Tevesuli me të Dërguarin e Allahut

by Uniteti-Admin

Fjala “Tevessul” është marrë nga fjala “Vesile” e cila kuptimin e ka mjet dhe rrugë.

Pra, Tevesuli është marrja e diçkaje, apo e dikujt si mjet apo rrugë nëpërmes së cilës arrijmë deri te synimi.

Tevesuli është dy lloje:

–          I lejuar

–          I ndaluar

1-      Sa i përket llojit të parë, ndahet në tri pjesë:

a-      Tevesuli me emrat dhe cilësitë e Allahut, thotë Allahu: وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا

Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj luteni Atë me to…”[1], poashtu thotë Allahu: وَابْتَغُوا إِلَيْهِ الْوَسِيلَةَ

“…tentoni që t’i afroheni Atij me vepra të mira…”[2]

b-     Tevesuli me veprat e mira, argument për këtë është hadithi i ibn Omerit të cilin e kanë nxjerrur Buhariu dhe Muslimi, rreth atyre tre personave të cilëve i’u mbyll hyrja e shpellës me një gur të madh, pastaj kanë bërë Tevesul me veprat e tyre të mira.[3]

c-      Tevesuli me Dua’në e ndonjë njeriu të mirë, siç është hadithi i Uthman ibn ebi el-A’s rreth një njeriu të verbër i cili tha: “Unë të afrohem Ty (bëj Tevesul) me të Dërguarin Tënd, andaj bëne ndërmjetësues për mua.”[4]

Nga kjo qartë duket se ky sahabij kishte për qëllim Dua’në e Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) jo Tevesulin me qenien e tij.

2-      Ndërsa lloji i dytë i Tevesulit ndahet në dy lloje:

a-      Tevesuli i Shpikur (Bidati), ka të bëj me Tevesulin e njerëzve me pejgamberët apo njerëzit e mirë (të vdekur). Argument se kjo është Bida’t është se Tevesuli është adhurim, ndërsa në adhurime nuk lejohet shpikje e formës apo ndonjë lloji të adhurimit, mirëpo disa prej dijetarëve e kanë lejuar këtë lloj të Tevesulit duke u argumentuar me Hadithin e të verbërit dhe me disa hadithe tjera, mirëpo mendimi i vërtetë është se kjo vepër është e ndaluar.

b-     Tevesul Kufri (Shirku). Ky lloj Tevesuli është kur njeriu ia drejton adhurimin dikujt tjetër veç Allahut, siç është kurbani, lutja, zotimi etj. Pastaj vepruesit e këtyre punëve thonë se këtë e bëjnë që këto krijesa (për të cilat i kanë bërë këto adhurime) të ndërmjetësojnë tek Allahu për ata, thotë Allahu për mushrikët:

مَا نَعْبُدُهُمْ إِلَّا لِيُقَرِّبُونَا إِلَى اللَّهِ زُلْفَى

“Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut”[5]

وَيَعْبُدُونَ مِنْ دُونِ اللَّهِ مَا لا يَضُرُّهُمْ وَلا يَنْفَعُهُمْ وَيَقُولُونَ هَؤُلاءِ شُفَعَاؤُنَا عِنْدَ اللَّه

“Ata pos Allahut adhurojnë atë që nuk bën dëm e as dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek All-llahu!”[6]

 

Thotë Shejh Muhammed Nasiruddin Albani në “Silsilet el-ehadith ed-daife”, Hadithi nr.22: “Bëni Tevesul me pozitën time, sepse unë kam pozitë të madhe tek Allahu”, Hadithi është i pabazë.

Padyshim se pozita e Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe vlera e tij tek Allahu është shumë e madhe, andaj Allahu e ka përshkruajtur Musain (alejhi selam) duke thënë: وَكَانَ عِندَ اللَّـهِ وَجِيهًا

“…dhe ai tek Allahu ishte autoritativ”, duke e ditur se i Dërguari ynë, Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është më i mirë se Musai (alejhi selam), për këtë shkak ai është më me pozitë dhe më i ngritur tek Allahu. Mirëpo kjo çështje, Tevesuli me pozitën e tij është diçka tjetër, andaj nuk duhet të përzihen këto çështje, siç bëjnë disa, sepse Tevesuli me pozitën e Pejgamberit nuk bëhet vetëm se me shpresë që lutja e njeriut të pranohet më lehtë, mirëpo kjo çështje nuk dihet dhe as nuk njihet nëpërmjet logjikës, ngase kjo çështje është prëj çështjeve të Gajbit, dituri e cila nuk arrihet me logjikë, për këtë shkak duhet të argumentohet me tekst fetar autentik, gjë e cila nuk ka mundësi të bëhet, ngase hadithet që flasin për këtë çështje ndahen për nga vërtetësia në dy pjesë:

–          Hadithe të vërteta

–          Hadithe të dobëta

 

1-      Sa u përket haditheve autentike, në to nuk ka argument për këtë çështje, siç është Hadithi i Tevesulit të sahabëve me Pejgamberin në lutjen për shi, apo Tevesuli i të verbërit me Pejgamberin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), i cili bëri Tevesul me Dua’në e Pejgamberit, jo me pozitën, e as me qenien e tij, andaj nëse Tevesuli me Dua’në e tij është i paaritshëm pas vdekjes së tij, atëherë medoemos që Tevesuli pas vdekjes së tij të jetë të jetë i ndaluar.

