Veshja e bukur

by Uniteti-Admin

Veshja e bukur;
Padyshim nga tematikat që trajtohet dhe nga pyetjet që shpesh parashtrohen nga besimtarët është edhe çështja e veshjes. Jo rrallë gjejmë edhe botëkuptime individuale që ndërlidhen me këtë çështje, disa të ndikuara nga kultura dhe tradita, të tjera nga tendenca shoqërore dhe moda, të tjera nga personaliteti apo identiteti, e të tjera nga kuptimet që njerëz formojnë mbi jetën apo edhe mbi pikëpamjet fetare.

Islami si fe, duke e ditur se është përkujdesur në mënyrë të veçantë për krijesën njeri, nuk ka anashkaluar edhe kodin e veshjes, jo vetëm kaq por edhe ka nxitur për përkujdesje për të.

Nëse shikojmë tekstet fetare, do gjejmë një nxitje të veçantë që besimtari të jetë i pastër dhe të duket bukur, e ndër ta është edhe hadithi që transmeton Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që në zemrën e tij posedon mendjemadhësi qoftë dhe sa një grimcë.” Një i pranishëm tha: Ndonjëherë njeriu ka dëshirë që të veshë rrobë të bukur e nallane të bukura (a është kjo mendjemadhësi)?
I Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: “Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësia nënkupton refuzimin e së vërtetës dhe përbuzjen e njerëzve.”

Ndërsa në një transmetim tjetër nga Amr ibn Shuajb, i cili tregon se i Dërguari  ﷺ ka thënë: “Allahu do të shohë shenjat e begatisë së Tij, tek robi i Tij.”

Nga kjo që u pa më lartë nënkuptojmë se besimtari nëse i ka mundësitë ekonomike, duhet të vishet mirë, të duket i pastër dhe assesi nuk duhet të vishet me rroba që e bëjnë atë të ndjehet i pavlerë dhe të shikohet me shikim nënvlerësimi nga të tjerët. Por kjo nuk nënkupton se ai duhet të vishet me veshje që e bëjnë atë më të dalluarin, a më të veçuarin, veshje që do shpije në smirë dhe xhelozi nga të tjerët.

Kur jemi tek hadithi ku i dërguari na tregon se Allahu dëshiron të sheh mirësitë e robit tek ai, duhet kuptuar ashtu siç e kanë kuptuar të parët tanë të mirë, siç thotë Mulla Ali ElKarij El Hanefi se kur Allahu i jep robit një mirësi të kësaj dynjaje, le ta shfaq atë tek vetja e tij, por gjithnjë duke pasur parasysh që të i përshtatet personalitetit dhe nivelit të tij. Qëllimi i kësaj shfaqjeje nuk është mendjemadhësia e as të qëndruarit kryelartë para të tjerëve, por nga qëllimet është shprehja falënderimit ndaj Allahut si dhe të kuptojnë të varfrit se nga kush të kërkojnë zekatin dhe sadakanë. Po të njëjtën e kanë thënë për dijetarët, duhet të vishen mirë që të vlerësohen ata dhe dituria e tyre, dhe të jenë shembull dhe pikësynim i njerëzve.

E nëse dikush thotë, a nuk është premtuar shpërblim për atë që braktis veshjen e mirë për hir të Allahut,  ndërsa në anën tjetër është nxitur besimtari që të shfaq mirësitë e Allahut. Si duhet kuptuar kjo?

Pyetja është me vend, sepse i Dërguari ﷺ në një hadith tjetër thotë: “Ai që e braktis veshjen për hir të Allahut, edhe pse është në gjendje për diç të tillë, Allahu do ta thërret atë Ditën e Kijametit para të gjithë krijesave, derisa do t’i japë të përzgjedhë prej cilave qafore të besimit të preferojë.”

Fillimisht duhet kuptuar se braktisja e veshjes që është përmendur në hadith, ka të bëjë me atë veshjen e shtrenjtë të cilën nuk mund ta arrijnë vetëm se të pasurit e atij vendi.

Andaj edhe dijetarët për këtë kanë thënë: Nëse njeriu qëndron në një shoqëri me gjendje ekonomike mesatare, më e mirë për të është që të vesh rroba më modeste, që të mos dallohet tepër nga të tjerët. E nëse është në një shoqëri me gjendje të mirë ekonomike, më e mirë për të është që të veshë rroba më të shtrenjta që janë nivel i shoqërisë së tij, që të mos dallohet.

Vendi nga vendi, personi nga personi, gjendja nga gjendja, dallojnë, dhe nuk është e drejtë të merret një gjykim a vendim i përgjithshëm për të gjithë, dhe matës për të është tradita e vendit.

Dijetari ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur njeriu është mesin e një shoqërie të shtresës së mesme ekonomike, të cilët nuk kanë mundësi të veshin rroba të shtrenjta, le të bëhet modest dhe le të vishet si ata, që të mos thehen zemrat e tyre dhe të mos ndjehet kryelartë ndaj tyre. Ai me këtë veprim do të merr shpërblim të madh nga Allahu (subhanehu ue teala).

Por nëse është mes njerëzve që Allahu u ka dhënë pasuri, dhe ata veshin rroba të shtrenjta, atëherë është më mirë që ai të vishet si ata, me kusht që rrobat të mos jenë të ndaluara, sepse Allahu është i bukur dhe e do bukurinë. Dhe pa dyshim, nëse njeriu është mes një shtrese të lartë, të cilët veshin rroba të bukura, dhe ai vesh rroba më të thjeshta se ata, kjo do të konsiderohet si një veshje për famë.

Prandaj, të mos mendosh se veshja e rrobave të vjetra, të shëmtuara, me të cilat dallohesh nga të tjerët, se kjo është shenjë e imanit të fortë dhe se ky person është asket dhe nuk e do dynjanë. 

Dhe si dëshmi për këtë, lexoni këtë hadith nga i Dërguari ﷺ i cili pa një njeri i cili kishte veshur rroba të shëmtuara, dhe i tha: “A ke pasuri?” Ai u përgjigj: “Po.” I Dërguari ﷺ tha: “Nga cili lloji i pasurisë?” Ai u përgjigj: “Allahu më ka dhuruar deve, dhen, kuaj dhe skllevër.”
I Dërguari ﷺ tha: “Kur Allahu të japë pasuri, shfaqe shenjën të pasurit dhe bujarisë së Allahut ndaj teje.”

Përgatiti: Senad Ramadani

Të tjera