Shia’t dhe tekkija

by Uniteti-Admin

Falënderimi i takon Allahut, kurse paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Pejgamberin më të mirë, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe fisnik, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët e pasojnë rrugën dhe metodologjinë e këtij Pejgamberi deri në Ditën e Gjykimit.

Në këtë artikull, me lejen e Allahut do të përmendim një nga besimet dhe bindjet e shia’ve me të cilën janë veçuar nga pjesa tjetër e botës Islame, ky besim apo ky devijim i tyre quhet tekkije (التَّقِيَّة).

1-      Pse kjo temë?

Kam zgjedhur këtë temë për disa shkaqe:

–          Ky besim është prej shtyllave të fesë shii’te dhe njëkohsisht është besim i veçantë i tyre dhe nëpër  këta artikuj kemi përmendur veçoritë e këtij sekti të devijuar.

–          Nëse njeriu e kupton se ky besim është prej esencave të kësaj feje dhe prej gjërave më të përhapura tek ata, do ta kupton rrezikun e thirrjes shii’te dhe përhapjes së tyre nëpër vendet tona, sepse ky besim synon në krijimin e lidhjeve shoqërore mbi baza të hipokrizisë.

–          Injoranca e shumë prej muslimanëve për këta njerëz, derisa disa prej muslimanëve mendojnë se cilin medh-heb ta zgjedhësh, sunni apo shia’, nuk është problem, derisa i thua vetes musliman. Për këtë, nëpërmjet këtij artikulli dhe artikujve tjerë rreth shi’izmit do të mundohemi ta paraqesim realitetin e këtyre njerëzve.

2-      Definicioni i tekkije-s:

–          Në etimologji (gjuhtarisht): Të shfaqësh të kundërtën e asaj që e beson (mendon)[1]. Poashtu është frika apo kujdesi prej diçka, andaj ka thënë Ibn Haxheri: “Kujdesi që mos ta shfaqësh atë që e beson…”[2] dhe kjo d.m.th fshehje e asaj që e beson njeriu.[3]

Mund të thotë dikush se tekkija ekziston edhe te muslimanët tjerë dhe argument për këtë është fjala e Allahut: ((إِلَّا أَن تَتَّقُوا مِنْهُمْ تُقَاةً)) “Ketë (tekkijen) mund ta bëni vetëm për t’u ruajtur nga ata”[4]. Themi është e vërtetë se kjo dispozitë është përmendur në librin e Allahut dhe është e njohur tek Ehlu Sunneti, mirëpo jo në të njejtin kuptim siç e kuptojnë këtë shia’t. Tekkija te muslimanët në përgjithësi bëhet me mosbesimtarët, thotë Ibn Xheriri: “Tekkija të cilën e ka përmendur Allahu në këtë ajet është me mosbesimtarët, jo me tjerët.”[5] Për këtë shkak disa prej dijetarëve të selefit kanë thënë se kjo dispozitë ka qenë në fillim të Islamit[6], kurse sot kjo nuk vlen, pasiqë muslimanët janë të fortë dhe është i njohur besimi i tyre. Ky është një dallim i madh mes perceptimit të shia’ve të kësaj dispozite dhe kuptimit të dijetarëve të parë të muslimanëve, sepse shia’t bëjnë tekkije me muslimanët, jo me tjerët. Dallim tjetër është se muslimanët thonë se tekkija lejohet në gjendje domosdoshmërie, është lehtësim (رخصة), jo të jetë shtyllë prej shtyllave të fesë. Kjo domosdoshmëri është për persona të caktuar, në vende të caktuara dhe në kohë të caktuar, nëse kanë frikë mos ju bëhet ndonjë e keqe, p.sh. vrasje, dhunim etj. Thotë Ibn El-Mundhir: “Dijetarët kanë konsenzus se ai i cili detyrohet të thotë fjalë kufri, me kërcënim se do të mbytet dhe e thotë atë duke e patur zemrën me Iman, se nuk gjykojmë për këtë njeri se ka dalur nga feja.”[7] Duke e ditur se ai i cili qëndron dhe nuk e bën atë që e detyrojnë ta bën, është më i mirë se ai i cili thotë fjalë kufri, thotë Ibn Battal: “Dijetarët kanë konsenzus se ai i cili detyrohet me kërcënim që të thotë fjalë kufri dhe nuk i përgjigjet kësaj dhe pastaj vritet, ka shpërblim më të madh tek Allahu (se ai i cili i thotë ato fjalë).”[8] Kjo është pra tekkija te muslimanët, kurse sa u përket shia’ve do të shohim se çfarë besimi kanë ata në këtë çështje.

