Falënderimi i takon Allahut dhe selamet dhe salevatet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut :
Urimi për një gjë ka disa gjendje:
1- Të jetë urim për diçka me të cilën gëzohet muslimani nga gjërat e lejuara që i ndodhin, qoftë kjo për ndonjë mirësi që i ka ndodhur apo të keqe të kaluar, si p.sh urimet për martesë, për lindjen e foshnjes, për sukses në punë ose në mësime, apo ndonjë ndodhi e ngjashme me këto që i përmendëm dhe që nuk ka të bëj më ndonjë periudhë të caktuar, krejt kjo është normal dhe nuk ka gjë nëse bëhen, bile ndoshta ai i cili ia uron dikujt tjetër, shpërblehet për këtë vepër për shkak të gëzimit që e fut në zemrën e vëllaut të tij musliman, d.m.th urimi i lejuar, siç ka thënë Ibn Tejmije është: “Me nijet të mirë (urimi) është i mirë, kurse me nijet të keq është i keq”, dhe ky lloj i urimit është mes së pëlqyeres dhe të lejuarës.
2- Të jetë urim në periudha të caktuara siç janë bajramet, viti i ri, muajt, ditët, krejt kjo duhet qartësuar dhe detajizuar:
– Bajramet: Fitr dhe Kurban Bajrami – kjo çështje është e qartë dhe nuk ka asnjë paqartësi dhe urimi për Bajram është transmetuar nga një numër i sahabeve.
– Viti i ri: d.m.th urimi për hyrjen e vitit të ri Hixhri.
– Muajt: si p.sh urimi për hyrjen e Ramazanit, kjo ka bazë në fe dhe mospajtimi i dijetarëve rreth kësaj çështje është i njohur.
– Ditët: si që është urimi për mevludin ose për Isra-në dhe M’iraxh-in dhe dispozita për këto dihet dhe është prej gjërave të shpikura në fe (bidat), përshkak se ka të bëjë me manifestimë të shpikura në Fe.
Krejt këto urime përpos llojit të parë, nuk është transmetuar asgjë rreth tyre nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), as nga ndonjë nga Sahabet, as nga ndonjë nga dijetarët e gjeneratave të para, edhe pse kishte mundësi që kjo të ndodhë në kohën e Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) dhe në kohën e Sahabeve dhe nuk ka ekzistuar ndonjë pengesë për diç të tillë, megjithatë nuk është transmetuar nga asnjëri prej tyre se kanë uruar për diçka përpos se për dy Bajramat.
Urimi për vitin e ri Hixhri nuk ka qenë i njohur te gjeneratat e para të muslimanëve , mirëpo pasi që kjo gjë është përhapur kohëve të fundit dhe për këtë janë pyetur dijetarët bashkëkohorë të cilët janë ndarë në dy mendime:
Mendimi i parë: Kjo gjë lejohet dhe është prej zakoneve të njerëzve, prej dijetarëve i cili e kishte këtë mendim është Shejh Muhammed bin Salih el- Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) i cili thotë: “Mendoj se urimi për hyrjen e vitit të ri nuk është problem, mirëpo nuk është e lejuar në atë mënyrë derisa tu themi njerëzve: “Është e pëlqyeshme (sunnet) për ju t’ia uroni vitin e ri njëri tjetrit”, por nëse e bëjnë nuk prish punë. Poashtu duhet që kur t’ia uron vitin e ri t’a lut Allahun që t’a bëj vit të hajrit dhe begatisë, me qëllim që njeriu t’a kthen këtë urim. Kjo është ajo që mendojmë për këtë çështje dhe kjo vepër ka të bëj me traditat dhe zakonet dhe jo me adhurimin (ndaj Allahut).”[1] Fund i thënies së ibn el-Uthejminit.
Shejhu (Allahu e mëshiroftë) poashtu ka thënie tjetër për këtë çështje në të cilën e ka precizuar mendimin e tij, thotë: “Nëse t’a uron dikush (vitin e ri hixhri) ktheja urimin, mirëpo ti mos nis i pari me urim, kjo është e vërteta në këtë çështje, nëse të thotë dikush, p.sh: Ta uroj këtë vit të ri. Thuaj: Allahu e bëftë vit të hajrit dhe begatisë. Mirëpo siç thamë mos nis ti i pari që tua urosh njerëzve, sepse unë nuk e di se dikush prej muslimanëve të parë u ka uruar njerëzve vitin e ri, poashtu duhet ditur se muslimanët e parë nuk e kanë llogaritur vitin e ri në Muharrem deri në Hilafetin e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të)”[2], poashtu thotë (ibn el-Uthejmin): “Nuk është prej Sunnetit që nga viti i ri Hixhri të bëjmë festë apo që ta bëjmë traditë urimin për ardhjen e vitit të ri”[3].
Në lëjimin e kësaj vepre disa kanë përmendur thënie jo mirë të shtjelluara të Kamuuli-t dhe Sujuti-t prej dijetarëve të vonshëm të Shafijve dhe thënie të Ebi Hasen el-Makdisi prej dijetarëve të Hanbelive, të cilat nuk i përmendi nga frika mos të zgjatet shumë ky shkrim.
