Allahu i Lartësuar na ka njoftuar se ka shumë emra me të cilat njeriu mund ta lut Atë, ashtusiç ka thënë në Kur’an: “Të Allahut janë emrat e bukur, pra lutne Atë me ata dhe largohuni prej atyre që i shtrembërojnë emrat e Tij, ata do të ndëshkohen për atë që kanë punuar”. (el A’raafë 180)
Është obligim i muslimanit që t’i njeh disa rregulla të rëndësishme që kanë të bëjnë me Emrat e Allahut dhe këta rregulla burojnë prej Kur’anit dhe Sunetit.
Rregulla e parë: Emrat e Allahut të gjithë janë të bukur
Kjo don të thotë se të gjithë Emrat e Allahut janë të mirë dhe të bukur dhe nuk ka në ata kurrfarë mangësie në asnjë aspekt. Thotë Allahu: “Të Allahut janë Emrat e Bukur, pra lutne Atë me ata”. (el A’raafë 180) Kjo është kështu, sepse këta emra nënkuptojnë se Allahu ka edhe cilësi të plota që burojnë prej këtyre emrave.
Rregulla e dytë: Emrat e Allahut janë emërtime dhe cilësime
Janë emërtime nga aspekti se ata emërtojnë Allahun me emër dhe janë cilësime nga aspekti se ata emra cilesojnë Allahun me cilësi. Ata janë emra të cilat janë sinonim për emërtim të njëjtë, pra për emërtimin e Allahut, psh: emrat e Allahut: Mëshirues, Falës, Shiques, Ndëgjues janë sinonim për emërtimin e Allahut, ndërsa vet emrat në mes veti secili prej tyre e ka kuptimin e vet të pavarur. Ndërsa sa i përket cilësimit, psh: “Dhe Zoti yt është Falës me mëshirë”, pra vet emri “Falës” tregon se Falësi është më mëshirë.
Rregulla e tretë: Emrat e Allahut janë gjë e cila duhet të merret ashtusiç është dhe s’ka hapësirë për logjik në të
Sipas kësaj besimtari duhet që të ndalet aty ku ka argument prej Kur’anit dhe Sunetit dhe nuk shton përtej saj e as nuk pakëson. Argument për këtë është Fjala e Allahut: “Dhe mos paso atë për të cilën nuk ke dituri, se me të vërtetë ndëgjimi, shikimi dhe brendia (zemra) për të gjitha këta do të pyetesh” (el Isra 36)
Rregulla e katërt: Emrat e Allahut nuk janë me numër të caktuar (sepse është Gajb)
Për këtë është argument fjala e Pejgamberit (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në Hadithin e njohur, ku thotë: “(O Allah) Të lutem me çdo emër me të cilin e ke emërtuar Veten Tënde ose të cilin e ke zbritur në Librin Tënd, ose të cilin ia ke mësuar dikujt prej krijesave Tua, ose që e ke fshehur në diturinë e Gajbit (fshehtësisë)” (Hadithi është Sahih, Tranmseton Ahmedi, Hakimi, ibn Hibbani)
Ndërsa Hadithi në të cilin thuhet se Allahu ka 99 emra, bëhet fjalë për ata emra për të cilat Allahu na ka njoftuar në Kur’an.
Nga: Muhamed ibn Salih el- Uthejmin
Përktheu: Enis Arifi