Falënderimi i takon Allahut, kurse selamet dhe salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Transmetimi dhe bartja e thashethemeve është bërë sëmundje e çdo shoqërie, mirëpo është për t’u brengosur se si kjo gjendje alarmante i ka kapluar edhe shoqërite e muslimanëve. Rreziku i kësaj sëmundje vërehet më tepër kur njerëzit bartin fjalë dhe spekulime të cilat aspak nuk janë të vërteta, apo bartin fjalë të cilat ndoshta kanë përqindje të vërtetësisë, mirëpo nuk është e vendit që të shpërndahen në masën e gjërë. Shpesh ndëgjojmë se spekulime dhe thashetheme të rrejshme bëhen shkak për armiqësi mes njerëzve, bëhen shkak për dhunë, bëhen shkak për shkatërrim të familjeve të tëra, etj.
Nëse dëshiron t’a kuptosh sesa e shëmtuar është kjo vepër, mendo rreth “Tregimit të Ifk-ut”[1] dhe si Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) një muaj të tërë qëndroi i brengosur dhe i pikëlluar, shpallja nuk zbriste prej qielli që t’ia bëj të qartë realitetin, ndërsa e dinte se bashkëshortja e tij është e ndershme dhe pastër. Shumë prej muslimanëve ishin sprovuar me përhapjen e këtyre thashethemeve, duke mos shikuar në pasojat që i shkakton kjo vepër.
Islami e shëron këtë çështje nëpërmjet tri gjërave:
1- Qartësimi në vërtetësinë e lajmeve.
2- Ai që i shpërndan këto fjalë është prej mëkatarëve.
3- Meditimi rreth pasojave që mund t’a sjell një thashetheme.
Para se të fillojmë në shqyrtimin e këtyre tri pikave, medoemos që t’a përmendim një çështje të rëndësishme: Allahu e ka bërë shërimin e kësaj çështje ne vet transmetuesit besimtarë të këtyre spekulimeve, duke mos u koncentruar në burimin e lajmit, sepse burimi i saj mund të jetë njeri hipokrit, mosbesimtar, apo armik, ndërsa këta të fundit dihet se synojnë që të bëjnë vepra të tilla, me qëllim të dobësimit të muslimanëve. Këto spekulime nuk do të përhapeshin në mesin e muslimanëve nëse ata i mernin këshillat dhe udhëzimet e Allahut të cilat na tregojnë se si duhet muslimani të sillet në këto raste.
1- Qartësimi në vërtetësinë e lajmeve.
Thotë Allahu: يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَإٍ فَتَبَيَّنُوا,
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë fasik (mëkatarë) ju sjell ndonjë lajm, vërtetojeni atë…”[2]
Allahu na ka urdhëruar që t’i vërtetojmë dhe analizojmë lajmet, andaj nuk i lejohet muslimanit që të shpërndaj fjalë duke mos qenë i sigurtë në vërtetësine e tyre.
Vërtetimi i fjalëve dhe spekulimeve mund të bëhet me disa mënyra:
– Me çështjen të merren njerëz kompetent:
وَإِذَا جَاءَهُمْ أَمْرٌ مِّنَ الْأَمْنِ أَوِ الْخَوْفِ أَذَاعُوا بِهِ ۖ وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى الرَّسُولِ وَإِلَىٰ أُولِي الْأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنبِطُونَهُ مِنْهُمْ
“Kur t’u vijë atyre ndonjë lajm i rëndësishëm që i përket sigurisë ose frikës, ata e përhapin ate, por në qoftë se ata këtë lajm ia përcjellin Pejgamberit dhe parisë (bashkëpunëtorëve të afërm të tij) do të kuptonin prej tyre vetëm atë, që dëshirojnë ta marrin vesh…”[3] Thotë es-Si’dij: “Kjo është qortim nga ana e Allahut për besimtarët, për shkak të vepërs së tyre jo të pëlqyer dhe se duhet që kur t’ju vijë atyre ndonjë lajm për çështje të rëndësishme dhe që ka të bëjë me dobi të përgjithshme, çështje e cila ka të bëjë me lumturinë muslimanëve, apo frikën e cila është sprovë për ata, që të mos nguten me shpërndarjen e këtyre fjalëve, por t’a kthejnë këtë çështje te Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) dhe te paria e tyre, te njerëzit e urtë, të cilët janë të ditur dhe të mençur dhe që i njohin dobitë dhe të kundërtën e tyre.
