Ky Sekt u shfaq për së pari herë në shekullin e dytë Hixhrij dhe u themelua nga një person me emrin Uasil bin A’taa el Gazali. Ky Sekt i devijuar për një kohë të shkurtër u shpërnda nëpër të gjitha vendet muslimane. Ky emërtim i tyre me emrin Mu’tezilij thuhet se ka ngelur që në kohën e Hasan el Basris në një polemikë që Hasan el Basriu e ka patur me Uasil bin A’taa-n rreth çështjes së dispozitës së atij personit që bën gjunahe të mëdha dhe në atë rast Uasil bin A’taa është larguar dhe izoluar me një skaj të xhamisë dhe për këtë shkak janë quajtur Mu’tezilij apo që don të thotë “Të izoluarit, të larguarit”.
Besimet dhe pikëpamjet më të njohura të këtij Sekti:
- Një grup i këtij Sekti thonë se Allahu (subhanehu ue teala) është në çdo vend, ndërsa një grup tjetër i po këtij Sekti thonë se Allahu nuk është askund dhe s’ka vend.
- Ky Sekt thotë se me Istivanë apo me ngritjen e Allahut mbi Arsh është për qëllim “Isti’laa-ja” që don të thotë “Mbizotërim”, pra i devijojnë kuptimet dhe tekstet Kur’anore kur Allahu (subhanehu ue teala) qartë thotë: “Mëshiruesi mbi Arsh u ngrit (Istevaa)”. (et Taha 5)
- Ky Sekt janë të pajtimit se Allahu nuk shikon me shikim.
- Ky Sekt kanë mospajtim rreth “Të folurit” si Cilësi e Allahut, disa prej tyre e kanë pohuar këtë Cilësi dhe disa e kanë mohuar.
- Mu’tezilijtë i mohojnë dhe i shtrembërojnë Cilësitë e Allahut.
Sekti Mu’tezili e kanë ndërtuar besimin e tyre mbi pesë shtylla, ata shtylla janë:
- Teuhidi
- Drejtësia
- Premtimi dhe Kërcënimi
- Thënia se “Bërësi i gjunahit të madh është në vend mes dy vendeve”
- Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi prej të keqes
Teuhidi
Kur Mu’tezilijtë e përmendin Teuhidin, ato për qëllim e kanë hulumtimin rreth Cilësive të Allahut dhe rreth asaj se çka i takon Atij dhe se çka duhet t’i mveshet. Ata i kanë mohuar Cilësitë e Allahut dhe thonë se pohimi dhe pranimi i Cilësive don të thotë që për çdo “Cilësi nga një Zot” dhe kjo është shirk dhe për këtë shkak ata i kanë mohuar të gjitha Cilësitë, sepse cilësimi i Allahut me Cilësi është shirk, pra besim në shumë zotëra. Ehli Suneti i pranon Cilësitë e Allahut, ashtusiç na ka njoftuar Allahu dhe Pejgamberi i Tij, pa mos ua shtrembëruar kuptimin dhe duke mos hyrë në çështjen se si është forma, mënyra apo pamja e këtyre cilësive, pasiqë Allahut nuk i përngjan asgjë as në emra dhe as në cilësi.[1]
Drejtësia
Kjo është baza e dytë në besimin e Mu’tezilijve dhe me këtë e kanë për qëllim cilësimin e veprave të Allahut me drejtësi, duke i mohuar se veprat e këqija që i bëjnë njerëzit i ka krijuar Allahu, pra as që i ka krijuar dhe as që është i kënaqur me ata vepra. Poashtu thonë se veprat e këqija janë krijesa të njeriut. Ehli Suneti e pranon se veprat e Allahut janë të gjitha të mira dhe se Allahu i ka krijuar, mirëpo krijimi i të gjitha veprave (të mirave dhe të këqijave) nuk del jashtë krijimit dhe dëshirës së Allahut, pra kjo është një gjë që ky Sekt i devijuar nuk e kanë kuptuar dhe as nuk i kanë kuptuar fjalët e Allahut kur thotë: “Allahu është Krijues i çdo gjëje”. (er Ra’d 16) Poashtu thotë Allahu: “Allahu ju ka krijuar juve dhe atë që ju e punoni”. (es Saffat 96)
Ne jemi të urdhëruar që t’i veprojmë veprat që i don Allahu dhe të largohemi prej veprave që Ai nuk i don. Pra Allahu e ka krijuar padrejtësinë dhe kush prej njerëzve cilësohet me këtë cilësi është i padrejtë, Allahu e ka krijuar gënjeshtrën dhe kush prej njerëzve cilësohet me këtë cilësi është gënjeshtar, Allahu e ka krijuar devotshmërinë dhe kush cilësohet me këtë cilësi është i devotshëm.
Premtimi dhe kërcënimi
Mu’tezilijtë thonë se Allahu e ka obligim që t’a përmbush premtimin që ua ka premtuar robërve të Tij, gjithashtu janë argumentuar logjikisht dhe kanë thënë se pasiqë Allahu i ka obliguar robërit e Tij me vepra të vështira, patjetër duhet që t’ju jep atyre shpërblim, sepse nëse nuk është kështu, atëherë Allahu do të ishte i padrejtë, mirëpo Ai është i pastër prej kësaj dhe nuk bën padrëjtësi.
Mu’tezilijtë thonë se robi e meriton Xhenetin, ndërsa ehli Suneti thonë se hyrja në Xhenet është prej mirësisë së Allahut dhe vepra është shkak prej shkaqeve të hyrjes në të. Ndërsa sa i përket “Kërcënimit”, ata nënkuptojnë me këtë atë që ndërlidhet me dispozitën e gjunahqarëve prej besimtarëve nëse vdesin pa mos u penduar. Ata thonë se nëse këta gjunahqarë besimtarë vdesin pa mos u penduar e meritojnë dënimin me të cilin Allahu u është kërcënuar me Zjarrin e përhershëm të Xhehenemit, vetëmse dënimi i tyre do të jetë më i vogël sesa dënimi i qafirave. Ehli Suneti thonë se askush nuk ngel në Zjarr përgjithmonë nëse nuk ka bërë Shirk, ndërsa çdo vepër që është më e vogël sesa Shirku, atë Allahu e fal, siç ka ardhur në Ajet “Dhe Ai fal çdogjë që është më e vogël se ai (Shirku) atij që Ai dëshiron”. (en Nisaa 116)
Thënia se “Bërësi i gjunahit të madh është në vend mes dy “vendeve”
Kjo poashtu është prej besimeve bazë të Mu’tezilijve dhe don të thotë se bërësi i gjunahit të madh nuk është besimtar e as qafir, por është fasik (gjunahqar i madh). Bërësi i gjunahit të madh e ka dispozitën në mes dy dispozitave dhe e ka emërtimin mes dy emërtimeve. Ai sipas tyre quhet fasik në këtë botë, ndërsa në Ahiret është përgjithmonë në Zjarr. Ehli Suneti thonë se bërësi i gjunahit të madh nuk është qafir me bërjen e këtij gjunahi, por është besimtar fasik, pra nuk llogaritet se ka bërë kufër me të cilin del prej feje, pra nëse ndonjë musliman bën zina (amoralitet) apo vjedh ende llogaritet besimtar, mirëpo është gjunahqar i madh dhe nëse bën ndonjë gjunah siç është shirku apo kufri në këtë rast del prej feje.
Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi prej të keqes
Kjo paraqet bazën e pestë dhe të fundit prej bazamenteve të Sektit Mu’tezilij. Ata janë të pajtimit me ehli Sunetin se urdhërimi për të mirë dhe ndalimi prej të keqes është obligim, mirëpo dallojnë me ehli Sunetin në disa pika përsa i përket kësaj çështje. Ata thonë se urdhërimi në të mirë dhe ndalimi prej të keqes duhet që të bëhet fillimisht me zemër, pastaj me gojë dhe më në fund me dorë dhe kjo është në kundërshtim të qartë me hadithin e Pejgamberit (Paqja dhe mëshira qofshin mbi të) ku thotë: “Kush prej jush sheh një të keqe le t’a ndryshoj me dorën e tij, e nëse s’mundet, le t’a ndryshoj më gojën e tij, e kush s’mund, atëherë le t’a ndryshoj me zemrën e tij, por kjo është imani më i dobët”. (Muslimi)
Poashtu në këtë bazament ata e kanë përmendur çështjen e daljes kundër udhëheqësve musliman zullumqarë, gjunahqarë dhe kanë thënë se është obligim dalja në luftë kundër tyre. Gjithashtu e lejojnë daljen me armë kundër kundërshtarëve të pikëpamjeve të tyre, qofshin kundërshtarë qafira, gjunahqarë apo kundërshtarë musliman.
Referenca: غالب العواجي – فرق معاصرة
Përktheu me shkurtesa: Enis Arifi