsëri të vazhdojë me punën, sepse ky relaks, kjo zbavitje apo rekreacion ia mundëson atij që të rikthehet në mënyrë më të fuqishme, me një energji më të madhe, sesa të vazhdojë në atë punë pandërprerë. Mirëpo në momentin që rekreacioni bëhet qëllim, synim, pra jetojmë dhe punojmë për të arritur te zbavitja, apo lëmë pasdore punë të rëndësishme apo obligative vetëm që të zbavitemi, atëherë kësisoji edhe i ndryshohet dispozita; nga e lejuar dhe e pëlqyer, në të urrejtur dhe të ndaluar.
  • Rekreacioni nuk duhet të përmbajë asgjë në kundërshtim me Sheriatin, sepse në të kundërtën do të dëmtojë dhe nuk do të jetë shkak për çlirim dhe ekuilibër, por shkak për  shkatërrim dhe tërheqje nga punët obligative. Shembull nëse zbavitja ka të bëj thjeshtë me humorin që bëhet mes shoqërisë apo antarëve të familjes, atëherë ai humor nuk duhet të përmbajë tallje me fenë, gënjeshtër dhe shpifje. Pastaj, gjatë rekreacionit mos të ketë shpërdorim të pasurisë, mos të bëhen shpenzime të tepruara të saj, pastaj mos të ketë përzirje të gjinive të kundërta, mos të jetë zbavitje me diçka që është ndaluar me tekst si: alkooli, bixhozi, muzika etj.
  • Mos të jetë shkak që të pengoj nga detyrimet fetare.
  • Mos të jetë dicka që e dëmton njeriun në çfardo aspekti qoftë.

Rekreacioni është pjesë e jetës, e nëse i përmbahemi këtyre pikave dhe e bëjmë me nijet (qëllim) që të rikthehemi me një energji më të madhe në punët apo ibatetet për të cilat jemi krijuar, edhe gjatë këtij rekreacioni do të shpërblehemi, inshaAllah.


Përgatiti: Eranda Kosumi

Të tjera