–          Në Terminologji (te shi’at): E ka definuar dijetari i madh shii’t el-Mufiid tekkijen duke thënë: “Tekkije është fshehja e të vërtetës, mbulimi i besimit nga kundërshtarët (Ehlu Sunneti)…”[9], d.m.th el-Mufiid e definon tekkijen se është fshehje e besimit nga frika e dëmit që mund tu ndodhë nga Ehlu Sunneti, andaj ata shfaqen se janë si muslimanët tjerë, mirëpo në realitet ata kanë besim komplet tjerër, gjë e cila i bën dyftyrsha, pasiqë ata këtë e bëjnë gjatë gjithë jetës së tyre, për këtë kanë thënë disa prej dijetarëve musliman: “Ata që e kanë këtë besim janë më të këqij se hipokritët, pasiqë hipokritët e dijnë se atë që e fshehin (kufrin) është e pavërtetë, kurse këta mendojnë se atë që e fshehin është e vëertetë.”[10]

 

3-      Pozita e tekkijes në shii’zëm:

Thamë që tekkija te muslimanët është lehtësim kohëshkurt, andaj kjo dispozitë ndryshon prej asaj që shia’t e quajnë tekkije, tani të shohim se çfarë pozite ka ky besim te shia’t rafidha.

Është shtyllë prej shtyllave të fesë shii’te, thotë Ibn Babevejh: “Besimi i jonë për tekkijen është se ajo është detyrim dhe ai i cili e len është në shkallën e atij që e ka lënë namazin”[11], thotë Es-Sadik: “Po të thoja se lënësi i tekkijes është sikurse lënësi i namazit do ta thoja të vërtetën.”[12] Poashtu i kanë përshkruar Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Lënësi i tekkijes është sikur lënësi i namazit.”[13] E shohim qartë se këta njerëz e kanë ngritur tekkijen në pozitën e namazit, mirëpo siç ka evoluar feja e tyre në çdo gjë, ka evoluar edhe në këtë çështje, andaj nuk kanë gjetur diçka me pozitë më të lartë se namazi dhe kanë thënë se tekkije është e gjithë feja, transmetohet në Usul el-Kafi se Xha’fer ibn Muhammed ka thënë: “Nëntë prej dhjetë pjesëve të fesë është tekkija, nuk ka fe ai cili nuk ka tekkije.[14] Krahaso mes kësaj tekkije dhe asaj që e ka përmendur Allahu në Kur’an, për tekkijen e besimtarëve, tekkijen e Ummetit të krenarisë dhe Xhihadit. Tekkija e muslimanëve është ndodhi personale e cila nuk zgjatë shumë dhe ka të bëjë me dosmosdoshmëri, jetë apo vdekje.

Ky devijim te shia’t llogaritet esencë prej esencavë të fesë së tyre, thotë Ebu Abdullah: “Ju jeni në një fe, Allahu e ngrit atë i cili e fshehën, kurse ai që e humbën, do ta nënçmon Allahu.”[15] Andaj nuk është e çuditshme të shohësh njeri i cili e ka këtë besim, të gënjej haptaz, bile dijetarët e tyre gënjejnë haptaz, sepse kjo është bindje dhe vepër e cila i afron tek Allahu, sipas pretendimit të tyrë.

