Thirrja e Ibrahimit (alejhi selam) në Teuhid

by Uniteti-Admin

Ibrahimi (alejhi selam), siç quhet ndryshe babai i pejgamberëve u lind në një popull që adhuronin putat dhe yjet, saqë thuhet se në kohen e tij çdo njeri ka patur nga një put të cilin e adhuronte.

Ibrahimi (alejhi selam) së pari e filloi thirrjen në Teuhid me babain i tij i cili poashtu i adhuronte putat, siç na tregon Allahu ne Kuran: “Përkujtoju në Libër (Kur’an) Ibrahimin! Ai ka qenë i sinqertë, (dhe) pejgamber,  kur i tha babait të tij: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur një pjesë e dijes, që ty nuk të ka ardhur; prandaj më paso mua dhe unë do të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro Shejtanin; me të vërtetë, Shejtani është i padëgjueshëm ndaj Mëshiruesit (Allahut). O babai im, unë kam frikë se mos do të të vijë dënimi nga Mëshiruesi, e do të bëhesh shok i Shejtanit”.

Ndërsa cila ishte përgjigjja e babait të Ibrahimit (alejhi selam)?!  “(Baba i Ibrahimit) tha: “O Ibrahim, apo shmangesh nga zotrat e mi” nëse nuk heqesh dorë nga kjo, do të të gurëzoj, largohu prej meje për një kohë të gjatë!” (Merjem: 41-46).

Pastaj Allahu na tregon se si Ibrahimi (alejhi selam) i është drejtuar popullit të vet:

(Kujtoje o Muhammed!) kur Ibrahimi i tha babës së tij Azerit: “A mos do t’i marrësh statujat për zotra”! Unë po shoh se ti dhe populli yt jeni në humbje të madhe.  Dhe Na ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës për t’u bërë nga ata që besojnë vendoshmërisht. Dhe kur arriti nata, ai e pa yllin dhe tha: “Ky është Zoti im!” Por kur perëndoi ylli, tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. E, kur e pa Hënën duke u shfaqur, tha: “Ky është Zoti im!” E, pasi perëndoi ajo, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, do të bëhem nga të humburit”. E, kur e pa Diellin duke lindur, ai tha: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” E, pasi perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga shirku i juaj! Unë e kthej fytyrën time kah Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtarë i vërtetë, dhe nuk jam nga mushrikët. (El-En’am: 75-79)

Me këtë polemikë Ibrahimi (alejhi selam) pati për qëllim se ato gjëra që përmendi nuk meritojnë të adhurohen. Pasi përfundoi polemikën me adhuruesit e yjeve Ibrahimi (alejhi selam) ju drejtua adhuruesëve të putave; Na ia kemi dhënë Ibrahimit që më parë pjekurinë (e profetnisë) dhe Ne e kemi ditur (se ai është për këtë gjë), kur ai i tha babait të vet dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”Ata thanë: “I kemi gjetur baballarët tonë duke i adhuruar”. (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj jeni në humbje të qartë”. Ata thanë: “A na ke ardhur me të Vërtetën, apo ti je nga ata që tallen” (Ibrahimi) tha: “Jo, por Zoti juaj është Zot’i qiejve dhe i Tokës, i cili i krijoj ato dhe un dëshmoj për këtë.”

Kur vërejti Ibrahimi (alejhi selam) se populli i tij nuk donin të kuptojnë tha (me zë të ulët): Dhe, për Zotin, do t’ju bëjë një dredhi idhujve tuaj, posa të largoheni ju!” 

Populli i Ibrahimit (alejhi selam) e kishin një festë të cilën e festonin një herë në vit dhe dilnin jashtë qytetit për ta festuar atë. Dhe kur erdhi dita e festës: “Dhe, i bëri ata copacopa, përpos idhullit të tyre më të madh. Ndoshta ata do t’i drejtohen atij. Ata thanë: “Kush veproi kështu me zotërat tanë” Me të vërtetë, ai është zullumqarë!” Ata thanë: “E dëgjuam një djalosh që i fyente ato, e ai quhej Ibrahim”.

Thanë ata: “Silleni atë para syve të njerëzve, që ata të dëshmojnë (kundër tij).”

Ky ishte edhe qëllimi i Ibrahimit (alejhi selam), të dalë para njerëzve që ti thirrë ata  në Rugën e Allahut.

“E pyetën ata: “A ti veprove kështu me zotërat tanë, o Ibrahim.”(Ibrahimi) tha: “Jo, por këtë e ka bërë ky i madhi i tyre, e pyetni ata, nëse (mund të) flasin”. E, u kthyen ata dhe i thanë (njëri-tjetrit): “Me të vërtetë, ju jeni zullumqarë”. Pastaj, ju kthyen mendimit të tyre të mëparshëm: “Po ti e di që këta nuk flasin”. (Ibrahimi) tha: “A adhuroni, përpos Allahut atë që nuk mund t’ju sjellë kurrfarë dobie as dëmi””

Turp për ju dhe për ata që i adhuroni, përveç Allahut! A nuk po mendoni” Thanë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotrat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!”

Ne, thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin! (El Enbija: 51-69).

Përgatiti: Mirsad Hamiti

 

 

Të tjera