Bismilah…
Shumë prej nesh e kanë dëgjuar hadithin rreth vlerës së dhjetë ditëve të Dhul Hixhes, të cilin na e përcjellë Abdullah ibn Abbasi nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Ditët në të cilat vepra e mirë është më e dashur tek Allahu janë këto (dhjetë) ditë.” Dikush tha: As xhihadi në rrugë të Allahut?! Tha ﷺ: “As xhihadi në rrugë të Allahut… Përpos ai përson që del (në luftë) me shpirtin dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me gjë.”1
Hadithin e kemi dëgjuar, por shumë prej nesh pyesin çfarë veprash mund të bëj njeriu gjatë këtyre ditëve në qoftë se nuk është në haxh, por edhe nëse është në haxh, çfarë mundet që të bëjmë që t’i dallojmë këto ditë nga ditët tjera?!
Para se gjithash, duhet ta dimë që këto ditë duhet të jenë të shoqëruara me pendim të sinqertë, të shpeshtohen veprat e mira në përgjithësi dhe të përkushtohemi në veprat në vijim:
- Agjërimi:
Është e pëlqyeshme që besimtari t’i agjërojë këto dhjetë ditë, ngase Pejgamberi ﷺ na stimulonte që të bëjmë vepra të mira, e agjërimi është prej veprave më të dalluara, sepse Allahu e ka veçuar atë me thënien e Tij: “Çdo vepër e birit të Ademit është e tij, përveç agjërimit, sepse ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të.”2 Gjithashtu është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ se ai agjëronte nëntë ditët nga Dhul Hixhe, ditën e Ashurasë dhe tre ditë nga çdo muaj.3
- Shpeshtimi i tahmidit, tehlilit dhe tekbirit:
Tahmid – thënia elhamdulilah.
Tehlil – thënia la ilahe il-la Allah.
Tekbir – thënia Allahu ekber.
Është e pëlqyeshme që besimtari ti shpeshtojë këto forma të dhikrit dhe t’i thotë ato me zë të lartë, thotë Allahu: “…që ta përmendin All-llahun në ato ditë të njohura…” Shumica e dijetarëve janë të mendimit që “…ato ditë të njohura…” 4janë dhjetë ditët e Dhul Hixhes.
Abdullah ibn Amr përcjellë se Pejgamberi ﷺ thotë: “Veprat më të mëdhaja dhe më të dashura tek Allahu janë në këto dhjetë ditë, andaj shpeshtoni në to tehlilin, tekbirin dhe tahmidin!”5
- Haxhi dhe veprat në të:
Kjo kuptohet është e veçantë për ata që Allahu i ka zgjedhur për kryerjen e këtij adhurimi madhështor, kurse shpërblimi për këtë vepër të pranuar është sikurse tha Pejgamberi ﷺ: “I vetmi shpërblim për haxhin e pranuar është Xhenneti.”
- Therja e kurbanit:
Kjo është nga veprat më të mira që mund t’i bëj njeriu në këto ditë, sepse në këtë vepër mishërohet dhe manifestohet robëria e vërtetë e njeriut ndaj Allahut, meqë ai bën një vepër të cilën një pjesë e madhe e njerëzimit gjatë historisë e kanë bërë për dikë tjetër veç Allahut. Me këtë besimtari shfaq përulësinë e tij ndaj Allahut, shpenzon nga pasuria e tij, kundërshton të devijuarit në këtë çështje dhe bëhet shkak për ndihmesën e vëllezërve të tij në këto dit të dashura tek Zoti.
Andaj, dyert e mirësisë janë të hapura për të gjithë dhe të mundohemi të bëjmë diçka me të cilën do ta kënaqim Allahun dhe gjurmët e së cilës do t’i gjejmë përpara nesh në Ditën e Kijametit.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin e Tij.
Përmblodhi dhe përshtati: Ali Ashani
Mëso diçka më shumë rreth këtyre ditëve këtu!
- Buhariu 969, Ebu Davudi 2438, Tirmidhiu 757
- Buhariu 1805
- Nesai dhe Ebu Davudi, Albani e konsideron si të saktë, sikurse në Sahih Ebi Davud 2/462
- El-Haxh, 28
- Ahmedi 7/224, Ahmed Shakir e konsideron si të saktë