4-      Koha e tekkijes:

Duhet përmendur se shia’t besojnë se tre shekujt e parë kanë qenë koha kur edhe Imamat e tyre kanë bërë tekkije. Ata e thonë këtë pasiqë edhe në librat tyre ka transmetime të cilat qartë e kundërshtojnë fenë e tyre dhe janë në kontradiktë me esencat e këtij sekti, për këtë nëse i themi ndonjë rafidhiut se Imamat e tyre e kundërshtojnë besimin e tyre dhe kanë mendimet e muslimanëve tjerë, do të thonë se këtë e kanë bërë me tekkije, d.m.th e kanë shprehur atë që duan ta ndëgjojnë njerëzit dhe e kanë fshehur të vërtetën.

Tekkija poashtu ka vazhduar edhe pas kësaj periudhe dhe do të zgjas derisa të del imami i tyre i fundit, thotë Ibn el-Babevejh: “Tekkija është obligim, nuk lejohet që të ngritet kjo dispozitë derisa të del El-Kaim (imami i fundit) dhe ai i cili e len tekkijen ka dalur nga feja e Allahut, nga feja Imamije dhe e ka kundërshtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Imamat.”[16]

Tekkija është shoqëruesi i çdo rafidhi-ut nëpër vendet e joshia’ve, për këtë nëse e shohim se ndonjë rafidhi flet për dashurinë ndaj familjes së Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), për dashurinë ndaj Kur’anit, duhet që ky pretendim të merret me rezerva, pasiqë genjeshtra dhe dyftyrësia e shia’ve është fe e tyre, thotë një prej dijetarëve të tyre: “Ai i cili ka besuar Allahun dhe Ditën e Gjykimit le të mos flet në shtetet e të kotës (joshia’) përpos se me tekkije.”[17] Këtë besim e kanë edhe shia’t të cilët e përhapin këtë sekt në Evropë dhe nuk i përjashtojmë nga kjo edhe shia’t rafidha që mundohen të bëjnë propagandë Iraniane edhe nëpër trojet Shqipëtare. Dikush mund të thotë se shia’t e Evropës apo vendeve tona nuk kanë nevojë për këtë, sepse kanë liri të shprehjes. Themi se edhe këta e kanë këtë besim hipokrit, edhe atë për disa shkaqe:

1-      Tekkija është shtyllë prej shtyllave të fesë së tyre dhe nuk derogohet kjo dispozitë derisa të del Imami. Këtë nuk e kanë kundërshtuar përpos disa shia’ ekstremistë që kanë mendimin se shia’t kanë fuqi të mjaftueshme për ta treguar besimin e tyre edhe jashtë shteteve të veta, siç janë: Irani, Iraki, një pjesë e Libanit, Siria dikur, etj.

2-      Shia’t e trojeve tona nuk janë në atë gjendje të favorshme siç janë shi’at e Evropës, sidomos shia’t e Kosovës dhe Maqedonisë, përshkak se muslimanët e këtyre vendeve kanë antipati ndaj sekteve të kësaj natyre, Allahut i qoftë falënderimi. Për këtë shkak ata janë gjendje ta praktikojnë mirë këtë shtyllë të fesë së tyre, me qëllim të mashtrimit të numrit sa më të madh të muslimanëve naiv dhe injorantë.

