Shpresa është një nga shtyllat e adhurimit. Besimtari është i edukuar të mbështetet dhe të shpresojë me bindje dhe besim të plotë vetëm në Allahun e Lartmadhëruar.
“E kush shpreson takimin e All-llahut, s’ka dyshim se afati i All-llahut do të vijë pa tjetër, e Ai është Dëgjuesi i Dijshmi.” (el Ankebut 5)
Kombinimi ndërmjet frikës, shpresës dhe dashurisë
Në rrugën drejt Allahut, besimtari duhet të ndërthurë tre shtylla: dashurinë, frikën dhe shpresën. Dashuria është si koka e një zogu, frika dhe shpresa janë krahët e tij, nëse koka dhe krahët janë të shëndoshë atëherë zogu mund të fluturoj, mirëpo nëse koka i pritet ai është i ngordhur, ndërsa zogu mund te mbetet i gjallë nëse i humb vetëm krahët, mirëpo përsëri është i prekshëm nga çdo gjuetar dhe grabitqarë.
Imam Ibn Kethir thotë në tefsirin e tij: “…(robi i Allahut) në adhurim ndjen frikë dhe shpresë, që të dyja janë esenciale në adhurim ndërsa frika duhet të jetë më e fortë gjatë jetës”.
Llojet e shpresës
Ekzistojnë tre lloje të shpresës dhe një llojë që është mashtrues dhe i dëmshëm.
- Shpresa që është ibadet
- Shpresë e lavdëruar
- Shpresë e përbuzur
Shpresa e lavdëruar është ajo e cila gjendet tek ai person, i cili vepron me bindje ndaj Allahut dhe shpreson në shpërblimin e Tij, apo tek ai person që pendohet nga një mëkat dhe shpreson që pendimi t’i pranohet. Përsa i përket personit që shpreson dhe nuk vepron, atëherë kjo është zhgënjim dhe shpresë e kotë, e cila është diçka e urrejtur.
Dallimi mes shpresës dhe dëshirës
Shpresa manifestohet duke u përpjekur për të bërë vepra të mira dhe të dashura te Allahu, ndërsa dëshira përcillet me përtaci.
Shembull:
E para i ngjan shembullit të atyre që e punojnë dhe mbjellin tokën e tyre pastaj shpresojnë që bimët të mbijnë dhe t’i shfrytëzojnë.
Ndërsa e dyta i ngjan shembullit të atyre që dëshirojnë të kenë një copë tokë për të mbjellur dhe korrur.
Shpresa nuk vlen përveçse me veprat e duhura. Lënia e veprave të mira me neglizhencë dhe kryerja e mëkateve me bollëk, duke shpresuar tek Allahu për ta merituar mëshirën e Tij pa punuar është e kotë dhe shpresë e rrejshme.
Mëshira e Allahut është afër atyre që bëjnë vepra të mira, ndërsa ata që janë kokëfortë dhe këmbëngulës në kryerjen e mëkateve duhet të kenë frikë Allahun në mënyrën se si ata e arsyetojnë veten e tyre.
Ibn Kajimi ka thënë për ata të cilët nuk tërhiqen prej mëkatit duke shpresuar në ndihmën e Allahut:
“ Këta lloj njerëzish mbështeten në tekstet që kanë të bëjnë me shpresën dhe janë të varur me të dy duart. Edhe sikur të qortohen për zhytjen e tyre në mëkate ata menjëherë do të fillojnë të recitojnë atë që kanë mësuar për madhështinë e mëshirës së Allahut, për faljen e Tij dhe tekstet tjera që kanë të bëjnë me shpresën. Ka shumë keqkuptime dhe çudira që vijnë nga ky lloj njerëzish”.
Ibn Tejmije ka thënë: “Kufijtë e frikës ndaj Allahut janë aty ku frika ju pengon nga bërja e mëkatit, mirëpo nëse i kalon kufijtë atëherë ajo ju dërgon në dëshprim, dhe kjo është frikë e ndaluar”.
Frytet e shpresës
- Shpresa në Allahun konsiderohet adhurim, ashtusiç Allahu i Madhërishëm don nga robërit e Tij, të shpresojnë dhe të kërkojnë nga dhuntitë e Tij, sepse Ai është me Bujari kur ne i lutemi dhe më Bujari kur Ai jep.
- Allahu hidhërohet më atë i cili nuk i lutet, dhe me atë që është i nxituar në lutjen e tij. Pejgamberi (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Lutjet tuaja pranohen sikur ju të mos nxitoni dhe nxitimi është kur thoni, Unë e luta Zotin dhe Ai nuk mu përgjigj ”.
- Shpresa e vendos robin në pragun e dashurisë, sa herë që shpresa e tij intensifikohet dhe ai merr atë për të cilën ka shpresuar, dashuria dhe madhërimi i tij për Allahun rritet.
- Frika kërkon shpresë dhe shpresa kërkon frikë, çdo i frikësuar është në shpresë se Allahu do e shpërblejë për frikën që e ka për t’i shkelur ndalesat.
- Shpresa është njëra prej shkallëve të larta të ibadetit. Ajo është ibadet i zemrës i cili përmban nënshtrim dhe dëgjim ku esenca e këtij ibadeti kthehet në njohjen e Allahut, fisnikërinë, faljen dhe urtësinë Tij. Qëllimi i shpresës është që të arrihet kënaqsia e Allahut. Shpresa mund të përkufizohet edhe si mendim i mirë për Allahun duke e shoqëruar atë me vepra dhe pendim të sinqertë.
Përktheu: H. Mustafi