Pyetja: Sa Umre i ka bërë Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)?
Përgjigja: Hamdi (falënderimi) i takon vetëm Allahut.
Transmeton Katade se Enesi (radijAllahu anhu) i ka treguar se i Dërguari i Allahut ka bërë katër Umre, të gjithat i ka bërë në (muajin) Dhul Ki’deh, përpos Umres të cilën e ka bërë në Haxh;
Umren e Hudejbijes e ka bërë në Dhul Ki’deh, Umren e vitit të ardhshëm (pas Hudejbijes) e pati bërë në Dhul Ki’deh dhe Umren e Xhii’rrane-s në të cilën e ndau plaçkën e luftës e pati bërë në Dhul Ki’deh.[1]
Thotë Ibn Kajjimi: “Pas Hixhretit[2] bëri katër Umre, të gjitha në (muajin) Dhul Ki’deh:
1- Umreja e Hudejbijes, e cila ishte Umreja e parë, në vitin e gjashtë, ku mushrikët e penguan nga të kryerit e saj (Umres), andaj preu kurban, i rruajti ai dhe shokët e tij flokët dhe u liruan nga Ihrami, për t’u kthyer vitin e ardhshëm.
2- Umreja kompenzuese, të cilën e bëri një vit pas Hudejbijes[3]. Qëndroi në Meke tri ditë, pastaj u largua pas kryerjes së Umres.
3- Umreja të cilën e bëri me Haxhin e tij.
4- Umreja e Xhii’rrane-s, pasiqë doli për në Betejën e Hunejn-it, pastaj e filloi Umren e tij nga Xhii’rrane.
Dijetarët janë të pajtimit se nuk ka bërë më shumë se katër Umre.”[4]
Thotë Neveviu: “Dijetarët kanë thënë: I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i ka bërë këto Umre në Dhul Ki’de për shkak të mirësisë së këtij muaji dhe me qëllim të kundërshtimit të mushrikëve, të cilët mendonin se kryerja e Umres në këtë muaj është prej veprave më të shëmtuara, andaj Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e bëri Umren disa herë mu në këtë muaj që të kuptohet mirë se kjo vepër lejohet të kryhet në këtë periudhë dhe të kuptohet mirë kundërshtimi i bestytnive të Xhahilijetit.”[5]
Marrur nga: IslamQA
Përktheu: Ali Ashani
[1] Buhariu (1654) dhe Muslimi (1253).
[2] Shpërnguljes nga Meka në Medine.
[3] Sipas marrëveshjes me mushrikët e Mekes.
[4] Më gjërësisht shih Zad el-Mea’d (2/90-93).
[5] Komentimi i Muslimit (8/235).