Pyetja: Si ka mundësi që muslimani ta bëj që Pejgamberi të jetë më i dashur tek ai se çdo send tjetër në këtë botë?
Përgjigja: Falënderimi i takon Allahut…
Dashuria ndaj Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) mvaret prej Imanit të besimtarit, nëse Imani i tij shtohet, shtohet edhe dashuria e tij ndaj Pejgamberit, sepse kjo dashuri është ibadet dhe afrim tek Allahu, andaj Sheriati e ka bërë këtë dashuri prej gjërave të obligueshme.
Prej Enesit (radijAllahu anhu) transmetohet se ka thënë: Thotë Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem): “Nuk do të besoj anjëri prej jush derisa të jem më i dashur tek ai se prindi i tij, fëmija e tij dhe të gjithë njerëzit”.[1]
Kjo dashuri mund të përfitohet me njohjen e disa gjërave:
1- Ky njeri është i dërguar prej Allahut, e ka zgjedhur Allahu mbi të gjitha krijesat që t’a transmetojë Mesazhin e Tij, ndërsa Allahu e ka zgjedhur këtë njeri për shkak të dashurisë dhe kënaqësisë së Tij ndaj tij. Në qoftë se Allahu nuk ishte i kënaqur me të nuk do ta kishte zgjedhur të jetë i dërguar i Tij, andaj ne duhet ta duam atë që e don Allahu dhe të kënaqemi me atë me të cilin është i kënaqur Allahu dhe ta dijmë se ai është “miku” (خليل) i Allahut…
2- Ta dijmë pozitën e tij dhe se ai është njeriu më i mire (salAllahu alejhi ve sel-lem).
Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) thotë: Thotë Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem): “Unë jam zotëriu i bijve të Ademit në Ditën e Gjykimit, i pari të cilit do t’i hapet varri, i pari i cili do të ndërmjetëson dhe i pari të cilit do t’i pranohet ndërmjetsimi”.[2]
3- Ta dijmë se është ballafaquar me sprova dhe sfida të ndryshme me qëllim që të na transmetoj neve Fenë, gjë të cilën e ka realizuar. Duhet t’a dijmë se Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) është maltretuar, rrahur, ofenduar dhe prej tij janë distancuar njerëzit më të afërt, e kanë akuzuar se është i çmendur, gënjeshtar, magjistar, e kanë luftuar, e kanë nxjerur nga vendi dhe i kanë mbledhur ushtritë kundër tij.
4- T’i pasojmë Sahabet në dashurinë e tyre ndaj Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem), sepse ata e kanë dashur më shumë se pasuritë dhe fëmijët e tyre, bile e kanë dashur më shumë se vetet e tyre, ja një shembull nga e kaluara e tyre:
– Thotë Enesi (radijAllahu anhu): “E kam parë të Dërguarin e Allahut dhe rrojtorin i cili e rruante (kokën), ndërsa shokët e tij u sillnin rreth tij dhe nuk donin që asnjë qime të bie, përpos se në dorën e ndonjërit prej tyre”.[3]
5- Të pasohet rruga e tij, qoftë në vepra, apo në thënie dhe të jetë Sunneti i tij metodologji e besimtarit, sistem të cilit do t’i përmbahet në jetë, t’i jep përparsi mendimit dhe urdhërit të Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) para çdo mendimi dhe çdo urdhëri.
Pastaj t’a pason Akiden (Besimin) e shokëve të tij, pastaj Akiden e gjeneratave që kanë ardhur më pas dhe ta pason Akiden e çdo dijetari të ehli Sunnetit i cili i ka pasuar gjeneratat e para në besimin e tij, jo atë i cili ka pasuar bidatxhinjtë[4] dhe veçojmë prej tyre Rafidhat (Shia’at), sepse ata janë të vrazdhë ndaj Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) dhe u japin imamëve të tyre përparsi ndaj Pejgamberit dhe i duan ata më shumë se atë.
Lusim Allahun që të na dhuroj dashuri ndaj Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) dhe t’a bën atë më të dashur për ne sesa fëmijët, prindërit, familjet, apo vetet tona!
Allahu e din më së miri.
IslamQ&A
Përktheu: Ali Ashani
[1] Buhariu (15) dhe Muslimi (44).
[2] Muslimi (2278).
[3] Muslimi (2325).
[4] Pasuesit dhe praktikuesit e risive në fe. Sh.P.