3-      Tekkija te shia’t rafidha bëhet edhe pa asnjë shkak dhe arsye dhe për këtë ka argumente të panumërta nga librat e tyre referencë. El-Mexhlisij në Bihar el-Envar ka përmendur më shumë se 100 transmetime në këtë temë, librat e tyre janë të plota me kësilloj gënjeshtrash dhe trillimesh. Si argument i asaj që thamë, se shia’t bëjnë tekkije pa asnjë arsye është ky tregim të cilin e transmeton shejhu i tyre El-Kulejni, i cili transmeton nga Muhammed bin Muslim se ka thënë: “Hyra tek Xha’fer es-Sadik (Ebu Abdullah) dhe tek ai ishte i ulur Ebu Hanifja (Allahu e  mëshiroftë)[18], i thash Ebu Abdullahut: U bëfsha kurban për ty, e kam parë një ëndërr të çuditshme. Më tha: “O biri i Muslimit, tregoje ëndrrën, sepse ai që e din është këtu i ulur” dhe bëri me shenjë kah Ebu Hanifja…” Transmetuesi ia ka treguar ëndrrën Ebu Hanifes (Allahu e  mëshiroftë) – sipas pretendimit të tyre të rrejshëm – dhe Ebu Hanifja (Allahu e  mëshiroftë) i është përgjigjur, atëherë ka thënë Ebu Abdullahu: “E ke qëlluar o Ebu Hanife”, thotë transmetuesi: “Doli Ebu Hanifja pas kësaj dhe i thash Ebu Abdullahut: Unë e urrejta komentimin e këtij armiku, atëherë tha: “… nuk është komentimi ashtu siç e komentoi ai”, atëherë i thash: Por ti the: “E ke qëlluar o Ebu Hanife” dhe u betove përpara tij se e ka mirë, kurse ai e ka komentuar gabimisht. Atëherë më tha: “Po u betova se e ka qëlluar gabimin.”[19] fund i transmetimit. Andaj nëse shohim se ithtarët e tyre e shajnë dhe tregojnë mosrespekt ndaj Ebu Hanifes (Allahu e  mëshiroftë) dhe dijetarëve tjerë të muslimanëve, mos u habit dhe dije se kjo është traditë e paraardhësve të tyre.

Ky tregim qartë tregon se tekkija te këta të devijuar bëhet pa asnjë arsye. Njeriu betohet rrejshëm, e lëvdon njeriun dhe bëhet përpara tij mik dhe dashamirë i tij, mirëpo pas shpine, e tregon dhe e shfaqë atë që e beson[20]. Kjo te çdo njeri me logjikë të shëndoshë, qoftë musliman apo jomusliman, llogaritet dyftyrësi e qartë.

 

Lusim Allahun që të na ruaj nga çdo devijim në fe, ta largon sherrin e këtyrë të devijuarve prej muslimanëve kudo që janë në përgjithësi dhe prej muslimanëve nëpër trojet tona në veçanti dhe lutja jonë e fundit është: Hamdi i takon vetëm Allahut.

 

Përgatiti: Ali Ashani

 

 



[1] En-Nihaje fi gariib el-hadith (1/193).

[2] Fet’h el-Bari’i (12/314).

[3] Thotë Ibn Abbasi: “Tekkije me gjuhë bëhet vetëm nëse zemra është e plotë me Iman.”

[4] Aal I’mran (28).

[5] Tefsir Et-Taberi (6/316).

[6] Kjo është transmetuar nga Muadh ibn Xhebel dhe Muxhahidi.

[7] Fet’h el-Bari’i (12/314).

[8] Fet’h el-Bari’i (12/317).

[9] Sherh Akaid Es-Saduuk fq.261.

[10] Mexhmu’a resail el-minberije (1/248).

[11] El-I’tikadat fq.114.

[12] Ibn Idris – Es-Serair fq.479, Ibn Babevejh – Men la jahduruhu el-fekih (2/80).

[13] Bihar el-Envar (75/412,414).

[14] Usul el-Kafi (2/217), Vesail esh-shia’ (11/460), Bihar el-Envar (75/423).

[15] Usul el-Kafi (1/222).

[16] El-i’tikadat fq.114-115.

[17] Bihar el-Envar (75/412).

[18] Dijetari i madh dhe një prej imamave të Ehlu Sunnetit, Nu’man ibn Thabit el-Kufij (80-150 h.).

[19] Reudatu el-Kafi (8/292).

[20] Ne besojmë se ky transmetim është trillim i shia’ve ndaj Ebu Abdullahut dhe Ebu Hanifes, të cilët kanë qenë prej dijetarëve më të shquar Islam, edhe pse njëri prej tyre favorizohet te shia’t, kurse tjetrin e llogarisin si armik të përbetuar.

Të tjera