Një nga qëllimet kryesore të agjërimit është të përmbajturit e vetvetes.
Thotë Allahu për agjërimin e Ramazanit:
"O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, ashtuqë të bëheni të devotshëm." (El-Bekare:183)
Arritja e devotshmërisë në këtë muaj të bekuar është më e lehtë për pasionin në krahasim me muajt e tjerë të vitit. Ndonjëherë inkurajohemi që të jemi të devotshëm, të kënaqur në çdo gjendje me Zotin tonë dhe me ibadete që gjallërojnë zemrën. Mirëpo, mjerisht dhe verbërisht ne ndjekim pasionet dhe kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe në mendjen tonë gjejmë justifikime për të arsyetuar vetveten. Shpesh këto na shpiejnë në nijete të arogancës së rrënjosur thellë dhe pastaj na dërgojnë në paaftësi të plotë për të shkuar kundër vetes. Arsyetimet lehtësisht mbjellin autoritet në pasion dhe natyrisht dobëson vendosmërinë tonë.
Thotë Allahu (subahenu ue teala):
"A e ke parë ti atë që pasionin e vet e mori zot të vetin dhe Allahu e devijoi me dituri, ia vulosi të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit. E kush pos Allahut kush mund ta udhëzojë atë? A nuk merrni mësim?" (El-Xhathije:23)
Lexojmë këtë ajet dhe menjëherë mendojmë për të tjerët, mirëpo sa herë ne e kemi lejuar pasionin tonë të pafrenuar të marrë vendime të cilat më pas ne i kemi ndjekur!
Ramazani është mundësia me e mirë për të ndryshuar vrullin e rrezikshëm nga mëkatet të cilat nuk i ndjejmë dhe i bëjmë si pasojë e zemrës së sëmurë.
Ramazani është muaj që vullnetarisht i kufizojmë nevojat themelore siç janë ushqimi dhe pijet, përmbahemi nga dëshirat tona, largohemi nga çdo gjë që mund të na dërgoj në mëkat, madje edhe nga veprimet boshe që nuk sjellin asnjë dobi ose dëm. Lodhjen e shpirtit dhe lëndën djegëse të tij (gjynahet), i largojmë më një pendim të sinqertë në këtë muaj. Shpirti i çliruar lejon që zemra të drejtohet për kah devotshmëria.
Stërvitja e vetes gjatë agjërimit me barkun bosh e me shpirtin plotë mundëson që marrja e vendimeve përgjatë sprovave të jenë nga ato vendime që e kënaqin Allahun (subhanehu ue teala).
Në këtë muaj të begatshëm nuk janë vetëm ushqimet, pijet dhe marëdhënjet intime bashkëshortore që ne u largohemi ! Përkundrazi këto janë vetëm primare për t’ia dalë mbanë, ngase përpara kemi një fushë trajnimi që ta frenojmë veten nga zemërimi, përleshjet, ofendimet, përçarjet, gënjeshtrat, lakminë, xhelozinë, përgojimin etj.
Një thënie e famshme arabe thotë : “Nëse veten tënd nuk e angazhon me hajr, do të ngarkon vetja ty me gjëra të kota”.
Këtë Ramazan le të përpiqemi në çdo gjë që e kënaq Krijuesin tonë, sepse Allahu në këte muaj dëshiron prej robërve të Tij besimtarë që t’ua jep Xhenetin.
Përktheu: H.Mustafi