“Thuaju besimtarëve të ulin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre”. (en Nur 30-31)
Përderisa çdo gjë fillon nga shikimi, atëherë Allahu urdhëroi për uljen e tij para se të kërkohej ruajtja e organeve gjenitale nga njerëzit, sepse të gjitha ndodhitë pikënisjen e tyre e kanë nga shikimi.
Së pari le të biem dakord mbi një çështje, që do të ndikoj në mënyrë që ju ta kontrolloni shikimin tuaj, pra çështjen e relativitetit të bukurisë.
Kriteret e bukurisë ndryshojnë nga një person në tjetrin dhe nga një ndjeshmëri në një tjetër. Për shembull, ju mund të dëshironi apo pëlqeni rroba të caktuara dhe i konsideroni ato tërheqëse. Nga ana tjetër , njerëzit e tjerë mund ti shohin këto rroba si jo mjaftueshëm të bukura ose edhe të shëmtuara.
Për këtë arsye ajo që ju e shihni si të bukur mund të mos jetë edhe aq e bukur në sytë e të tjerëve.
Më lejoni të ju japë një shembull për ta bërë më të qartë këtë çështje. Shumica e të mvarurve nga alkooli besojnë se alkooli është gjëja më e mirë për këtë botë. Sidoqoftë një mendje e shëndoshë e din realitetin e alkoolit, por ai që është sprovuar me të është e pamundur të shohë realitetin.
Prandaj pamjet e ndaluara që ju shihni dhe besoni se janë të bukura, nuk janë edhe aq të bukura në realitet nëse ndryshoni prizmin e të menduarit me këto pyetje:
Ku qëndron bukuria në një grua që e zemëron Allahun e Lartësuar publikisht dhe i kundërshton urdhëratë e Tij hapur?!
Ku është bukuria në një grua që e ofron veten e saj si një mall tregu, përmes asaj që shfaq duke mos pasur respekt për veten dhe moralin e saj?!
Çfarë bukurie është kjo, kur në realitet kjo është puna e djallit?!
Pejgamberi ( salaAllahu alejhi we selam) ka thënë: “Gruaja është avret, kurdoherë që ajo largohet nga shtëpia djalli e zbukuron atë në sytë e burrave.” (Shejh Albani e ka konsideruar si Sahih)
Disa mënyra si ta ruajmë shikimin:
- Ju duhet të dini të vërtetën e asaj që ju shihni në mënyrë që të dekurajoheni dhe ta ulni kokën.
- Nëse e humbisni kontrollin mbi shikimin tuaja atëherë përcilleni këtë vështrim menjëherë me një akt adhurimi. Shembull të kërkoni falje nga Allahu i Madhëruar, bërja dhikër ose dhënie sadaka.
- Duke ia rikujtuar vetes faktin se Allahu na sheh neve, na sheh dhe është me ne me shikimin, dëgjimin, diturinë, kudo që të shkojmë. Kjo mund të jetë një shikim i fshehtë për të cilin nuk e ka vërejtur askush prej rreth jush por Allahu ka thënë në Kuran:
“ Ai di për shikimin tradhëtar, e edhe për atë që e fshehin gjoksat” . (Gafir-19) - Duke kërkuar ndihmë nga Allahu dhe duke e lutur Atë për ndihmë
“Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem.” (Gafir-60) - Rikujtimi për bekimet që Allahu iu ka dhënë. Një pjesë e të qenurit mirënjohës për bekimin e syve është që ju duhet të mbroheni nga të shikuarit e asaj që Allahu e ka ndaluar.
- Shmangia e vendeve ku një person mendon se mund ti ekspozohet tundimit gjatë shikimit, te tilla vende si sheshe, komplekse dhe vende ku bëhet bashkimi i dy gjinive.
Pejgamberi ( salaAllahu alejhi we selam) ka thënë:
“Ruajuni nga qëndrimi në rrugë. Shokët i thanë: O i Dërguar i Allahut! Nëse kemi nevojë të rrijmë? Ai u përgjigj: Nëse ju duhet domosdo të rrini, atëherë jepini rrugës të drejtën që i takon. E cila është e drejta e saj? E pyetën. Ai u përgjigj: Ulja e shikimit, ndalimi nga e keqja, dhe kthimi i selamit.” - Duke bërë veprime vullnetare të adhurimit, dhe duke i bërë ato vazhdimisht.
Pejgamberi ( salaAllahu alejhi we selam) ka thënë: Allahu i Madhëruar thotë:
Robi im nuk më afrohet me diçka më të dashur tek Unë se sa obligimet (farzet). Robi im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare (nafile) derisa ta dua, e kur ta dua, atëherë do të jem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi më të cilin shikon, dora me të cilën prek, këmba me të cilën ec. Nëse më kërkon diçka, gjithsesi do t’ia jap, nëse kërkon mbrojtje, gjithsesi do ta mbroj.” (Transmeton:Buhariu) - Të jeshë në shoqërinë e njerëzve të mire, sepse natyrshëm ndikoheni nga karakteristikat e njerëzve të mirë.
Shikimi është zanafilla e problemeve për njeriun, sepse shikimi sjell mendime ngacmuese, mendimet ngacmuese lindin idenë, ideja lind epshin, epshi lind dëshirën, më pas kjo forcohet dhe kthehet në një motiv të pathyeshëm, e ky është shkak që të ndodhin vepra të cilat askush më nuk mund ti ndalojë. Prandaj thuhet: “Durimi për të ulur shikimin është më i lehtë se durimi për dhimbjen pas tij.”
Përktheu: H.Mustafi