Nëse këta njerëz e shohin se shpërndarja e këtyre lajmeve është e dobishme, stimuluese për besimtarët në gjëra të dobishme, ose gëzim për ata dhe mbrojtje prej armiqëve, atëherë i shpërndajnë të njejtat…
Mirëpo nëse ata e shohin se në këtë gjë nuk ka dobi, apo ka dobi, mirëpo dëmi është më i madh se dobia, atëherë nuk e shpërndajnë këtë lajm.”[4]
Sa prej thashethemeve ka qenë i mundshëm parandalimi i tyre, nëse ishin pyetur njerëzit kompetent?!
– Meditimi rreth asaj që e përmban ky spekulim:
Shumë prej muslimanëve nuk mendojnë rreth asaj që e përmbajnë fjalët e njerëzve, fjalë të cilat ndoshta përmbajnë gënjeshtra, bile e sheh se si njerëzit i pranojnë këta fjalë sikur me qenë ato prej gjërave më të sigurta. Nëqoftë se ne mendonim vetëm pak rreth fjalëve të cilat transmetohen, nuk do të kishte spekulime dhe thashetheme të kota.
Allahu e ka treguar gjendjen e atyre që flitshin gjat “Tregimit të Ifk-ut”, duke thënë:
إِذْ تَلَقَّوْنَهُ بِأَلْسِنَتِكُمْ وَتَقُولُونَ بِأَفْوَاهِكُم مَّا لَيْسَ لَكُم بِهِ عِلْمٌ
“Kur atë (shpifjen) e përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja atë për të cilën nuk kishit dituri…”[5]
2- Në Ajetin e parë që e përmendëm thotë Allahu:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَإٍ فَتَبَيَّنُوا,
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë fasik (mëkatarë) ju sjell ndonjë lajm, vërtetojeni atë…”[6], Allahu në këtë Ajet e ka bërë transmetuesin e lajmeve të pavërtetuara prej mëkatarëve. Ky gjykim, d.m.th fisku[7] i jepet personit i cili i shpërndan këto lajme, pasiqë jo çdogjë të cilën e shpërndan ai është e vërtetë, ka diç të vërtetë dhe ka gënjeshtra, andaj transmetuesi i thashethemeve bëhet prej atyre që transmetojnë gënjeshtra, për këtë Allahu e ka bërë prej fasikëve.
Njeriu i mençur e din se jo çdogjë që e ndëgjojmë duhet treguar, ndodh që lajmi të jetë i vërtetë, mirëpo nuk ka dobi të shpërndahet, siç e përmend këtë es-Si’dij.
3- I kthehemi për së treti herë Ajetit të Sures El-Huxhuratë, thotë Allahu:
أَن تُصِيبُوا قَوْمًا بِجَهَالَةٍ فَتُصْبِحُوا عَلَىٰ مَا فَعَلْتُمْ نَادِمِينَ
“…që të mos e goditni (dikë) nga padijenia e pastaj të pendoheni përshkak të asaj që keni bërë.” [8]
A ke menduar në rezultatet e spekulimit? A ke menduar në pasojat e tij?
Dije vëlla se çdo humbje, çdo brengë dhe pikëllim që e ka kapluar vëllaun tënd, çdo pasuri që e ka humbur dikush për shkak të fjalëve që i ke shpërndarë ti, dije se ke pjesë të mëkatit në çdo gjë që e ka kapluar vëllaun tënd.
“… e pastaj të pendoheni për shkak të asaj që keni bërë.” [9]
Pendimi dhe pishmanllëku në këtë botë duket atëherë kur njeriu mendon rreth pasojave të këtyre fjalëve, ndërsa në Ahiret, neglizhentët do të bëhen pishman atëherë kur do t’i shohin kodrat me mëkate që u janë regjistruar:
وَتَحْسَبُونَهُ هَيِّنًا وَهُوَ عِندَ اللَّـهِ عَظِيمٌ
“…e keni konsideruar imtësi, por ajo tek All-llahu është e madhe.” [10]
Vëlla, thotë Allahu: يَعِظُكُمُ اللَّـهُ أَن تَعُودُوا لِمِثْلِهِ أَبَدًا إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ
“Allahu ju këshillon, që të mos përsëritni kurrë më diçka të ngjashme, nëse jeni besimtarë”[11]
Saaid.net
Përktheu: Ali Ashani
[1] Është rasti kur disa prej banorëve të Medines e akuzuan Aishen (radijAllahu anha) dhe një prej sahabeve se kishin bërë amoralitet. Ifk – shpifje. Sh.P.
[2] El-Huxhurat:6.
[3] En-nisa:83.
[4] Tefsiri i Es-S’idij (1/190).
[5] En-Nur:15.
[6] El-Huxhurat:6.
[7] Fasik është ai që bën mëkate të mëdha, nga largimi i tij nga feja.
[8] El-Huxhurat:6.
[9] El-Huxhurat:6.
[10] En-Nur:15.
[11] En-Nur:17.