Prej karakteristikave të festave të myslimanëve është se ata gjatë ditëve festive e madhërojnë Allahun në forma të ndryshme. E madhërojnë Zotin ashtu siç i ka urdhëruar Ai, kështu p.sh. gjatë ditëve të Kurban Bajramit ata e madhërojnë Allahun me tekbir, tehlil, tahmid[1], me prerje të kurbanit, me vizita të miqve dhe familjes dhe kështu me radhë. Qëllimi i gjithë këtyre adhurimeve në këtë periudhë kohore është se këto ditë janë në lidhje të ngushtë me kryerjen e një prej adhurimeve shtyllë të Fesë së Allahut, Haxhin.
Thotë Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue se-lem): “Dita më e lartë me pozitë tek Allahu është dita e Kurban Bajramit.”[2] Prej gjithë ditëve të vitit Allahu e zgjodhi këtë ditë si ditën më të dashur tek Ai dhe ditën më të mirë, andaj besimtari i mirë dhe besimtarja e mirë duke e ditur faktin se kjo është dita më e mirë, duhet që të kujdesen mos bëjnë gjatë kësaj dite diçka që e hidhëron Allahun dhe ta kenë parasysh se kjo ditë dallon prej çdo dite tjetër të vitit.
Duke e patur parasysh këtë, besimtari dhe besimtarja mundohen që në çdo mënyrë ta tregojnë madhërimin që e kanë ata në zemrat e tyre ndaj Allahut dhe ndaj asaj që e ka madhëruar Allahu, andaj i shohim myslimanët sesi e manifestojnë këtë madhërim, qoftë me adhurim, qoftë me buzëqeshje, qoftë me vizita, madje ky madhërim duket edhe në pamjen e jashtme të tyre, në mënyrën sesi vishen.
((ذَٰلِكَ وَمَن يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّـهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى الْقُلُوبِ ))
Po, kështu është kjo. E, kush respekton dispozitat e Allahut, ky (respektim) është prej zemrave të tyre që kanë devotshmëri.[3]
Po pra, kjo është prej devotshmërisë që e kanë besimtarët të mbjellur në zemrat e tyre, devotshmëri që e manifestojnë në forma dhe mënyra të ndryshme.
Mirëpo gjatë kësaj dite madhështore, në vendin tonë është e përhapur një traditë e cila është në kundërshtim të plotë me objektivat madhështore dhe karakteristikat e mirëfillta të kësaj feste. Kjo ka të bëjë me nënat, motrat dhe bashkërshortet tona, me motrat muslimane që e festojnë këtë ditë. Më konkretisht ka të bëj me kohën kur meshkujt e shtëpisë janë jashta shtëpisë ndërsa ato që i presin mysafirët janë nëna, motrat dhe bashkëshortet tona.
Problematika e gjithë kësaj qëndron në atë se në kohë kur edhe gjinia femërore manifestojnë festimin e tyre të kësaj dite, edhe atë me veshje të teshave të reja dhe zbukurime, ato në mungesë të burrave në shtëpi, në këtë gjendje i presin mysafirët. Nuk është problemi te mysafirët që janë të afërt të kësaj myslimane, mahremat e saj, problemi është tek ata mysafir të cilët nuk janë edhe aq të afërt me të, madje ndoshta nuk kanë asnjë lidhje familjare.
Fakti se neve në këtë ditë na vizitojnë njerëz të cilët ndoshta edhe nuk i kemi aq të afërt në aspekt farefisnor, tregon për efektin pozitiv që ka kjo festë në aspekt shoqëror. Por ky pozitivitet duhet shoqëruar me mirënjohje dhe falënderim ndaj Atij që na begatoi me gjithë këto të mira dhe padyshim se mirënjohja dhe falënderimi nuk bëhen me shkelje të kufijve të Tij.
Shtëpitë tona gjatë Bajramit dhe jashta Bajramit janë të hapura për të gjithë, mirëpo duhet rregulluar çështjen se kush dhe si i pret këto mysafirë dhe dashamirë që na vizitojnë.
Besimtarja i tregon bukuritë e saja vetëm para meshkujve të afërt të saj, siç është babai, vëllau, bashkëshorti, daja dhe të tjerë, të cilët në terminologjinë fetare quhen mahrem[4].
Andaj le të jetë kjo ditë madhështore larg çdo shkelje të kufijve të Allahut dhe le t’i bëjmë vizitat dhe qejfet tona në përputhshmëri me Fenë e Allahut, sepse fundi i fundit, vetë festimi i kësaj dite është urdhër i Zotit. Dhe njeriu kur e kryen një urdhër të Zotit e kryen ashtu siç është urdhëruar, jo ashtu siç e urdhëron epshi i tij apo dikush tjetër.
((قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّـهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ))
Thuaj: Namazi im dhe kurbani im, jeta ime, dhe vdekja ime janë njëmend për Allahun, Zoti i tërë botërave.[5]
Ali Ashani
[1] Allahu Ekber, Allahu Ekber, La ilahe il-la Allah, Allahu Ekber, Allah Ekber, ve lil-lahil hamd. Kjo është një prej formave të tekbireve gjatë ditëve të Kurban Bajramit
[2] Ebu Davudi (1765) dhe Albani e ka cilësuar si të saktë
[3] El-Haxh, 32
[4] Shumësi meharim
[5] El-En’am, 162