Pa dyshim se martesa është një ndër sfidat më të vështira që i përjetojnë gratë në jetën e tyre, sepse nga ajo do të varet jeta e tyre, nga ajo do të varet ardhmëria e tyre, nga ajo vendoset se a do të jetojë e lumtur si një princeshë apo e nënçmuar si një robëreshë.
Por ajo që të bën për tu çuditur me shumë femra, të cilat dëshirojnë të martohen duke u dhënë përparësi sendeve sekondare para gjërave parimore që e vlerësojnë njeriun. Sot fatkeqësisht femrat muslimane më shumë i japin përparësi pasurisë, veturës, shtëpisë, pamjes, se sa që i japin përparësi familjes, nderit, moralit. Ndërsa sa i përket fesë, ato jo vetëm që nuk interesohen fare, por nëse një i ri është fetar kjo bëhet pengesë për martesë dhe ajo nuk e parapëlqen një burrë fetar.
Kur i pyet ato, pse vallë ju pengon një burrë i cili e ka frikë Allahun? Përgjigja është: Ai nuk më lejon të dal lirë nga shtëpia, ai dëshiron që të dal nga shtëpia vetëm me të, ai është xheloz, ai dëshiron që të mos vishem shkurt, ai nuk
më lejon të dalim me shoqëri nëpër kafene dhe ëmbëltore, ai nuk lejon të bisedoj me shokët e mi, ai… ai…
Ah motër, sikur të mendoje pak para se ti thuash këto fjalë, pasha Allahun i cili të krijoi dhe të zbukuroi, kujt dëshiron t’i reklamohesh me dukjen e pjesëve të trupit tënd pasi që je martuar, kë dëshiron t’i shoqërosh burrit tënd në shikimin e bukurisë tënde, kë dëshiron t’i shoqërosh burrit tënd në dëgjimin e fjalëve të ëmbla dhe në buzëqeshjen tënde… pyetje të shumta… përgjigje nuk ka!!!
Motër a nuk je dëshmitare e mashtrimeve të shumta që po ndodhin nga bashkëshortët? A nuk je dëshmitare e tradhtive të shumta? A nuk je dëshmitare e padrejtësive të shumta? A nuk je dëshmitare e pakënaqësive të shumta?
A nuk janë gratë në vendin tonë ato të cilat qëndrojnë në shtëpi gjatë gjithë ditës duke punuar sikur të jenë robëresha ndërsa burrat e tyre vrapojnë pas vajzave të huaja!!!
A nuk janë gratë në vendin tonë, ato të cilat qëndrojnë me vite të vetmuara në shtëpi duke pritur burrat e tyre, ndërsa ato po kalojnë vite duke u dëfryer nëpër botë.
A nuk janë gratë në vendin tonë ato të cilat kalojnë netët në vetmi ndërsa burrat e tyre rijnë nëpër kafene?
A nuk janë gratë në vendin tonë ato të cilat gjithë ditën punojnë, gjithë ditën mundohen që shtëpitë e tyre të jenë sa më të pastra dhe më të rregulluara, ndërsa kur burrat vijnë në shtëpi ata përsëri janë të pakënaqur dhe të nevrikosur?
Motër a e din pse ndodhë kjo? Kjo ndodhë sepse ato kanë burra që nuk i frikohen Allahut.
Një njeri e ka takuar Hasenin, nipin e Pejgamberit [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] dhe i tha: “Unë kam një vajzë që dëshiroj ta martojë, a më tregon kënd t’ia zgjedh për burrë.” Haseni i është përgjigjur: Martoje me një burrë i cili e ka frikë Allahun, sepse nëse do ta dojë do ta nderojë e nëse e urren nuk do t’i bëj padrejtësi.”
Prandaj nëse dëshiron të martohesh dhe dëshiron të kesh një jetë të lumtur, atëherë le të jenë kushtet kryesore që ti i kërkon:
1- Feja: Thotë Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të]: “Nëse ju vjen dikush që është fetar dhe i moralshëm martojeni e nëse jo, atëherë do të ndodhin fitne dhe çrregullim i madh në tokë.” (Ibn Maxhe)
2- Morali: Hadithi i lartpërmendur e bën të qartë rolin dhe vlerën e moralit gjatë zgjedhjes së bashkëshortit. Allahu i madhëruar e ka lavdëruar Pejgamberin [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] në Kur’an për një cilësi madhështore që ai posedonte, duke i thënë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!” (Kalem 4)
Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të] ka thënë: “Muslimani më i mirë është ai i cili ka moral më të mirë.” (Ahmedi)
3- Të ketë familje dhe shoqëri të mirë: Duhet ditur se shoqëria dhe familja kanë një rëndësi të madhe në fenë dhe sjelljen e njeriut, sepse njeriu ndikohet nga shoqëria e keqe, gjë që e bën të merr edhe vese të këqija prej tyre.
Për këtë ka thënë Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të]: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, pra le të shikojë secili prej jush se me kënd shoqërohet.” (Tirmidhiu)
4- Të jetë burri i aftë: që të mbajë familje dhe që të mbajë përgjegjësi, ky është kusht i rëndësishëm që është ndihmëtarë i ruajtjes së fesë dhe pozitës së gruas, sepse nëse burri nuk është i aftë për furnizimin e familjes, për përkujdesjen e tyre, për edukimin e tyre, për mbrojtjen e tyre, atëherë ose do të detyrohet gruaja ta marrë atë përgjegjësi ose të dështojë ajo martesë, ku të dy rastet janë në dëmin e gruas.
5- Të mos jetë koprrac: ngase koprracia është një sëmundje e cila bazën e ka në sëmundjen e besimit të njeriut, sepse sikur të ishte besimi i shëndoshë, koprracia nuk do të kishte vend. Një dijetarë kur është pyetur për definimin e koprracisë ka thënë: Koprracia është zëvendësimi i disa cilësive njerëzore me ato shtazarake. Allahu i ka kërcënuar rëndë të tillët duke thënë: “Ata që vetë janë koprracë dhe urdhërojnë njerëzit për koprraci dhe e fshehin atë që ju ka dhënë Allahu nga mirësitë e veta. Ne kemi përgatitur dënim të turpshëm për jobesimtarët.” (Nisa: 37)
Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobinë e tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kiametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, Allahu është i njohur mirë më atë që veproni.” (Ali Imran: 180)
Senad Ramadani (Pjesë nga libri “Motër muslimane”)