Rëndësia e përgatitjes për Ramazan

by Uniteti-Admin
ramazan

Ndërtimi i raporteve me Allahun në mënyrë tē shëndoshë, duke e ndjerë kënaqësinë e kësaj lidhje, bëhet në mënyrë graduale, jo me ekstremizëm, jo me vepra që njeriu nuk mundet të i bartë, jo me vepra që e stërngarkojnë atë, sepse kësisoji veprat nuk janë afatgjate, e as lidhja me Allahun nuk mund të jetë e shëndoshë.

Nëse e kuptojmë këtë atëherë, si mendoni?
A mendoni se nëse ne tregohemi neglizhent këto ditë ndaj leximit të Kur’anit, ndaj namazit të natës, ndaj agjërimit vullnetar, ndaj suneteve e veprave vullnetare në përgjithësi, dhe me datën 1 Ramazan, mundohemi që gjitha veprat e mira, të natës e të ditës, t’i fillojmë përnjëherë, me një dozë të madhe, që nuk jemi kalitur me të, duke qëndruar në namazin e natës nga dy-tri orë, e duke lexuar ditën nga dy-tri xhuza, e shtoja kësaj edhe agjërimin e përditshëm,  do  ia dalim deri në fund me këtë tempo?!
Binduni që jo! Ju e dini edhe vetë, nefsi lodhet shpejtë, nefsi do kalitje e stërvitje! 

Në fakt, Ramazani e ka vlerën që e ka sepse në të gjendet nata e Kadrit, nata në të cilën filloi zbritja e Kur’anit, natë në të cilën shkruhet ardhmëria e jonë, natë e cila gjendet në dhjetëshin e fundit të tij. Atëherë, që të qëllojmë këtë natë, dhjetëshi i dytë i Ramazanit, në aspekt të veprave tona, duhet të jetë më i fortë se dhjetëshi i parë, e dhjetëshi i tretë më i fortë se i dyti. E nëse ne fillojmë Ramazanin me vrull, pikërishtë në ditët dhe netët kur duhet të jemi më të fortë se kurrë, do të ndjehemi më të dobët se në fillim! Pse? Sepse nuk jemi përgatitur për këto ditë! Përgatitja e mirëfilltë duhet të fillojë jo me një Ramazan, por disa muaj para Ramazanit!

Kështu, nëse ende nuk ke filluar përgatitjet, fillo që sot, por jo me nxitim!
Shto çdo ditë nga pak prej veprave vullnetare.
Fillo me namaz të natës me nga dy rekate, pas një jave shto edhe dy tjera, e kështu me rradhë. Fillo me lexim të Kur’anit me nga pesë faqe në ditë, pastaj gradualisht rrite dozën, nëse dëshiron që në Ramazan të lexosh me lehtësi një xhuzë në ditë së paku.

Fitorja apo humbja jonë në Ramazan janë të ndërlidhura me përgatitjet tona para Ramazanit, për Ramazan!

Fitorja apo humbja jonë në Ramazan është, më e pakta, fitore apo e humbje e tërë vitit vijues, në aspekt të Imanit!

Lus Allahun që Ramazani të na gjejë në gjendjen më të mirë të Imanit!

Përgatiti: Eranda Kosumi

Të tjera