Mendimi i dytë: i cili e plotësishtë e ndalon këtë vepër dhe është mendim i vërtetë. Prej dijetarëve të cilët e kanë këtë mendim është Shejh Salih el-Feuzan i cili kur është pyetur për këtë çështje dhe ka thënë: “Nuk dijmë për këtë gjë esencë në fe, kurse qëllimi i kalendarit hixhri nuk është që viti i ri të festohet dhettë urohet, mirëpo është bërë kalendari hixhri vetëm për dallim të viteve siç e ka bërë Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur është zgjëruar hilafeti, kështuqë i vinin letra dhe mesazhe pa datë, andaj kishte nevojë që të vendosin kalendar nëpërmjet të cilit do të njihej data e shkrimit të letrave. Me këtë rast Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) u konsultua me sahabet, kështu që ata i dhanë propozim që fillim i kalendarit të jetë Hixhreti dhe me këtë u larguan nga përdorimi i kalendarit gregorian i cili përdorej në kohën e tyre. Kështu u bë Hixhreti fillim i kalendarit të muslimanëve, që të njihet data e dokumentacionit dhe jo për tu festuar, kjo gradualisht është duke u bërë ne bidat.
Pyetje:nëse më thotë mua dikush: Urimë vitin e ri hixhri, a lejohet të thuhet kjo fjalë në kohën tonë?
Përgjigje: Jo nuk lejohet të thuhet kjo”[4].
Hulumtuesi rreth kësaj çështje e sheh se mendimi i cili e ndalon urimin e vitit të ri mbështetet në disa gjëra:
1- Ky urim është në ditë të veçantë të vitit i cili kthehet çdo vit, andaj urimi i kësaj dite bëhet festë, kurse ne jemi të ndaluar të kemi festa pos Fitër dhe Kurban Bajramit dhe andaj ndalohet që t’ia urojmë dikujt vitin e ri hixhri.
2- Kjo vepër është përngjasim me çifutët dhe krishterët, kurse ne jemi të urdhëruar që t’i kundërshtojmë ata.
3- Kjo vepër është përngjasim me zjarrputistët dhe mushrikat arab. Sa i përket zjarrputistave, ata ia urrojnë njëri tjetrit festën e Nejruzit e cila është në ditën e parë të vitit të ri, kurse nejruz d.m.th dita e re. Sa u përket arabëve ata gjat xhahilijetit ua uronin mbetërve të tyre vitin e ri në ditën e parë të muajit Muharrem, ashtu siç ka përmendur Kazuini në librin e tij “Axhaib el-mahlukat”. Për më shumë informata shih librin ((Festat dhe ndikimi i tyre ndaj muslimanëve)) të Dr. Sulejman es-Suhejmi.
4- Lejimi për urimin e vitit të ri hap derën për festimin dhe urimin e ditëve tjera, siç janë dita e parë e mësimit, dita e pamvarsisë së shtetit etj, gjë të cilën nuk e lejojnë ata të cilët e e kanë lejuar urimin e vitit të ri hixhri, bile është më primare të bëhet urimi i këtyre ditëve sepse kjo nuk ka ekzistuar në kohën e sahabeve, kurse viti i ri hixhri ka qenë në kohën e tyre dhe ata nuk e kane uruar.
5- Mendimi i pare (ata që e lejonin) çon në zgjërim të tepërt në këto çështje, andaj shtohet numri i mesazheve nëpër telefona, kartelat me urime, urohet viti i ri nëpër faqet e para të gazetave, bile ndodh që të ketë vizita oficiale dhe shkurtim apo ndërprerje të orarit të punës siç ndodh nëpër disa shtete, andaj ata që e lejojnë urimin e vitit të ri hixhri dhe e llogarisin nga gjërat e zakonta nuk kanë argument në ndalimin e këtyre gjërave (të lartëpërmendura) nëse fillojnë njerëzit t’i bëjnë të zakonta, kështu që ndalimi i këtyrë gjërave është më primar së lejimi i tyre.
6- Urimi i vitit të ri nuk ka kuptim të mirë në esencë, sepse në këtë nuk ka ripërtrirje të ndonjë të mire apo kalim i diçka që është keq, bile mund të thuhet çfarë e mire na ndodh me kalimin e një viti?! Është më mirë për ne që të marim mësim nga kalimi i një pjese të jetës tonë.
Nga kjo që u tha mendojmë se mendimi i dytë është i vërtetë, mirëpo nëse dikush ta uron vitin e ri hixhri është mirë që ta këshillosh dhe t’ia mësosh të vërtetën, sepse në kthimin i urimit ka një lloj pajtueshmërie më atë të cilën e bën ai, kurse analogjia dhe krahasimi i urimit me përshëndetjen është analogji e kotë.
Selamet dhe salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
A’levi bin Abdul-Kadir es-Sekkaf
Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani