Shmangia prej gjërave të kota

by Uniteti-Admin

Prej cilësive të besimtarëve, të atyre që do të shpëtojnë dhe fitojnë, është shmangia dhe largimi prej gjërave të kota. Në fillim të Sures El-Mu’minunë Allahu (subhanehu ue teala) ka treguar se kjo është cilësi dhe atribut i besimtarëve të shpëtuar dhe atyre të cilëve u është premtuar Firdeusi (Xheneti), thotë Allahu: [وَالَّذِينَ هُمْ عَنِ اللَّغْوِ مُعْرِضُونَ], “…dhe ata të cilët i shmangen të kotës.”[1]

Pastaj thotë Allahu, duke e treguar shpërblimin e këtyre:

[أُولَئِكَ هُمُ الْوَارِثُونَ الَّذِينَ يَرِثُونَ الْفِرْدَوْسَ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ ], “Të tillët, mu ata janë trashëgimtarët, të cilët e trashëgojnë Firdeusin, aty do të qëndrojnë përgjithmonë”.[2]

Gjërat e kota, janë të gjitha fjalët dhe veprat prej të cilave nuk ka dobi, qoftë kjo lojë, shaka, apo argëtim dhe gjëra prej të cilave largohen njerëzit autoritativ, thotë Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në komentimin e fjalës së Allahut : [وَالَّذِينَ هُمْ عَنِ اللَّغْوِ مُعْرِضُونَ], “…dhe ata të cilët i shmangen të kotës.”[3]: “Domethënë u shmangen gjërave të kota, kjo e përfshin edhe Shirkun, siç kanë thënë disa prej dijetarëve, i përfshin edhe mëkatet, siç kanë thënë tjerë dhe gjëra në të cilat  nuk ka dobi, qofshin fjalë apo vepra.

Këtë lëvdatë që u’a ka bërë Allahu këtyre besimtarëve, e ka përmendur edhe në vende tjera të Librit të Tij, thotë Allahu:[وَإِذَا مَرُّوا بِاللَّغْوِ مَرُّوا كِرَامًا َ], “…kur kalojnë pranë gjërave të kota, kalojnë me dinjitet”.[4] Që don të thotë, kur ndëgjojnë fjalë të kota, e nderojnë veten e tyre duke mos hyrë në kësi lloj bisedash, sepse ruajtja e dinjitetit në këtë rast bëhet me largimin nga këto gjëra dhe me mosinkuadrimin në to. Si shembëlltyrë më të mirë në praktikimin e këtyre cilësive i kemi gjeneratat e para të muslimanëve, selefin.

Ka thënë el-Mukatil në komentimin e këtij Ajeti: “Kur ndëgjojnë prej mosbesimtarëve të shara dhe ofendime, largohen dhe ua falin”. Kanë thënë disa: “Gjërat e kota janë të gjitha mëkatet dhe kuptimi i […kalojnë me dinjitet] është: “Largohen duke shpejtuar…”.

Andaj selefi janë shembëlltyra të cilën e pasojnë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit, si në praktikimin e Sheriatit, ashtu edhe në cilësimin me cilësitë e besimtarëve të cilat i ka përmendur Allahu në Librin e Tij.”

Allahu i ka lavdëruar ata të cilët i posedojnë këta cilësi dhe nëqoftëse u përmbahen të të njëjtave. Nëse ata e bëjnë këtë do t’a arrijnë krenarinë, udhëheqsinë dhe dinjitetin në këtë botë, pastaj Allahu do t’i bëj mëkëmbës në tokë, ku Feja me të cilën Allahu ishte i kënaqur që të jetë Fe e tyre, do të dominoj, ku drejtësi, siguri dhe rehati do të predikojnë dhe më këtë kënaqësinë dhe Xhenetet Zotit të tyre do t’i fitojnë dhe premtimi i Allahut do të përmbushet, siç ka thënë Allahu:

وَعَدَ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنْكُمْ وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ لَيَسْتَخْلِفَنَّهُمْ فِي الْأَرْضِ كَمَا اسْتَخْلَفَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ وَلَيُمَكِّنَنَّ لَهُمْ دِينَهُمُ الَّذِي ارْتَضَى لَهُمْ وَلَيُبَدِّلَنَّهُمْ مِنْ بَعْدِ خَوْفِهِمْ أَمْنًا يَعْبُدُونَنِي لَا يُشْرِكُونَ بِي شَيْئًا

“Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhë bënë vepra të mira, Allahu ju premtoi se do t’i bëjë mëkëmbës në tokë ashtusiç pati bërë mëkëmbës ata që ishin para tyre dhe Fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta do t’a bëj dominante, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë”.[5]

Sa kemi nevojë o musliman që t’i pasojmë gjeneratat e para (selefin) në të përmbajturit këtyre cilësive dhe në praktikimin e dispozitave fetare, kështuqë të fitojmë krenari dhe dinjitet në këtë botë dhe shpërblimet dhe fitoren në Ahiret.

Komentimi i disa prej dijetarëve të selefit të fjalës së Allahut: [وَالَّذِينَ هُمْ عَنِ اللَّغْوِ مُعْرِضُونَ], “…dhe ata të cilët i shmangen të kotës.”[6], se këtu përfshihet çdo gjë e kotë, nuk është në kontradikt me komentimin e disa tjerëve të këtij Ajeti, të cilët kanë thënë se [اللَّغْوِ][7] është Shirku, apo të gjitha mëkatet, sepse Shirku dhe mëkatet janë prej gjërave të kota, bile mu ata janë e kota.

Vëlla musliman, kjo jetë është e shkurtër, nuk kemi hapsirë për tallje dhe joseriozitet, ditët i kemi të numëruara dhe fjalët që i themi janë të shkruara nga përcjellës të gatshëm, andaj i mençuri dhe largpamësi nuk i kalon ditët e tij të caktuara dhe të numëruara në tallje dhe gjëra të kota dhe në shoqërinë e atyre që i kanë këto cilësi. Mirëpo largohet nga gjërat e tilla, i mençuri është ambicioz dhe me qëllime të mira, mundohet që të cilësohet me virtyte të mira dhe moral të lartë, largohet prej veseve dhe moralit të keq, sidomos kur e din se kjo Fe e pastër na urdhëron në këtë gjë dhe çdoherë na nxit dhe motivon që të cilësohemi me moral të lartë.

Bëhu o musliman prej atyrë që u përmbahen këtyre virtyteve, ndoshta behësh prej atyre që do të shpëtojnë dhe fitojnë.

Allahu na furnizoft me dituri të dobishme dhe me vepra të mira.

 

AbdulAziz Er-Raxhhij

Përktheu: Ali Ashani

 

 

 



[1] El-Mu’minunë 23:3.

[2] El-Mu’minunë 23:10,11.

[3] El-Mu’minunë 23:3.

[4] El-Furkan:72.

[5] En-Nur:55.

[6] El-Mu’minunë 23:3.

[7] E kotë.

Të tjera