Argument për këtë është se sahabët kur bënin lutje për shi në kohën e Hilafetit të Omerit (radijAllahu anhu), bënë Tevesul me axhën e Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), Abbasin (radijAllahu anhu) dhe nuk e bënë Tevesulin me Pejgamberin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), kjo ngase ato e dinin kuptimin e Tevesulit legjitim fetarisht…

Hadithi dhe kuptimi i tij sillet rreth Dua’s (lutjes), siç i bëhet kjo e qartë lexuesit nëpërmes këtij shpjegimi të shkurtër, sepse Hadithi nuk ka lidhje me Tevesulin e shpikur, andaj Imam ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Urrej që Allahu të lutet nëpërmes dikujt tjetër, veç Tij.”[7]

Ndërsa sa i përket thënies së Keutheriut në “Mekalaat“: “Imam Shafiu ka bërë Tevesul me ebu Hanifen, siç është përmendur në fillim të librin “Tarih Bagdad” me zinxhir të mirë transmetuesish”.

Kjo thënie është prej ekzagjerimeve të tija, bile prej gabimeve të rënda të tija. Ai referohet në transmetimin të cilin e ka nxjerur Hatib el-Bagdadi se Ali ibn Mejmun ka thënë: E kam ndëgjuar Shafiun duke thënë: “Unë bëj Teberruk[8] me ebu Hanifen, e vizitoj varrin e tij çdo ditë. Kur të kem ndonjë nevojë i fal dy rekat dhe e vizitoj varrin e tij duke e lutur Allahun nga ky vend dhe nuk kalon shumë kohë para se Allahu të ma jep atë që dua”, ky është transmetim i dobët, bile i kotë.

Ibn Tejmije e ka përmendur[9] kuptimin e këtij transmetimi dhe e ka vërtetuar jovaliditetin e tij duke thënë: “Kjo është gënjeshtër, gënjeshtër të cilën e vëren çdokush i cili ka pak njohuri fetare, sepse Shafiu kur ishte shpërngulur në Bagdad, nuk kishte në Bagdad varr ku bëhej lutje tek ai, bile kjo gjë as që ishte e njohur në kohën e Shafiut. Shafiu kishte parë në Hixhaz, Jemen, Sham, Irak dhe në Egjipt varreza të profetëve, sahabeve dhe tabi’inve, njerëz të cilët ishin më të mirë se ebu Hanifja dhe se dijetarët tjerë të rangut të tij. Atëherë si ka mundësi që të bëj Dua’ vetëm te varri i Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë)?! Poashtu nxënësit e ebu Hanifes të cilët kanë jetuar me të, siç janë ebu Jusufi, Muhamedi, Zuferi, Hasen ibn Zijad dhe gjenerata e tyre, nuk bënin Dua’, as te varri i ebu Hanifes, as te varrezat e tjerëve…”

2-      Ndërsa pjesa e dytë e haditheve që flasin për Tevesulin, janë hadithe të dobëta, hadithe të cilat nxjerrin në pah legjitimitetin e Tevesulit të ndaluar (të shpikur), andaj ndoshta është e rendit që në këtë vend t’i përmendim disa prej tyre:

 اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ بِحَقِّ السَّائِلِينَ عَلَيْكَ وَأَسْأَلُكَ بِحَقِّ مَمْشَايَ هَذَا فَإِنِّي لَمْ أَخْرُجْ أَشَرًا وَلَا بَطَرًا وَلَا رِيَاءً وَلَا سُمْعَةً وَخَرَجْتُ اتِّقَاءَ سُخْطِكَ وَابْتِغَاءَ مَرْضَاتِكَ فَأَسْأَلُكَ أَنْ تُعِيذَنِي مِنْ النَّارِ وَأَنْ تَغْفِرَ لِي ذُنُوبِي إِنَّهُ لَا يَغْفِرُ الذُّنُوبَ إِلَّا أَنْتَ أَقْبَلَ اللَّهُ عَلَيْهِ بِوَجْهِهِ وَاسْتَغْفَرَ لَهُ سَبْعُونَ أَلْفِ مَلَكٍ

“Kush del nga shtëpia për në namaz dhe thotë: O Allah me hakkun e atyre që të luten Ty dhe me hakkun e ecjes time (për në xhami)…” Hadith i dobët.

Poashtu prej haditheve të dobëta, bile është hadith i shpikur, është kjo thënie:

لما اقترف آدم الخطيئة قال يا رب أسألك بحق محمد لما غفرت لي فقال الله يا آدم وكيف عرفت محمدا ولم أخلقه قال يا رب لما خلقتني بيدك ونفخت في من روحك رفعت رأسي فرأيت على قوائم العرش مكتوبا لا إله إلا الله محمد رسول الله…

“Kur Ademi (alejhi selam) bëri mëkatin tha: O Zot të lutem me hakkun e Muhammedit..”[10]

 

Allahu e din më së miri.

Përgatiti dhe përshtati: Ali Ashani.

 


[1] El-Ea’raf:180.

[2] El-Maide:35

[3] P.sh kanë thënë: O Allah nëse këtë vepër e kam bër hir Tëndin atëher na liro nga ky vend. Sh.P.

[4] Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh.

[5] Ez-Zummer:3.

[6] Junus:18. http://fatwa.islamweb.net fetvaja nr.16690.

[7] Ed-dur el-Muhtar.

[8] Teberruk: Kërkim i bereqetit dhe begatisë nëpërmes veprave, pozitës, apo qenies së dikujt i cili është i gjallë apo i vdekur. Sh.P.

[9] Iktidaa Es-Sirat el-Mustekim.

[10] Pjese nga thënia e Shejh Albanit në “Silsilet el-ehadith ed-daife”, hadithi nr.22. Përkthyer me disa shkurtesa.

Të tjera