Kur muslimani arrin në një fazë dëshpërimi për përmirësimin e umetit dhe sheh se dora e shthurjes po shtrihet gjithnjë e më larg, në mendjen e tij mund të lindë një ide e rrezikshme, një iluzion i ushqyer nga shejtani: “Ti je larg realitetit; nëse dëshiron ta ndryshosh atë, duhet të përlyhesh me baltën e tij.”
Ai mund ta përvetësojë këtë ide nga padija, duke menduar se po i afrohet qëllimit të reformës. Por, në të vërtetë, ai mund të jetë duke hyrë në vijën e parë të sprovës: i kërkohet të heqë dorë nga një parim, të lëshojë një shtyllë të besimit, të bëjë kompromis me diçka prej themeleve të tij.
Pastaj, dalëngadalë, e gjen veten duke duartrokitur të keqen, duke buzëqeshur para shkeljeve, duke e pranuar të ndaluarën si diçka të zakonshme, madje edhe duke ndihmuar në përhapjen e saj.
Jo vetëm sepse është mësuar me të, por sepse ajo, pak nga pak, ka fituar pushtet mbi të.
E vërteta është se zjarri, për sa kohë që furnizohet me lëndë djegëse, nuk shuhet; dhe rruga që të çon drejt zjarrit nuk ndryshon vetëm sepse ti e sheh ndryshe.
Sado harta të ndërtojë njeriu për të arritur qëllimet e tij, sado rrugë të shpikë për të përmbushur misionin e madh për të cilin është krijuar, ai nuk do të arrijë te shpëtimi për sa kohë që është i pavëmendshëm ndaj hartës qiellore dhe udhëzimit hyjnor.
Mesazhi i Allahut është shumë më i lartë dhe më madhështor sesa të përkulet për t’i pëlqyer një bote të shtrembëruar.
Ky lloj dëshpërimi mund ta çojë njeriun në vende ku rrezikon të humbasë edhe besimin e tij – gjënë më të shtrenjtë që posedon. Për këtë arsye, Allahu i ka urdhëruar robërit e Tij të mbështeten tek Ai, t’i drejtohen Atij dhe të kërkojnë ndihmë prej Tij.
Besimtari, sado i fortë të jetë në besim, kur hyn në zonën e dyshimeve, zemra e tij mund të mbulohet nga pluhuri i dyshimit dhe t’i errësohet qartësia. Në vend që të dallojë qartë mes së vërtetës dhe së pavërtetës, fillon ta shohë veten të detyruar të zgjedhë mes dy të këqijave, duke harruar se ajo që duket si “e keqja më e vogël” mund të jetë pikërisht dera drejt një të keqeje edhe më të madhe.
Prandaj, mos e vendos veten në atë zonë që kërcënon besimin tënd.
Ti je më i dobët sesa mendon për të ecur i sigurt në një rrugë që Allahu nuk e ka pëlqyer për ty. Nëse njeriu e braktis udhëzimin e Allahut dhe mbështetet te vetja, mund të lihet në dorë të vetes së tij – dhe kush lihet në dorë të vetes, humbet.
Mos harro: udhëzimi i vërtetë nuk është ai që përshtatet me realitetin e prishur; udhëzimi i vërtetë është ai që e kthen realitetin drejt asaj që Allahu e ka urdhëruar.
Nga: Selam Abidin
25 Rebi’ el-Evvel 1448 h. / 7 shtator 2026
Përktheu & përshtati: Amar Dauti
