Si ta shpëtoj zemrën nga gjunahet?

by Uniteti-Admin

Kur përmendet bërja e gjunahit, shumë njerëz mendojnë se është për qëllim ndonjë gjunah i madh sikurse është zinaja, vjedhja etj. Por ekzistojnë shumë kategori të gjunaheve që janë të lidhura me devijimet në fe, sikurse shpikjet në fe, përhapja e shkatërrimit në tokë dhe gjunahe të tjera sikurse aroganca, zilia, vetpëlqimi, syefaqësia.

Gjunahet e zemrës janë shumë më të rrezikshme sesa gjunahet e dukshme të  gjymytyrëve dhe shqisave, andaj thotë dijetari njohur ibn Haxher el Hejtemi: “Gjunahet e brendshme janë më të rrezikshme dhe vepruesit e tyre janë më të shëmtuar. Këta gjunahe janë shumë lehtë që të veprohen, por pasojat i kanë më të hidhura”. 

Thotë ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë): “Ka gjunahe të zemrës që arrijnë deri në kufër, nifak dhe shirk dhe ka gjunahe të zemrës që janë akte të mosbindjes ndaj Allahut, porse nuk arrijnë në shkallën e kufrit”. Këta gjunahe të zemrës meqenë se nuk shihen, ndodh shpesh që njeriu të jetë neglizhent dhe mos t’i hetojë fare se i ka vepruar dhe si rezultat i kësaj edhe nuk ndjen nevojë që të pendohet tek Allahu (subhanehu ue teala) dhe kjo e bën atë person që të jetë i rehatshëm dhe të ndjej veten se është i pagabueshëm, pasiqë sipas tij gjunah llogaritet vetëm ai gjunah që është gjunah i gjymtyrëve apo shqisave. Thotë Allahu i Lartësuar: “A vallë ata u siguruan prej kurthit të Allahut? Nuk është i sigurtë prej kurthit të Allahut përveçse një popull humbës”. (el A’rafë 99)

Por një gjë duhet ditur, e ajo është se vazhdueshmëria në këto gjunahe e bën zemrën të pakujdesshme dhe e vdes atë

Ai që dëshiron të largohet nga gjunahet e zemrës duhet që zemrën e vet ta preokupojë me vepra të mira të zemrës, sikurse është dashuria ndaj Allahut dhe ndaj Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), sinqeriteti, shpresa në Atë, durimi në caktimin e Zotit, pendimi , falënderimi ndaj Tij dhe të tjera.

  • Leximi i Kuranit është vepër që është shumë e dobishme për zemrën, jo vetëm lexim, por edhe meditim dhe thellim në atë çka e përmbajnë ajetet, andaj shfrytëzo kohën që ta shpëtosh zemrën tënde nga buza e greminës në të cilën mund të humbasësh përgjithmonë. 
  • Krahas leximit të Kuranit, bëj dhikër, pasiqë dhikri është prej formave më të lehta adhurimeve. Thotë ibn Kajjimi: “Kush dëshiron ta fitojë dashurinë e Allahut, le ta përmend Atë shumë”. Si rezultat i dhikrit do të keshë edhe zemër të rehatshme, ashtu sikurse Allahu (subhanehu ue teala) ka thënë: “Me të vërtetë me dhikrin e Allahut, qetësohen zemrat”. (er Ra’d 28)
  • Kërko dituri fetare, sepse kjo të vetëdijëson për hakun çka e ke ndaj Zotit tënd dhe kjo dituri do të jetë bagazh i yti në sfidat me të cilat ballafaqohesh në baza ditore. Thotë Allahu: “Me të vërtetë ata që i frikësohen Allahut janë vetëm dijetarët”. (Fatir 28)
  • Lute Allahun sa më shumë, pasiqë njeriu nëse dëshiron të arrijë diçka i merr edhe sebepet për ta arritur atë gjë, dhe duaja është një prej sebepeve të arrtijes së qëllimit.

Përgatiti: Mr. Enis Arifi

Të tjera